Ish-ambasadori italian në Shqipëri, Paolo Foresti, në një intervistë për gazetën "Dyrrah" ka nënvizuar faktin se i rëndësishëm për funksionimin e demokracisë në vendin tonë është ndërgjegjësimi i popullsisë për të qenë aktiv në vendimet që vendosin të ardhmen e vendit. "Ne jemi arktitektët e të ardhmes sonë,- thotë Foresti,- pasi një qytetar i mirë ndërton një vend të mirë". Sipas tij, jo gjithmonë faji duhet t'i hidhet politikës, pasi jetojmë në një sistem demokratik, e për këtë arsye zëri i qytetarit duhet të jetë shumë më i pranishëm në vendimmarrje; secili nga ne duhet të tregojë se ka ndërgjegje demokratike, në të kundërt politika mund të përfitojë në sensin negativ. Ndërkohë duke u ndalur tek lidhjet e tij me Shqipërinë, Foresti, që e konsideron vendin tonë atdheun e tij të dytë, shprehet se gjatë këtyre viteve tranzicion vendi ka bërë shumë hapa përpara, ndërkohë që nga ana tjetër edhe emigrantët shqiptarë në Itali janë integruar mjaft mirë në fqinjin tonë të përtej Adriatikut, duke përmirësuar krejtësisht imazhin negativ të fillim viteve '90.
Zoti Foresti, ju keni qenë ambasador i Italisë në periudhën kur vendi ynë po kalonte momente shumë të vështira. Gjithashtu keni lidhje shumë të ngushta me Durrësin. Kur bëni krahasimin me periudhën si ishte dhe si është, çfarë ndryshimesh konstatoni?
Durrësi është një qytet i bukur, ishte atëherë dhe është edhe sot. Gjithsesi në atë kohë kishte shumë gropa nëpër rrugë, nuk mund të ecje lirshëm, pasi ishte e rrezikshme. Pallatet ishin të shkatërruara, porti thuajse nuk ishte. Kishte shumë anije të mbytura. Qyteti po kalonte vështirësi të mëdha, por kishte gjallëri mes njerëzve. Këtu funksiononte teatri, ishte muzeu, njerëzit viheshin në lëvizje, kishte jetë kulturore. Ajo që unë konstatoj sot në Durrës është ndryshimi tek gjërat materiale. Qyteti është zhvilluar, ka dyqane të bukur që më parë nuk ishin, ka shumë drita, shumë restorante e bar, shumë të rinj qeshin, argëtohen. Të njëjtën gjë e sheh edhe në shkolla. Qyteti është bërë tashmë modern, ka bërë shumë progres, porti është shumë funksionues, ka shumë anije që vijnë, që ikin. Në Durrës është ndërtuar shumë, madje shumë më tepër se ç'duhej. Turizmi funksionon, shihet që në Durrës vijnë njerëz, infrastruktura lidhëse është ngritur dhe kjo është e rëndësishme. Durrësi lidhet me rrugët me Tiranën, Shkodrën, tashmë po punohet edhe në drejtim të jugut. Njerëzit i gjej pak a shumë ashtu siç i kam lënë. Në përgjithësi ju jeni njerëz të qeshur, pasi jeni të bekuar nga bukuria e detit, por edhe nga historia e qytetit, pasi është një histori shumë e rëndësishme.
A i ndiqni nga larg zhvillimet politike në Shqipëri dhe çfarë mendimi keni për politikën shqiptare?
Mendimi im për politikën shqiptare është ai që kam edhe për politikën italiane apo atë të çdo populli tjetër.
Duhet të kemi kurajon të themi atë që thoshte Churchill,- "Unë kam njohur shumë sisteme qeverisjeje, por demokracia më duket më e mira ndër to". Politika shërben për të ndërtuar demokracinë. E rëndësishme është që qytetarët të kenë ndërgjegje, pasi nëse qytetarët kanë ndërgjegje demokratike arrijnë ta kthejnë demokracinë në një gjë më të dobishme dhe më pozitive.
Dhe kjo çfarë do të thotë?
Mendoj se politika është e nevojshme, është e domosdoshme, por në të njëjtën kohë është e komplikuar dhe në disa raste pak e pisët. Por duhet të kemi kurajon të themi atë që thoshte Churchill,- "Unë kam njohur shumë sisteme qeverisjeje, por demokracia më duket më e mira ndër to". Politika shërben për të ndërtuar demokracinë. E rëndësishme është që qytetarët të kenë ndërgjegje, pasi nëse qytetarët kanë ndërgjegje demokratike arrijnë ta kthejnë demokracinë në një gjë më të dobishme dhe më pozitive. Nëse qytetarët nuk janë pjesëmarrës në politikë, politika mund të përfitojë në sensin negativ. Për këtë them që jemi ne arkitektët e të tashmes, por edhe të së ardhmes sonë.
Mendoni se është faji i politikës shqiptare që Shqipëria ende nuk ka plotësuar standardet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian?
Nuk besoj se bëhet fjalë për gabime politike, as nga njëra palë e as nga pala tjetër. Sigurisht disa nga përplasjet mes forcave politike janë shumë të forta e kjo mund ta dëmtojë imazhin e vendit; në të vërtetë kjo gjë ka ndodhur në vendin tuaj. Por nuk duhet harruar që në vitet 1991-92, Shqipëria dilte nga një diktaturë e gjatë, që e kishte izoluar veçanërisht nga Europa, aq sa disa besonin se Shqipëria nuk ishte europiane. Për fat të mirë, historia e Shqipërisë tregon se vendi juaj është pjesë e Europës me të drejta të plota. Kanë kaluar pak vite, janë bërë përpjekje të mëdha për të modernizuar vendin, shumë të tjera do të bëhen, prandaj unë mendoj se duhet ta shohim me shpresë të ardhmen. Por njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që një qytetar i mirë, ndërton një vend të mirë. Nuk mund të thuash gjithnjë se është faji i të tjerëve, se është faji i politikës. Këtë gjë e dëgjoj shumë shpesh në Itali. “Ah politika, ah politika, ah njerëzit që ndotin rrugët",- thonë, por ai që thotë kështu, ul xhamin e makinës dhe hedh paketën e cigareve në rrugë. Po përsëris shprehjen që thashë më parë,- “Duhet të jemi ne arkitektët e së ardhmes së vendit tonë”. Secili duhet të fillojë nga vetvetja, sepse pastaj çdo gjë rrjedh vetë natyrshëm.
Italia po kalon tashmë një krizë të vështirë ekonomike. Mendoni se emigrantët shqiptarë do të nisin të kthehen në atdhe?
Mund të them që emigrantët shqiptarë janë pak a shumë si emigrantët italianë, janë shumë të lidhur me atdheun e tyre. Unë njoh shumë prej tyre. Ata kthehen këtu për të kaluar pushimet, për të ndërtuar shtëpitë e tyre. Ndoshta disa prej tyre kthehen për të jetuar dhe për të vdekur në atdheun e tyre. Por në Itali mund të them se janë integruar mjaft mirë. Shqiptarët është e vështirë t'i dallosh. Nganjëherë unë i mësuar tashmë t'i njoh mirë miqtë e mi shqiptarë arrij t'i dalloj nga një theks i lehtë, nga ndonjë lëvizje e vogël. Në Itali e theksoj dhe njëherë janë shumë të integruar, e duan shumë atdheun e tyre, por nuk mendoj se do të kthehen. Do ta bëjnë këtë vetëm për të vizituar vendin e tyre, të afërmit, për të kaluar pushimet. Shumë janë integruar mjaft mirë e kjo dhe për shkak se ekziston një traditë shumë shekullore, më mirë mijëravjeçare e një lidhjeje mjaft të ngushtë mes Italisë e Shqipërisë. Në Itali ne kemi komunitetin arbëresh që vazhdon ende të flasë shqip, kemi Venecian, në të cilën gjatë pushtimit osman shumë shqiptarë u strehuan atje, morën shtetësinë veneciane dhe u bënë drejtues të rëndësishëm. Unë mendoj se kjo lëvizje do të vazhdojë. Unë sot ngurroj t'i quaj shqiptarët emigrantë, pasi shtetasit shqiptarë janë sot në Itali shtetas italianë me etni shqiptare apo me origjinë shqiptare. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh në këtë drejtim. Është tamam si puna ime, që jam shtetas italian, por që kam një shtetësi të dyfishtë, atë shqiptare.
Ju thoni që emigrantët shqiptarë janë integruar mirë në vendin tuaj. Desha të dija përsa i përket anës ligjore, a ka më diferenca mbi mënyrën sesi trajtohet një shtetas italian dhe një emigrant i huaj?
Do të thosha që jo, pasi të drejtat dhe detyrimet janë njësoj për të gjithë, pavarësisht nënshtetësisë. Unë nuk shoh diferenca të mëdha në këtë drejtim. Shqiptarët mund të jenë të zotë e më pak të zotë, mund të jenë të ndershëm apo të pandershëm ashtu si janë italianët, francezët e të gjithë popujt e kësaj bote. Kur thuhet,- "Ah kriminelët shqiptarë kanë bërë këtë apo atë gjë",- unë them se bëhet fjalë për një gabim në informim. Nuk duhet klasifikuar asnjëherë krimineli sipas kombësisë. Duhet klasifikuar në bazë të perversitetit të tij, pandershmërisë apo keqdashjes së tij. Jo mbi bazën e kombësisë. Kriminelë ka nga çdo kombësi ashtu si ka dhe gjeni apo persona për së mbari.
Si ka ndryshuar opinioni i italianëve për emigrantët shqiptarë gjatë këtyre 20 viteve, pasi në vitet e para kishte një imazh mjaft negativ?
Duhet thënë se kur mbërritën emigrantët e parë, në Shqipëri sapo ishte përmbysur regjimi, ishin zbrazur burgjet, kishin ardhur në Itali ish-sigurimsat e për këtë shkak regjistrohej një përqindje e lartë e kriminalitetit shqiptar. Kriminaliteti shqiptar u lidh shumë me atë italian dhe kjo e përkeqësoi edhe më shumë situatën. Por nga atëherë imazhi ka ndryshuar shumë. Nëse shkoni në Bolonja, atje do të gjeni mjekë shqiptarë nëpër universitete, në spitale e po kështu mund të gjeni në Romë, në Gjenovë. Po flas për mjekët, por mund të flas edhe për inxhinierët, veterinerët. Njoh shumë prej tyre e mund të them që janë persona të afirmuar, kanë bërë karrierë dhe respektohen. Ka akoma keqbërës, por ka shumë shqiptarë që nderojnë vendin e tyre dhe që e bëjnë të njohur edhe në Itali.