Ndërsa jugu i Europës, Italia, Spanja dhe bashkëkufitarët e tyre mundohen ti bëjnë ballë cunamit financiar që me epiqendër Athinën po përparon kërcënueshëm me ritme marramendëse drejt veriut, duket se liderët politikë dhe teknicienët e ekonomisë nuk kanë qenë ndonjëherë kaq larg në propozimet e tyre për zgjidhjen e problemit. Nga njëra anë kemi qëndrimin e patundur dhe të rreptë të binomit Merkozy me mbështetjen e fortë të vendeve nordike dhe nga ana tjeter “të gjithë të tjerët” , e gjitha kjo nën vëzhgimin e Shteteve të Bashkuara  dhe Britanisë në rolin e spektatorëve indirekt të interesuar.

Pozicioni i patundur i Merkel

Sipas Kancelares Merkel, kriza aktuale e Eurozonës nuk mund të ketë zgjidhje vetëm nëpërmjet konsolidimit dhe stabilizimit të bilanceve të vendeve anëtare dhe ruajtjes së parametrave të marrëveshjeve (Defiçiti buxhetor 3% në raport me PBB, Borxhi publik 60% në raport me PBB). Kjo gjë arrihet nëpërmjet politikave ekonomike që synojnë uljen e shpenzimeve buxhetore dhe reformimit tw ekonomisë për të mundësuar rritjen. Sipas saj duhet të bëhet ç’është e mundur për heqjen e barrierave që pengojnë rritjen ekonomike. Duhet vullnet i qartë politik në mënyrë që të arrihet forcimi i institucioneve dhe bashkim fiskal që është i domosdoshëm për të evituar përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen. Kjo gjë nuk mund të arrihet ndryshe por vetëm nëpërmjet rishikimit të traktateve. Ndërhyrjet e institucioneve qendrore do të bëhen të mundura vetëm pasi të ndryshohet kuadri juridik. Pra struktura e re juridike e Qeverisjes Europiane duhet të përcaktojë qartë angazhimet përkatëse nga ana e të gjithë anëtarëve dhe sanksionet (e rrepta) në rast mosbatimi të tyre. Gjithashtu Merkel nuk lë pa përmendur “Harmonizimin midis kompetencave nacionale të vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së” që do të thotë më pak “sovranitet “ për vendet anëtare.

Problemet e zgjidhjes Merkel

Zgjidhjet e propozuara për tregjet financiare në çdo rast janë afatgjata dhe kërkojnë kohë, ndërkohë që reagimet dhe emocionet e tregjeve janë “afatshkurtëra”. Tregjet kanë nevojë për përgjigje të shpejta dhe konkrete (mundësisht të dinë “sa” do të jetë shuma e ndihmës nqs do të ketë një të tillë). Politikat shtrënguese ndoshta e tkurrin ekonominë po aq sa do ta bënin tregjet nëpërmjet rritjes së interesit të bonove shtetërore. Zgjidhja e ofruar nuk garanton sistemimin e situatës. Bashkimi Europian ka një problem thelbësor në institucionet e tij. Konkretisht politika monetare bëhet në qendër, kurse politika fiskale vazhdon të jetë kompetencë e shteteve anëtare (të cilat deri sot kanë hezituar të heqin dorë nga një pjesë kaq e rëndësishme e sovranitetit). Brenda Eurozonës ka një pluralitet tregjesh financiare që veprojnë të shkëputura dhe me rregulla të ngjashme, por jo të njëjta, pasi supervizioni bankar është disiplinë që rregullohet nga shtetet anëtare psh Bundesbank në momentin kur tregu nuk arriti të thithte ofertën e bundeve veproi si “blerës i instancës së fundit” (ky është termi që qarkullon prej kohësh tek të interesuarit) ndërsa në Itali, për shembull ky veprim nuk lejohet me ligj; ndoshta ka ardhur koha të bëhen ndyshime në sistem. Mungon institucioni që garanton stabilitetin financiar. Banka Qëndrore Europiane me statut mundet t’i ofrojë likuiditete bankave në vështirësi, por nuk mundet të bëjë të njëjtën gjë me shtetet që janë në vështirësi. BQE duhet të garantojë jo vetëm stabilitetin e çmimeve, por edhe stabilitetin financiar. Ndyshimi i rolit të BQE-së, të veprojë si blerës i instancës së fundit, kundërshtohet me forcë nga Merkel. Në USA, Federal Reserve e ka këtë kompetencë. Kohezioni social brenda eurozonës; nqs në Shtetet e Bashkuara qytetarët e Karolinës moralisht pranojnë transferime fiskale për në Ohajo, ata të Gjermanisë nuk kanë për të pranuar kurrë të shohin kontributet e tyre të fluturojnë në plazhet e Spanjës apo Italisë. Çfarë do bëhet me Bankat të cilat kanë në asetet e tyre këto tituj që dita ditës po bëhen toksikë? Sa përmendëm më lart janë disa nga pikëpyetjet e zgjidhjes së ofruar me ngulm nga kancelarja Merkel. Për të parë nëse bëhet fjalë për një qëndrim të patjetërsueshëm të kancelares apo për një presion që i bëhet shteteve të pakujdesshme në menaxhimin e financave publike, këtë do ta shohim në përfundim të takimit të KE-së gjatë gjysmës së parë të Dhjetorit.

Europa, faktori kohë dhe flijimi i sovranitetit

Cilado qoftë zgjidhja e krizës së paprecedentë të Eurozonës (shpresojmë që të ketë një të tillë) me siguri që gjërat do të ndyshojnë në të ardhmen. Asgjë nuk do të jetë më si më parë për vende si Italia, Spanja, Portugalia, Irlanda etj. Politikat financiare vështirë se do vazhdojnë të bëhen në Romë, Madrid apo Lisbonë. Në Athinë ndoshta po, meqë ata që mendojnë se Greqia do të vazhdojë të qëndrojë në Eurozonë tashmë janë në minorancë. Jo shumë kohë më parë, ishte e pamendueshme përfshirja e këtij argumenti në tryezat e diplomacisë europiane (jo më në rreshtat e kostitucionalistëve italianë apo francezë). Në rast se Banka Qendrore Europiane dhe liderët e saj, Merkel dhe Sarkozy nuk marrin masa për të vendosur të ndërhyjnë sa më shpejt në mbështetje të vendeve të “periferisë” shkatërrimi i euros është gati i paevitueshëm. Një rënie dakord në parim, por vonesë në kohë, do të ishte njësoj si të mos ndërhyhet. Fatkeqësisht politika e kontinentit të vjetër ka dhënë prova që e vjetër nuk është vetëm në moshë. Rasti i Greqisë dhe Portugalisë e tregojnë më së miri rëndësinë e faktorit kohë. Disa muaj vonesë nga janari 2010 në maj 2010, në ofrimin e ndihmës financiare qenë të mjaftueshme për bursat që të kthenin situatën e borxhit publik të këtyre shteteve nga “e vështirë” në “ të pashpresë”. Një ndërhyrje e tillë kërkon një vullnet politik në forcimin e institucioneve dhe kuadrit konstitucional të BE-së. Gjermania dhe Franca,  e kanë bërë të qartë se një ndërhyrje e institucioneve të BE-së nuk do të ishte e mundur në gjendjen aktuale të kuadrit juridik.  Për momentin mund të shërbejë si zgjidhje edhe  veprimi nëpërmjet marrëveshjeve qeveritare (alla Shengen). Një zgjidhje e tillë do të kishte avantazhin e shpejtësisë së ndërhyrjes, por nuk do ishte zgjidhje afatgjatë. Për të mënjanuar bisedimet me të gjithë anëtarët (17 vendeve të Eurozonës apo akoma më keq 27 të Bashkimit Europian), që jo gjithmonë janë praktikë dhe shpesh herë dështojnë në marrjen e vendimeve të shpejta, kjo zgjidhje duket e volitshme. Skenari pritet të jetë i tillë. Fillimisht disa prej vendeve anëtare, si Gjermania, Franca, Hollanda etj do të bien dakort ndërmjet tyre. Më pas, konkluzionet e marrëveshjes së tyre do t’i propozohen vendeve të tjera, që do t’u rezervohet e drejta për t’u bërë pjesë e këtyre marrëveshjeve.  Natyrisht vendet që do të aderojnë në inisiativën revolucionare do i përmbahen kushteve të reja të rëna dakord. Por për një rritje të qëndrueshme dhe një zgjidhje afatgjatë duhen ndyshime rrënjësore të cilat në demokracitë liberale kërkojnë vullnetin e zgjedhësve të vendeve anëtare (kushtetuta europiane ka dështuar në më shumë se një rast). Një gjë e tillë nënkupton  humbje të rëndësishme të sovranitetit për vendet anëtare, të cilat në kohë të tjera, refuzonin kategorikisht të hiqnin dorë nga kontrolli i Politikave Fiskale. Me sa duket rrebeshi financiar që po tund themelet e Europës mund të bëhet shkak për të arritur në ndryshime juridike thelbësore për të cilat qytetarët e Europës nuk do të jepnin kurrë pëlqimin. A është në pajtim me kushtetutat e vendeve anëtare? Edhe sikur të mos jetë në pajtim me të, situata është kritike prandaj është e domosdoshme të ndërhyhet një orë e më parë për të shpëtuar atdheun e përbashkët u thonë kryeministrave teknikë të Italisë dhe simotrave. Tregun e lirë edhe atë financiar (të pakontrolluar) e deshëm dhe ja ku sot jemi preja e humoreve dhe spekullimeve të operatorëve me moral tashmë aspak të dyshimtë. Sidoqoftë, limitet e tregut plotësisht të pakontrolluar dhe i mekanizmave monetare ndërkombëtare nuk janë objekt i trajtimit tonë këtu. Të presim mesin e dhjetorit për të parë se si do të evulojnë gjërat, por me siguri Europa nuk do jetë më ajo që njohim.