Spitali Rajonal i Durrësit, i pari dhe i vetmi që ka arritur deri tani të marrë akreditimin, është në fazën e realizimit të projekteve të rëndësishme që po e transformojnë në një institucion shëndetësor të parametrave europianë. Drejtori i këtij institucioni, Taulant Baku, përmend investimin për funksionimin për herë të parë të laboratorit bakteriologjik dhe atë anatomo-patologjik, bashkëpuniminme Spitalin e Santa-Chiarës në Itali, projektin e trajtimit të mbetjeve spitalore, projektin e planit të përgjigjes së spitalit ndaj fatkeqësive, projektin dhe investimin për qendrën e telemjeksisë dhe bibliotekën mjekësore, etj. Korrupsioni? “Gjatë vitit 2011 nuk ka patur raste legalisht të denoncuara pranë administratës, thotë për gazetën “Dyrrah” drejtori Baku, por kjo nuk do të thotë se ky fenomen nuk ka ndodhur. Në këtë pikë do t’u luteshim pacientëve, familjarëve të tyre dhe qytetarëve në përgjithësi që të denoncojnë çdo veprim apo tentativë mitmarrje duke i siguruar që do të sillemi shumë seriozisht dhe korrekt ligjërisht dhe moralisht për çdo rast”

Si paraqitet situata përsa i përket virozave të stinës?

Ndryshimet e temperaturave dhe lagështisë, me dominim e temperaturave të ulëta dhe nivelit të lartë të lagështisë janë shoqëruar me virozat e stinës si dhe me komplikacionet e tyre. Më të prekura janë moshat e treta dhe fëminore si dhe pacientët me sëmundje të tjera kronike apo me imunitet të ulur. Është evidentuar një rritje e numrit të pacientëve që kërkojnë asistencë pranë klinikave të urgjencës si tek të rriturit ashtu edhe tek pediatria. Gjithashtu ka dhe një filtrim më të madh për shtrime në spital por nuk ka ndonjë shkallë më të lartë se në vitet e kaluara. Sidoqoftë, situata është nën kontroll si nga ana e strukturave spitalore ashtu edhe nga strukturat e shëndetit publik, të cilat janë të informuara periodikisht.

Si është gjendja aktuale e infrastrukturës spitalore?

Siç dhe vetë personalisht mund të keni patur mundësi të vizitoni spitalin tonë, hoteleria është në një nivel bashkëkohor në kuptimin e plotë të fjalës si nga struktura ashtu edhe për shërbimet. Është siguruar funksioni dhe mirëmbajtja e sistemit te ngrohjes, si dhe lënda djegëse përkatëse, naftë dhe mazut. Deri tani jemi në kushte optimale, por sidoqoftë do të uroja që temperaturat të stabilizohen për të mirën e të gjithëve. Ndërsa përsa i përket furnizimit me medikamente dhe materiale mjekimi, kemi realizuar dhe furnizuar gati në 95% të kërkesave bazë të klinikave dhe shërbimeve mjekësore të spitalit tonë. Edhe pse ne kemi ngarkesën e verës për shkak të rritjes së popullatës turistike apo dhe atë të virozave të dimrit, jemi në gjendje furnitore optimale për medikamente dhe materiale mjekimi.

A e përballon spitali i Durrësit furnizimin me ilaçe për pacientët?

Nuk mund të them statistikisht se sa janë ankesat e pacientëve apo familjarëve të tyre në raport me numrin total të të trajtuarve në spitalin tonë, megjithatë ka raste për disa medikamente që mjekë të veçantë dhe të pakët i dërgojnë pacientët që t’i blejnë ato në farmacitë private. Problemi ynë, mendoj, është që të trajtojmë zbatimin e protokolleve mjekësore për pacientët në spitalin e Durrësit. Në këtë pikë, do ta vlerësoja ndihmën nga qytetarët për të konkretizuar rastet, që edhe ne të ndikojmë në minimizimin e këtij problemit.

A po e përmbush spitali i Durrësit misionin e tij si një spital pilot në shkallë vendi me perspektivë për një qendër spitalore dhe a kanë qenë të mjaftueshme investimet në këtë drejtim?

Viti 2011 në përgjithësi ka qenë një vit i një performance vlerësuese për SRD. Të gjithë elementet e një shërbimi bazë mjekësor kanë qenë jo vetëm të siguruar, por edhe në një nivel bashkëkohor. Gjatë këtij viti ka patur investime me input mjaft të ndjeshëm si dhe disa projekte mjaft të rëndësishme, shuma e të cilave ka bërë të mundur edhe finalizimin e procesit të akreditimit të SRD. Tek investimet do të veçoja investimin për funksionimin për herë të parë të laboratorit bakteriologjik dhe atë anatomo-patologjik. Do të veçoja tek projektet atë të bashkëpunimit me Spitalin e Santa-Chiarës, Pisa, Itali; projektin e trajtimit të mbetjeve spitalore me OBSH dhe financimin e ambasadës spanjolle; projektin e planit të përgjigjes së spitalit ndaj fatkeqësive me OBSH; projektin dhe investimin e USARMY për qendrën e telemjeksisë dhe bibliotekën mjekësore me ndërmjetësinë e USAID; projektin dhe investimin e MSH për pajisjen për herë të parë me CT dhe MRI si dhe kalimin me sukses të procesit të akreditimit të SRD, falë së cilës jemi aktualisht spitali i parë dhe i vetëm i akredituar ligjërisht.

 

Nuk mund të them statistikisht se sa janë ankesat e pacientëve apo familjarëve të tyre në raport me numrin total të të trajtuarve në spitalin tonë, megjithatë ka raste për disa medikamente që mjekë të veçantë dhe të pakët i dërgojnë pacientët që t’i blejnë ato në farmacitë private. Problemi ynë, mendoj, është që të trajtojmë zbatimin e protokolleve mjekësore për pacientët në spitalin e Durrësit. Në këtë pikë, do ta vlerësoja ndihmën nga qytetarët për të konkretizuar rastet, që edhe ne të ndikojmë në minimizimin e këtij problemit

Si paraqitet situata përsa i përket aparaturave spitalore dhe a janë të detyruar pacientët që të ekzaminohen te privati?

Thjesht dhe direkt mund të thuhet që çdo investim dhe projekt i përfunduar shkon në rritjen e nivelit të shërbimit të pacientëve që kërkojnë ndihmë dhe trajtohen në SRD. Aparatura e CT është montuar, kolauduar dhe me staf të trajnuar. Jemi në përfundim të sigurimit të lëndëve të domosdoshme që duhen për këtë ekzaminim si dhe trajtimin profesional-financiar të procedurave. Mendoj që në ditët e para të shkurtit do të jetë në funksion të plotë ndërsa aparatura e MRI sapo është montuar. Do të kolaudohet, do të trajnohet personeli dhe shumë shpejt ky ekzaminim do të jetë efecient në shërbim të pacientëve të spitalit tonë.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet gjatë këtij viti spitali rajonal i Durrësit?

Për sa i përket objektivave të 2012 ne jemi të qartë se çfarë duhet të arrijmë. Së pari të vihen dhe të zbatohen protokollet e mjekimit për çdo patologji dhe çdo shërbim. Së dyti të finalizojmë dhe të mbajmë në nivel bashkëkohor trajtimin e mbeturinave spitalore. Në këtë drejtim duhet nënvizuar investimi i MSH për blerjen e një autoklavi. Së treti do të punohet për plotësimin e pikave që duhen në përfitimin e një akreditimi 5 vjeçar. Së katërti do të organizohen si çdo vit konferenca mjekësore për mjekët dhe infermierët e SRD. Së pesti do të përfundojë projekti i rikonstruksionit të godinës së Pediatrisë, falë një investimi të MSH. Së gjashti do të kompletohet projekti Astraja për kartelizimin informatik të të gjithë shërbimit në maternitetin e spitalit tonë. Së shtati do të potencohet me një vlerë të konsiderueshme aktiviteti i laboratorit bioklinik me anë të blerjes së aparaturave të reja. Së teti jemi në finalizimin e një projekti te MSH me një firmë italiane në instalimin e një impianti të prodhimit, akumulimit dhe shfrytëzimit të energjisë bioelektrike me panele diellore të vendosura në tarracat e SRD. Natyrisht që realizimi i të gjitha këtyre objektivave synon në afrimin e spitalit të Durrësit me parametrat spitalore europiane.

A janë në raportin e duhur marrëdhëniet mjekpacient në spitalin e Durrësit?

Për sa i përket marrëdhënieve bilaterale mjek-pacient në SRD unë mendoj se janë sa konkrete aq dhe të përgjithshme. Në përgjithësi këto marrëdhënie kanë patur një përmirësim gjatë vitit 2011, por mund të them se cilësia e marrëdhënieve në të shumtën e rasteve varet nga personi konkret dhe jo nga sistemi i ngritur. Në këtë problem e kemi vlerësuar shumë me optikën që spitali është pronë e pacientit dhe gjithë të tjerët paguhen nga institucionet për t’u shërbyer atyre. Mjekët në kontratën personale të tyre janë të detyruar të zbatojnë kodin e etikës dhe të deontologjisë mjekësore në raport me pacientin. Ju them se në këtë kontekst ne kemi marrëdhënie konkrete me Urdhrin e Mjekut dhe Shoqatën e Pacientëve dhe jo vetëm kur përfaqësues të këtyre institucioneve janë anëtarë në Bordin Drejtues të SRD.

Sa i prekshëm është fenomeni i mitmarrjes në spitalin e Durrësit?

Korrupsioni apo mitmarrja është një fenomen që kërkon sistem, vullnet dhe bashkërendim për t’u luftuar. Niveli i tij dhe percepsioni i publikut meriton vëmendje, gjë e cila nga ana jonë nuk ka munguar. Nga njëra anë ne kemi investuar në kushtet e punës së mjekut dhe nga ana tjetër kemi ofruar akses për çdo fenomen të ndodhur te kësaj natyre. Gjatë vitit 2011 nuk ka patur raste legalisht të denoncuara pranë administratës, por kjo nuk do të thotë se ky fenomen nuk ka ndodhur. Në këtë pikë do t’u luteshim pacientëve, familjarëve të tyre dhe qytetarëve në përgjithësi që të denoncojnë çdo veprim apo tentativë mitmarrje duke i siguruar që do të sillemi shumë seriozisht dhe korrekt ligjërisht dhe moralisht për çdo rast.

A po funksionon sistemi i sigurimeve në spitalin e Durrësit?

Për sa i përket sistemit të referimit mund t’ju them se ne jemi institucion shëndetësor me financim të plotë nga ISKSH. Investimet i mbulon MSH. Gjatë 2011 është rritur numri i pacientëve të siguruar që janë trajtuar në SRD. Ka vend për përmirësim të mekanizmave që të drejtojnë popullatën në një përqindje më të lartë deri në të plotë për t’u siguruar shëndetin e tyre. Projekti pilot që SRD ka me ISKSH është në vazhdim për nxjerrjen e kostos së trajtimit në bazë të DRG dhe të protokolleve të trajtimit. Kemi marrëdhënie kontraktuale korrekte dhe të gjithë arritjet do të kishin një pamje ekipi të përbashkët te SRD-MSH-ISKSH.

Si po funksionon reparti i urgjencës në spitalin e Durrësit, në kushtet kur një pjesë e pacientëve me trauma dërgohen në spitalin ushtarak të Tiranës?

Klinika e urgjencë-pranimit jo vetëm që është shumë e rëndësishme për peshën dhe specifikën që ka por është mbi të gjitha kontakti i parë dhe pasqyra e një spitali. Ka qenë në një sy tjetër si për investime ashtu dhe në projekte trajnimi te burimeve mjekësore, si mjek ashtu dhe atë infermier. Mund të përmend përfitimin nga donacioni i qeverisë japoneze në pajisje mjekësore dhe një autoambulancë. Projektin me Pisën në përftimin e disa pajisjeve ekzaminuese të rëndësishme si dhe për triazhin e pacientëve. Projektin me kryqin e kuq austriak në përftimin e pajisjeve dhe kurseve trajnuese për nivelin e infermierëve. Projektin në SFI-në zviceriane në programin e trajnimit të personelit të mesëm për emergjencën rrugore dhe fatkeqësitë natyrore. Është investuar në hoteleri dhe janë mbajtur në nivel funksional dhe me karburant të gjithë autoambulancat. Vënia në punë e aparatit të CT dhe laboratorit pranë urgjencës do të rrisë performancën e klinikës urgjencë-pranim të SRD duke çuar në një shërbim më të shpejtë, cilësor dhe më të sigurt për pacientin. Për sa i përket rasteve që dërgohen pranë Spitalit Ushtarak janë ato që i përkasin traumave të kokës dhe se ne nuk kemi aktualisht në stafin tonë mjekësor mjek specialist neurokirg. Themi se disa raste janë zgjidhur në mirëkuptim me SUQ dhe familjarët, ku kemi patur prioritet përfitimin mjekësor maksimal për pacientin.