“Qyteti i qytetarëve – buxheti i qytetarëve” ishte dokumentari kushtuar qytetit të Durrësit i cili u prezantua gjatë kësaj jave në ambjentet e odeonit “Nikolin Xhoja”. Në këtë dokumentar të realizuar nga shoqata Art-Link në kuadërtë "Panairit të ideve krijuese", shpallur para disa muajsh nga “British Council” dhe mbështetur nga Banka Botërore kërkohej të nënvizohej fakti se sa i rëndësishëm është roli i qytetarëve në vendimmarrjen lokale dhe sesa të përgjegjshëm duhet të jenë drejtuesit dhe vendimmarrësit vendorë të çdo krahu politik për të dalë nga qerthulli i ngushtë partiak e për t’ju përkushtuar, pikë së pari, interesit të përbashkët qytetar.
Problematika
Në thelb ky dokumentar synonte të përcillte mesazhe që lidhen me problematikën aktuale të ushtrimit të demokracisë dhe të pushtetit, në raport me interesat e qytetarëve. Buxhet i pushtetarëve apo i qytetarëve? Është kjo pyetja me të cilën përballen qytetarët në shumë qytete të Shqipërisë, ku buxhetet bashkiake apo komunale bllokohen si pasojë e interesave të ngushta të njërit apo tjetrit krah të politikës. Përmes një vështrimi retrospektiv, në historinë mijëra vjeçare të qytetit, gazetarja Monika Stafa dhe stafi realizues (producent Alban Ramohitaj dhe regji nga Denada Beqiri) nxorrën në pah sesi në mjaft raste, siç ndodh në qytete të ndryshme të vendit, është politika ajo që dikton vendimmarrjen, është politika ajo që përmes shumicës së kartonave mund të mbajë të bllokuar për shumë muaj, madje dhe vite buxhetin e pushtetit vendor duke harruar në këtë rast se më i dëmtuari është qytetari i thjeshtë. Përmes imazheve të zbuluara për herë të parë për publikun, si ajo e një monedhe të lashtë ku në njërën anë është emri “Durrachion” dhe në anën tjetër “Europa”, që dëshmojnë identitetin evropian të qytetit, dokumentari tentoi të “provokonte” sedrën qytetare për pjesëmarrje në ushtrimin e pushtetit dhe demokracisë në kuptimin e mirëfilltë të këtij termi edhe përmes mekanizmave të tillë si referendumet lokale për përdorimin e buxhetit apo vlerësimin e të zgjedhurve. Disa bashki apo komuna prej dy vjetësh, për shkak të devijimit të vullnetit të zgjedhësve apo interesave të ngushta partiake gjenden në kushtet e një problemi të ndërlikuar; pamundësia e përdorimit të buxhetit.
Pak histori
“Gjatë gjithë historisë së tij, Durrësi është qeverisur dhe është sunduar. Në shekullin e XIII dhe XIV-të, Durrësi ka pasur dy statute, ku përcaktohej mënyra se si duhet të sillej çdo qytetar, marrëdhëniet mes pronarëve dhe çirakëve, madje arrihej deri aty sa përcaktohej me ligj se ku duhet të përfundonin mbeturinat e qytetit. Qyteti ynë është një ndër qytetet e para me ligje të shkruara, të cilat nga kanunet e ndryshme që pasuan më vonë, si p.sh. Kanuni i Lekë Dukagjinit, kishin një ndryshim thelbësor, sepse nëse ata ishin kode të sjelljes, këto statute përbëjnë në vetvete pjekurinë e të drejtës së shprehjes së ndërgjegjes qytetare”,- thotë poeti Arjan Leka në dokumentar. Për këtë arsye, ai ngre pyetjen “Nëse e dinë njerëzit se ku jetojnë?” dhe se sa janë të ndërgjegjshëm durrsakët se janë pasardhës të atyre qytetarëve, që e kthyen Durrësin në kohë të ndryshme të historisë së tij, në një qendër të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por me ndikim edhe në gadishullin e Mesdheut, në një qytet që reflektonte dituri, kulturë, por dhe një model qeverisjeje. “Në Durrës, gjithnjë ka pasur një vetëdije qytetare e pikërisht drejt kësaj duhet të synohet, për ta bërë qytetarin të jetë pjesë integrale e vendimmarrjes së qytetit”,- thotë në dokumentar studiuesi Hasan Ulqini.
Përmes imazheve të zbuluara për herë të parë për publikun, si ajo e një monedhe të lashtë ku në njërën anë është emri “Durrachion” dhe në anën tjetër “Europa”, që dëshmojnë identitetin evropian të qytetit, dokumentari tentoi të “provokonte” sedrën qytetare për pjesëmarrje në ushtrimin e pushtetit dhe demokracisë në kuptimin e mirëfilltë të këtij termi edhe përmes mekanizmave të tillë si referendumet lokale për përdorimin e buxhetit apo vlerësimin e të zgjedhurve
Sensibilizimi
Ndërkohë që rrëfehej historia e lavdishme e qytetit antik, ulje ngritjet e tij, katastrofat natyrore që e goditën për ta shkatërruar e ringritur nga e para, një vend të rëndësishëm zinte dhe opinioni qytetar mbi problematikën aktuale të qytetit. Ajo gjë ne e konstatojmë të gjithë, betonizimi i Durrësit, ose më mirë pallatomania, siç e quajti një qytetare, është një nga problemet më emergjente të qytetit, pasi në gjithë këto vite nuk është menduar për gjë tjetër, veçse për të ngritur pallate, ndërkohë që hapësirat në shërbim të interesit qytetar kanë ardhur duke u zvogëluar. “Qytet që rron mbi vetveten” u etiketua Durrësi në dokumentar, pasi sa herë gërmohet në këtë qytet nëntoka e tij, vazhdon të nxjerrë objekte e vendbanime antike me vlera të rëndësishme historike e që dokumentojnë dhe njëherë pasurinë e gjerë që fsheh nëntoka e qytetit tonë. Rëndësinë e njohjes dhe ruajtjes së pasurisë nëntokësore si dhe asaj që tashmë është zbuluar e nënvizoi gjatë një interviste edhe ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës,Karsten Jensen, i pranishëm gjatë prezantimit të dokumentarit. “Duhet të përpiqeni ta ruani historinë tuaj. Shqipëria ka një histori shumë të bukur dhe kjo u dëshmua më së miri në dokumentar. Është shumë gjë e mirë që njerëzit të kujtohen për traditat, pasi ato janë pjesë e tyre…… Nëse do ta shikoni historinë nga pikëpamja turistike, turistët që vizitojnë vendin tuaj, nuk vijnë thjesht për të shkuar në plazh, por vijnë sepse kjo pjesë e botës ka një histori për të qenë krenarë. Ajo çka unë kuptova nga ky dokumentar është se shumë nga historia juaj gjendet nën tokë. Aq e rëndësishme sa ngritja e një hoteli të ri është dhe nxjerrja e kësaj historie nga nëntoka”,-tha ambasadori Jensen.
Perspektiva e Durrësit
Nga të gjithë të intervistuarit, një vend të rëndësishëm në dokumentar i kushtohej perspektivës së Durrësit. Gjatë intervistës së tij, kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, që po e qeveris këtë qytet për të dytin mandat rresht, nënvizoi faktin se perspektiva e Durrësit është ajo e një qyteti mesdhetar, me hapësira të gjera. Po ndërkohë realiteti i përditshëm, është ai i një qyteti që noton në ujë sa herë bie shi, është ai i një qyteti ku durrsakët apo pronarët e apartamenteve të ngritura buzë detit nuk gjejnë një shezllon ku të ulen apo një vend ku të lahen, është ai i një qyteti ku në zonën turistike nuk është lënë asnjë hapësirë boshe për të krijuar hapësira të gjelbërta. Një frazë që më mbeti në mendje nga fundi i dokumentarit ishte ajo që thoshte: “Qytetaria barazohet me votën e katër viteve, pastaj qeverisja delegohet”. Pikërisht, atëherë, kur qeverisja delegohet ndodh abuzimi më i madh, pasi qytetari harrohet të përfshihet në vendimmarrje; në vendimet që kanë një sensibilitet të lartë qytetar; në projektet që kërkojnë një pjesëmarrje të gjerë të të gjithë grupeve të interesit. Për këtë arsye, ideja e referendumit popullor për çështje të karakterit lokal ose më gjerë shihet si mënyra më e mirë për ta bërë qytetarin zot të qytetit ose vendit të tij. Të njëjtën ide, që u përmend në dokumentar, e nënvizoi gjatë fjalës së tij ambasadori danez, kur u shpreh se, – “nëse vetë populli ose qytetarët e një qyteti kanë interesa më të gjera sesa interesat e ngushta të investitorëve, duhet të angazhohen. Ashtu siç e shoh unë, nga jashtë, këtë çështje mendoj se këtu interesi individual flet shumë më tepër sesa interesi i gjerë i njerëzve të thjeshtë. Duhet gjetur një ekuilibër mes interesit individual dhe atij të përbashkët, të masës së gjerë të njerëzve, pasi kjo gjë e çon vendin përpara. Ajo çka unë vërej këtu është se interesi i përbashkët është shpërfillur, prandaj mendoj se referendumi është gjë shumë e mirë”. Përzgjedhja e qytetit të Durrësit për këtë dokumentar është e rastësishme, pasi problemi është i gjithë Shqipërisë. Në fjalorin politik të Shqipërisë nuk ekziston ende idioma "buxhetim me pjesëmarrje", një term modern i programit të Sfidës së Mijëvjeçarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, çelës i projekteve të Europës së sotme. Përsa kohë buxheti do të jetë i pushtetarëve e jo i qytetarëve, qytetari i thjeshtë do të “shkundë” votën ditën e votimit, por më pas do të konstatojë me keqardhje se përsa kohë do të vazhdojë një praktikë e tillë vota e tij do të keqadministrohet e keqmenaxhohet në katër vitet e ardhshme.