Probleme të shkaktuara nga zhvendosjen e objekteve që i përkasin Qendrës Studimore Albanologjike. Planifikohet ndërtimi i një magazine për të zhvendosur objektet arkeologjike, ndërsa parashikohet që punimet të zgjasin deri në nëntor. Disa nga objektet e ekspozuara do të zëvendësohen me të tjera nga fondi rezervë.

Punimet që po kryhen për rikonstruksionin e muzeut arkeologjik janë pezulluar përkohësisht. Sipas drejtorit të drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare, Ermion Arapi, i cili kryen dhe funksionin e drejtorit të këtij muzeu, pezullimi i punimeve ka ardhur si pasojë e problemeve të shkaktuara me zhvendosjen e objekteve që i përkasin Qendrës Studimore Albanologjike (QSA). Zyrat e QSA-së dhe objektet që ajo ka në inventarizim ndodhen në ambientet e muzeut arkeologjik. Kjo qendër, që selinë e ka në Tiranë, nuk ka aktualisht hapësira të lira se ku mund t’i vendosë objektet, si ato të studiuara tashmë ashtu dhe ato që janë ende në proçes studimi. QSA-ja është lajmëruar për zhvendosjen e objekteve që në kohën kur nisën punimet për rikonstruksionin e muzeut, por mungesa e fondeve dhe hapësirave nuk ka mundësuar spostimin e tyre.

Problematika

Sipas Arapit,- “objektet që ka në inventarizim kjo qendër (disa prej tyre janë të ekspozuara në katin e parë të muzeut) janë të një rëndësie të veçantë, për këtë qëllim lëvizja apo transporti duhet kryer me kujdes të madh për të evituar dëmtimin apo prishjen e tyre”. Duke qenë se muzeu arkeologjik është nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, ndërsa QSA-ja nën varësinë e Ministrisë së Arsimit, mosrakordimi i punës mes këtyre dy dikastereve ka sjellë për pasojë vonesa të panevojshme. Drejtori Arapi bën të ditur për gazetën “Dyrrah” se aktualisht është gjetur një rrugë e mesme, për t’i dhënë zgjidhje problemit. Pranë Ministrisë së Kulturës, ai ka bërë kërkesë për një fond shtesë për ndërtimin e një magazine, në anën e prapme të muzeut, magazinë në të cilën do të sistemohen gjithë objektet e kësaj qendre. Në të njëjtën kohë Arapi thekson se edhe nëse Ministria nuk akordon një fond shtesë, janë bërë bisedime me firmën që ka marrë përsipër rikonstruksionin e muzeut, për të ndërtuar magazinën me fondin që lihet mënjanë në raste ngjarjesh të papritura e që llogaritet në vlerën 3% të investimit. Sipas tij vetëm kjo zgjidhje do të bënte të mundur zhvendosjen e objekteve që administron QSA-ja, lirimin e ambienteve dhe rifillimin e punimeve të rikonstruksionit. “Përsa kohë bëhet fjalë për objekte mjaft të rëndësishme jo vetëm për historinë e qytetit, por të gjithë kombit tonë firma zbatuese nuk mund të ndërhyjë për të zhvendosur apo spostuar objektet në fjalë. Unë jam optimist se duke nisur nga java e ardhshme do të nisë puna për ndërtimin e magazinës”,- thotë Arapi.

Ekspozimi i objekteve

Krahas punës për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme të muzeut një rëndësi mjaft të madhe do t’i kushtohet ekspozimit dhe sistemimit të objekteve arkeologjike. I pyetur lidhur me këtë, drejtori Arapi thotë se përcaktimi i objekteve të ekspozueshme do të bëhet nga një grup pune që do të ngrihet dhe do të ketë në përbërje specialistë të Ministrisë së Kulturës, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Qendrës Studimore Albanologjike. Ky grup do të njihet me të gjithë pasurinë arkeologjike që është ekspozuar deri tani si dhe me objektet që ndodhen në fondin rezervë dhe do të përcaktojë objektet që do të ekspozohen në stenda pas rikonstruksionit. Nëse kati i parë do të ruajë destinacionin e tij, pra do t’i rezervohet periudhës antike ilire, greke e romake dhe në katin e dytë të muzeut do të krijohet pavioni i mesjetës (një risi kjo për muzeun), Arapi nuk di të thotë se çfarë objektesh do të ekspozohen në katin e tretë të tij. Sipas tij do të jetë ky grup pune që do të përcaktojë se çfarë periudhe historike do të pasqyrohet në katin e tretë ose nëse në këtë kat do të ekspozohen objekte nga periudha të ndryshme të historisë së vendit tonë. Në katin e parë të muzeut arkeologjik janë ekspozuar për shumë vite me radhë rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-ërt pas erës sonë. Objektet, të periudhës helenistike dhe asaj romake, janë kryesisht qeramikë, enë balte, skulptura, objekte të argjendarisë, monedha etj. Disa prej objekteve të ekspozuara janë të njëllojta, por ndryshojnë vetëm në madhësinë e tyre. “Për këtë arsye,- thotë Arapi,- është hedhur një ide që mbështetet edhe nga drejtori i IMK-së, Apollon Baçe, për t’i zëvendësuar disa prej tyre me të tjera që janë në fondin rezervë e që deri tani nuk janë bërë të njohura për turistët. Zëvendësimi i tyre nuk nënkupton aspak se ato janë të panevojshme, por ky proces do të bëhet në radhë të parë për të ofruar për turistët si vendas dhe ata të huaj një larmi të madhe të objekteve arkeologjike, me të cilat nëntoka e Durrësit vazhdon të jetë ende e pasur”. Këto objekte, që do hiqen nga stendat, do të kalojnë në fondin rezervë dhe do të qëndrojnë aty derisa vite më vonë të shihet e arsyeshme për t’i ekspozuar sërish. Arapi nënvizon se çdo objekt që ruhet në muze është i pajisur me pasaportën e tij, që nënkupton se është i regjistruar me një numër dhe foto përkatëse. “Në rast vjedhjeje, askush nuk mund të pretendojë pronësinë e tij, pasi ai është i regjistruar si pronë e muzeut”,- shprehet Arapi.

Ndërkohë përsa i përket lulishtes para muzeut ajo është konceptuar të jetë jo vetëm një vend çlodhës, por në të njëjtën kohë në të do të ekspozohen në mënyrën e duhur shumë nga objektet arkeologjike që deri tani gjenden të hedhura në të pa asnjë lloj kujdesi. Grupi i punës do të përcaktojë sistemimin dhe vendosjen e disa prej këtyre objekteve si skulptura arkitektonike, dekorative (kolona e kapitele), relieve, gurë varresh etj, ndërkohë që pjesa tjetër e objekteve do t’i kalojë fondit rezervë.

Përurimi

Vonesat për përfundimin e punimeve të rikonstruksionit duket se do të shtyjnë afatet e përurimit të tij. Nëse pak javë më parë drejtori i IMK-së, Apollon Baçe pati deklaruar për gazetën “Dyrrah”, se shpresonte se muzeu do të hapej në muajin qershor, Arapi shprehet skeptik për këtë afat. Një vit më parë, drejtoria e muzeut e shtyu afatin e nisjes së punimeve, për të mos e mbyllur muzeun gjatë sezonit turistik, por këtë vit duket se turistët e huaj do të jenë të privuar nga vizita aty. Duke marrë parasysh volumin e punës që ka mbetur për t’u bërë si dhe problematikën e përmendur pak më lart, Arapi deklaron se muzeu mund të përfundojë plotësisht me të tre katet e tij të vizitueshme vetëm nga fundi i vitit, që përkon me 100 vjetorin e pavarësisë. “Qëllimi i të gjithë hallkave institucionale që e kanë nën varësi muzeun arkeologjik është që të krijojnë një muze bashkëkohor europian. Prandaj dhe përurimi i tij mund të zgjatet pak në kohë pasi në përfundim të rikonstruksionit Durrësi do të ketë një muze model për shumë dekada me rradhë. Nëse do të nxitojmë për ta hapur për sezonin turistik muzeu mund të këtë fatin e shumë veprave publike të cilat përurohen e më pas në to vazhdojnë ende punimet”,- shprehet Arapi. Në të njëjtën kohë ai nënvizon se për vetë specifikën që kanë punimet në muze bëhen me shumë kujdes për të mos dëmtuar asnjë nga objektet që ndodhen në të. Fondi prej 100 milion lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare do të mundësojë rikonstruksionin e plotë të muzeut dhe rikonceptimin e kateve dhe objekteve të ekspozuara. Të gjitha objektet që ndodhen në inventarin e muzeut arkeologjik i përkasin nëntokës së qytetit tonë, të gjetura qoftë nga arkeologët, qoftë edhe nga qytetarët gjatë gërmimeve në tokat e tyre.

 

Një faqe interneti për sitet arkeologjike

Për të promovuar sa më mirë vlerat e rralla arkeologjike të nëntokës durrsake drejtori Arapi bën të ditur se ka në projekt hapjen e një website-i, ku do të reklamohet jo vetëm muzeu arkeologjik, por dhe të gjitha sitet e tjera arkeologjike si muret e qytetit, forumi romak, bazilikat, kishat apo kalatë që drejtoria rajonale e kulturës kombëtare ka nën administrim. “Ky website,- thotë Arapi,- do t’u shërbejë jo vetëm operatorëve turistikë që organizojnë guidat nëpër qytetet shqiptare, por dhe vetë turistëve vendas dhe të huaj, të cilët mund të shohin online dhe të informohen mbi objektet e ndryshme arkeologjike, vlerat e tyre historike, periudhën së cilës i përkasin apo vendndodhjen e tyre”. Krahas fletëpalosjeve që u shpërndahen turistëve, hapja e një faqeje interneti do të krijonte një urë komunikimi me këta të fundit si dhe do t’i shërbente një promovimi më të gjerë të vetë muzeut, i cili sipas profesor Apollon Baçes do të jetë i niveleve europiane.