Të qënit bijë e prindërve të njohur mund të të penalizojë ndonjëherë, pasi e gjen veten duke tentuar të perfeksionohesh për të treguar se dhe ti vlen po njësoj si ata. Po ky nuk ka qenë rasti i pianistes Aksinja Xhoja, që faktin se ishte bij artistësh e ka pasur si motivim gjatë gjithë karrierës së saj, për të dhënë më të mirën nga vetja. Bijë e dy artistëve mjaft të njohur të qytetit të Durrësit (Nikolin e Meropi Xhoja), Aksinja ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Itali e jo vetëm dhe ka korrur duartrokitjet e publikut të huaj në shumë skena prestigjioze. Një peng që ndoshta i ka mbetur është harresa që i kanë bërë institucionet kulturore në Shqipëri, pasi, gjatë bisedës, me një trishtim të lehtë thotë se nuk ka marrë ftesa për koncerte në vendin tonë. E angazhuar për të zbuluar talente në rajonin e Puglias, në Itali, shprehet se të njëjtën gjë do ta bënte me shumë kënaqësi edhe në vendin tonë. Ashtu si mbiemri që mban Xhoja (Gioia në italisht do të thotë gëzim) edhe Aksinja me muzikën e saj reflekton gëzim, emocion e një shpirt të pasur artistik. Në intervistën për gazetën “Dyrrah” ajo rrëfen përshtypjet nga mbrëmjet e kaluara si fëmijë me emra të njohur të artit e kulturës sonë, por dhe projektet dhe angazhimet në të cilat është përfshirë në vendin ku ajo jeton.
Zonja Aksinja, jeni bijë e dy artistëve të mirënjohur të qytetit tonë. Sa kanë ndikuar prindërit tek ju për të ndërmarrë rrugën e artit?
Prindërit e mi më kanë ndihmuar shumë në mënyrë direkte dhe indirekte për zgjedhjen e rrugës së artit. Ata sapo panë dhuntitë e mia muzikore gjatë periudhës së kopshtit, vendosën të më dërgonin në konkursin e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në të cilin fitova dhe fillova studimet në degën e pianos me zysh Lali Gabecin. Ndërsa ndihmë indirekte ishte fakti që kam qenë me shumë fat që u rrita në një shtëpi, ku mbizotëronte arti. Edhe tani i kujtoj me shumë nostalgji kohërat kur vinin tek ne Vaçe Zela, Dritëro Agolli, Gjergj Vlashi, Todi Thanasi, Sofo Afezolli, Vangjel Heba e shumë të tjerë dhe diskutimet për artin vazhdonin deri në të gdhirë.
Jeni bijë e Nikolin Xhojës, “Artist i Popullit” dhe Meropi Xhojës, “Artiste e merituar”. A e keni ndjerë veten të privilegjuar nga ky fakt apo përkundrazi keni ndjerë përherë përgjegjësinë e madhe për të mos zhgënjyer pritshmërinë e të gjithëve ndaj jush?
Sigurisht që jam shumë krenare per prindërit e mi, jo vetëm për faktin që janë “Artist i Popullit” babai dhe “Artiste e Merituar” mamaja, por edhe për dashurinë e pamasë që kanë pasur dhe kanë akoma sot artdashësit dhe miqtë kundrejt atyre. Gjithashtu edhe përgjegjësia për të kryer sa më mirë profesionin tim është e madhe, por impenjohem dita-ditës për të arritur vazhdimisht rezultate sa më të mira si në mësimdhënie, ashtu edhe në karrierën artistike.
Të bësh emër në fushën e artit është gjithnjë shumë e vështirë. Ju çfarë kujtoni nga fillimet tuaja, pasi vlen të përmendet fakti që keni dhënë koncertin tuaj të parë kur ishit vetëm 6 vjeçe?
I kujtoj me shumë kënaqësi koncertet e mia të para. Në atë kohë ishte periudha e miqësisë Shqipëri – Bashkimi Sovjetik dhe vinin shpesh delegacione qeveritare në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në këto raste vinin më merrnin nga orët e mësimit për të marrë pjesë në koncerte. Ndërsa më mbetet akoma i freskët kujtimi i koncertit të organizuar në sallën e Institutit të Lartë të Arteve për nder të pianistit koncertist francez Eric Heidciek.
Ndryshe nga prindërit tuaj që ishin aktorë, ju keni zgjedhur muzikën. Cfarë ju shtyu drejt saj?
Në fillim ishin prindërit dhe mësuesit e mi që kuptuan të dhënat e mira që unë kisha në muzikë. Pastaj sa më shumë kalonte koha aq më tepër unë ndjeja që muzika ishte një nga elementet e domosdoshëm të jetës sime.
Keni ndërtuar një karrierë muzikore jashtë Shqipërisë, keni luajtur në skena të ndryshme në Francë, Angli, Itali. Cilat janë ndjesitë që keni përjetuar nga publiku i huaj dhe sa ju mungon publiku shqiptar? Cilat kanë qenë vlerësimet e kritikës në vende të ndryshme?
Publiku shqiptar më mungon shumë, por deri tani nuk më ka ardhur asnjë ftesë nga istitucionet artistike shqiptare për të bërë koncerte, ndërsa më arrijnë ftesa të ndryshme nga Anglia, Franca, Austria, Gjermania, Amerika etj. Në dhjetor më erdhi një ftesë nga zonja Takuina Truja Adami për të marrë pjesë në jurinë e konkursit “Duo Pianistike” në Tiranë dhe erdha me shumë dëshirë. Më pëlqeu niveli i konkuruesve të rinj. Publiku i huaj i ka vlerësuar shumë koncertet e mia më respekton shumë. Shumë gazeta në gjuhë të huaja kanë shkruar rreth interpretimeve të mia dhe vlerësimet kanë qenë mjaft pozitive.
Keni zgjedhur të jetoni pikërisht në vendlindjen e babait tuaj. Pse kjo zgjedhje dhe sa përqind ndiheni shqiptare dhe italiane në veten tuaj?
Unë ndihem 1000 përqind shqiptare, sepse jam lindur e formuar në Shqipëri deri në moshën 34 vjeçe. Kam zgjedhur të jetoj në Brindisi, sepse babai im lindi aty, burri im është brindizin dhe vajza jonë është rritur në Brindisi. Gjithashtu ndihem më afër Durrësit tim të dashur dhe Shqipërisë.
Në rajonin e Puglias, aty ku jetoni, jeni angazhuar në organizimin e evenimentit “Nuovi talenti festival”. Cfarë ju tërheq tek puna me të rinjtë dhe a është e vështirë të punosh me ta?
Në Puglia unë jam drejtuese artistike për konkurset ndërkombëtare si “Nuovi Talenti Festival”, “The star of the year”, “Terre Imperiali” etj. Fituesit e këtyre konkurseve paraqiten në finalet në Romë. Puna me të rinjtë më jep sodisfaksione të mëdha. Të njëjtat sodisfaksione më kanë dhënë edhe nxënësit e mi të shkollës së muzikës së Durrësit e të Gjirokastrës në vitet që kam punuar në Shqipëri.
A do të realizoni konkurse të ngjashme me të rinjtë shqiptarë?
Do të kisha shumë dëshirë t’i organizoja në Teatrin e Durrësit të gjitha këto konkurse për artistët e rinj shqiptarë.
Sa e vështirë ka qenë për ju të afirmoheni në Itali e më gjerë si artiste?
Në çdo kënd të botës nuk është e lehtë të të realizohen ëndrrat, por nuk është asgjë e pamundur. Duhet shumë studim, shumë kulturë e përgjithshme, shumë këmbëngulje dhe dashuri për artin dhe publikun.
Keni dhënë recitale si dhe keni qenë pjesë e orkestrave të rëndësishme. Na tregoni ndonjë episod që ju ka ngelur në mendje apo ndonjë prej muzikantëve që ju ka lënë më shumë mbresa.
Kam shumë kujtime të bukura, nuk di nga t’ia filloj…. Po kujtoj disa. Në Angli, pas ekzekutimit të koncertit nr.1 të Cajkovskit, duartrokitjet nuk mbaronin dhe të gjithë orkestrantët kishin lënë veglat e duartrokisnin duke thirrur me zë të lartë Aksinja, Aksinja dhe dirigjentit sir Anthony Goodchild i shkëlqenin sytë e përlotur…… Në mes të të pranishmëve në sallë ishin mbretëresha e Anglisë, Elizabeta e dytë dhe Lady Diana. Ndërsa një kujtim tjetër e kam shumë të freskët, pasi ndodhi vetëm pak ditë me parë. Bëra një koncert bamirësie në spitalin e Brindizit për fëmijët e pediatrisë, fëmijët jetimë dhe ata me probleme. Njëri nga këta fëmijë nuk dëgjonte. Atë ditë ai kishte vënë aparatin e dëgjimit dhe kur unë isha duke luajtur “Marcia turca”, ai u afrua tek mua me sytë që i shkëlqenin, më përkëdheli duart dhe më pas m’i puthi….. Kam bërë një sforco të jashtëzakonshme për të mos qarë para publikut, sepse u preka pa masë, kur pashë lumturinë e djalit të vogël që dëgjonte për herë të parë Mozartin.
Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen dhe a parashikoni të vini së shpejti në Shqipëri për ndonjë projekt muzikor?
Së shpejti kam programuar të organizoj një mbrëmje gala në Durrës kushtuar prindërve të mi NIKOLIN E MEROPI XHOJA dhe me këtë rast do të luaj një koncert recital për miqtë e prindërve të mi dhe për ish nxënësit e miqtë e mi.
Gjate vizitave që zhvilloni në Shqiperi jeni vënë në kontakt me artistë shqiptarë? Mendoni se në vendin tonë një artisti i krijohen hapësirat e duhura për të shprehur talentin e tij dhe çfarë mendoni se duhet bërë më shumë në këtë drejtim?
Rruga e artistit është e vështirë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, sepse kujdesi i qeverive vë në radhë të parë ekonominë, botën materiale e pastaj botën shpirtërore. Por artistët e vërtetë nuk shmangen para vështirësive, punojnë me këmbëngulje dhe me shembullin e tyre tërheqin pas vetes shumë artistë të rinj. Një filozof ka thënë: “Këtë botë mund ta shpëtojë vetëm arti dhe dituria”, ndërsa Aristoteli thoshte: “Politikën e bëjnë ata njerëz që nuk kanë një zanat, sepse kush bën mirë zanatin e vet, bën politikë të mirë”.
Jeni bashkëshorte dhe nënë, por njëkohësisht dhe artiste e detyruar të udhëtoni shpesh për hir të punës. Sa ju ka penalizuar kjo gjë në familje?
Unë udhëtoj vazhdimisht së bashku me familjen time. Burri im, Marcello Scardicchio, që është fotograf-regjizor televiziv regjistron koncertet e mia, ndërsa vajza jonë Marilyn, që tani është 20 vjeçe, ka filluar koncertet me mua me 4 duar që kur ishte 3 vjeçe.
Mendoni se Marilyn do të ndjekë rrugën e artit apo ka preferenca të tjera?
Vajza jonë studion gjuhë të huaja si dhe piano, kanto e recitacione. Jam shumë e gëzuar që ka zgjedhur rrugën e gjyshit, gjyshes dhe mamasë.
Gjatë punës suaj keni marrë pjesë në shumë koncerte bamirësie. Artisti me punën e tij u fal kënaqësi njerëzve, në këtë rast ju u keni falur një kënaqësi të dyfishtë. Si jeni ndjerë në këto momente?
Bëj vazhdimisht koncerte bamirësie dhe me shumë kënaqësi, sepse sadopak ndihem që bëj diçka për të ndihmuar njerëz që janë me më pak fat se ne. Kam dhënë koncerte bamirësie këtu në Itali, në Angli etj, të organizuara nga Caritas e organizma të tjera për të mbledhur fonde për spitalin pediatrik të Durrësit, për veglat e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, për fëmijët kosovarë, për fëmijët rumunë e afrikanë, për FAO, për UNICEF, për ADMO etj.
Një pyetje të fundit për ta mbyllur. Jeni angazhuar në shumë binjakëzime të qyteteve shqiptare me qytete të rajonit të Puglias. C’mund të na thoni më shumë mbi këtë projekt tuajin dhe sa është mirëpritur ai tek komunitetet e të dy brigjeve të Adriatikut?
Kam kryer mjaft binjakëzime ndërmjet qyteteve të Italisë me ato të Shqipërisë, por më i rëndësishmi për mua ka qenë binjakëzimi ndërmjet Lushnjës dhe Firmo (qytet me banorë arbëresh në Calabri). Kryetari i bashkisë së qytetit të Firmos më tha që ishte i vetmi qytet që nuk kishte në sheshin e qytetit bustin e Skënderbeut. U impenjuam me kryetarin e bashkisë së Lushnjës, zotin Albert Sanxhaku dhe i dërguam dhuratë këtij qyteti arbëresh bustin e Skënderbeut dhe ata u gëzuan pa masë.