Kapacitetet portale të Durrësit mund të zgjerohen në veri, duke shfrytëzuar portin e ri që përpunon anijet cisternë. Deputeti Osman Metalla, ish-Kapiten i Përgjithshëm i Porteve, flet për mundësitë e mëdha që hapen me zonën e re industriale, që ka nevojë edhe për infrastrukturë hekurudhore. Mundësia për të rritur kapacitetet turistike të qytetit të Durrësit nëpërmjet rrugëve detare

Si e vlerësoni pozicionimin aktual të portit të Durrësit në raport me portet e tjera rajonale?

Porti i Durrësit është porti më i madh dhe më i rëndësishëm i vendit, por njëkohësisht falë pozicionit të tij mjaft të favorshëm gjeografik është një port, i cili konkurron dhe me portet e tjerë të rajonit. Ndryshimet e reja gjeopolitike që kanë ndodhur, sidomos në rajonin e Ballkanit, janë shoqëruar me efekte pozitive përsa i përket shtrirjes së shërbimeve të këtij porti përtej tregut vendas, duke konkurruar dhe me portet e tjerë të rajonit siç është porti i Selanikut në Greqi apo i Barit në Mal të Zi. Kështu, unë do të përmendja realitetin e ri që kemi sot në Ballkan me krijimin e shtetit të ri të Kosovës, ndërtimin e korridorit të VIII-të, ndërtimin e rrugës së kombit, pra rrugës Durrës-Kukës, përmirësimin e kuadrit ligjor në vend duke bërë që barrierat jofizike të zhduken, të cilat natyrisht që kanë patur ndikimin e tyre negativ në vend, rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në vend, si dhe faktorë të tjerë kanë bërë që porti i Durrësit të jetë një port, i cili të ketë jo vetëm një pozicion të favorshëm, por njëkohësisht të ofrojë të gjithë lehtësirat e të bërit biznes, duke e bërë atë një port me konkurrueshmëri të mirë në rajon.

A i ka resurset e nevojshme perspektive porti i Durrësit për të qenë port mallrash dhe pasagjerësh?

Unë mendoj se porti i Durrësit i ka të gjithë potencialet për të përballuar si përpunimin e anijeve pasagjere ashtu dhe ato të ngarkesave. Aktualisht porti i Durrësit në vetvete ofron një infrastrukturë mjaft moderne, me të gjitha kalatat e rikonstruktuara, pajisje efiçente të përpunimit të ngarkesave, me shërbime përgjithësisht të privatizuara, të cilat i përgjigjen më së miri nevojave aktuale që ka sot tregu, të cilit i shërben ky port. Nëse do të flisnim për transportin e pasagjerëve, aktualisht ka një kalatë tragetesh, ku mund të akostohen në të njëjtën kohë 4-5 tragete (në varësi dhe të kushteve metereologjike) dhe është në përfundim ndërtimi i terminalit të ri të pasagjerëve. Me përfundimin e kësaj ndërtese qytetarët shqiptarë dhe ato të huaj do të kenë një terminal mjaft modern, pse jo dhe më të mirë se sa terminalet e vendeve me të cilat ka lidhje porti i Durrësit, siç është terminali i pasagjerëve në Bari apo Ankona. Përsa i përket përpunimit të mallrave, ky port sigurisht që ka kapacitetet për përballimin e flukseve aktuale. Në këtë port mund të përpunohen të gjitha llojet e ngarkesave me përjashtim të hidrokarbureve, që përpunohen në Romano Port. Është ngritur dhe një terminal konteinerësh, i cili ka përballuar më së miri fluksin e deritanishëm në rritje të konteinerëve që është mënyra më e përhapur e transportimit të ngarkesave në rrugë detare. Gjithsesi duhet theksuar se e ardhmja e portit të Durrësit duhet parë e koordinuar me zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve përpunuese të mallrave në Porto Romano, sidomos të ngarkesave rifuxho (siç janë mineralet, gruri apo çimentoja), të cilat kërkojnë sheshe të mëdha depozitimi, por nga ana tjetër shkaktojnë probleme për qytetin, siç është problemi i ndotjes, zhurmat apo trafiku rrugor për shkak të mjeteve të shumta, që duhet të qarkullojnë për transportin e ngarkesave.

A ka ide apo projekte për ndërtimin e një porti të ri në Durrës?

Aktualisht Porto Romano është përcaktuar si zonë e lirë dhe park industrial, i cili do të zhvillohet në një sipërfaqe të konsiderueshme prej afro 850 ha. Është e kuptueshme që një zonë e tillë ka nevojë për një lidhje të mirë infrastrukturore dhe aktualisht është në përfundim autostrada me katër korsi, që lidh këtë zonë me autostradën Tiranë-Durrës. Njëkohësisht është mjaft e rëndësishme që kjo zonë të ketë lidhjen e saj hekurudhore që është një element mjaft i rëndësishëm për funksionimin e një zone të lirë. Sikurse e thashë dhe pak më lart në këtë intervistë, mendoj se Porto Romano tashmë është konfiguruar si një port dhe fillimisht si një port për përpunimin e anijeve çisternë. Absolutisht, e ardhmja do të diktojë nevojën e zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve portuale në këtë zonë për përpunimin dhe të anijeve që transportojnë minerale, grurë, çimento duke lehtësuar në këtë mënyrë portin e Durrësit, por nga ana tjetër kjo duhet shoqëruar me ndërtimin e kalatave të specializuara për përpunimin e këtyre ngarkesave në këtë zonë, e cila tashmë ka filluar ta marrë konfigurimin e një zone industriale. Zhvillimi i këtyre kapaciteteve në Porto Romano do t’i linte më shumë mundësi portit të Durrësit të ishte një port në shërbim të qytetit, të ishte një port ku të kishim më shumë kroçera dhe anije turistike.

Çfarë perspektive, në aspektin zhvillues, ka sjellë porti i ri "Romano port"?

Porto Romano mendoj se ka çelur të gjitha rrugët për portin e Durrësit që ky port të bëhet më kompetitiv. Në kushtet që është porti i Durrësit sot, porti nuk ka hapësira të mjaftueshme për të rritur kapacitetet e tij përpunuese për faktin se porti është i rrethuar nga qyteti dhe është e kuptueshme që një port pa hapësira të mëdha nuk mund të jetë konkurrues. Në këtë aspekt Porto Romano ofron shumë mundësi, si për zhvillimin e kapaciteteve përpunuese ashtu dhe të kapaciteteve depozituese për vetë hapësirat që ka. Nga ana tjetër infrastruktura mbështetëse e portit është mjaft e mirë dhe me plotësimin e lidhjes hekurudhore me rrjetin hekurudhor kombëtar, Porto Romano ofron dhe plotëson të gjithë kriteret që duhen për të patur një port me efektivitet të lartë, me një performancë konkurruese dhe që mundëson përpunimin e anijeve të një tonazhi shumë më të madh se sa ai që mund të përpunohen sot në portin e Durrësit. Pak ditë më parë në portin e Durrësit u përpunua një anije 50.000 tonëshe duke bërë operacione ndihmëse ngarkimi, pra duke përdorur dy anije më të vogla që marrin ngarkesën në port dhe e kalojnë pastaj tek anija e madhe. Një mënyrë e tillë e përpunimit të ngarkesave natyrisht që ka një kosto mjaft të lartë dhe e bën portin jo shumë konkurrues. Nëse do të kishim një kalatë të tillë në Porto Romano, ku thellësia e portit është më e madhe (sheshet mund të ndërtohen) atëherë do të mundësohej përpunimi i anijeve të tonazhit të tillë apo edhe më të mëdha.

 

Porto Romano është përcaktuar si zonë e lirë dhe park industrial, i cili do të zhvillohet në një sipërfaqe të konsiderueshme prej afro 850 ha. Është në përfundim autostrada me katër korsi, që lidh këtë zonë me autostradën Tiranë-Durrës. Njëkohësisht është mjaft e rëndësishme që kjo zonë të ketë lidhjen e saj hekurudhore që është një element mjaft i rëndësishëm për funksionimin e një zone të lirë…E ardhmja do të diktojë nevojën e zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve portuale në këtë zonë për përpunimin dhe të anijeve që transportojnë minerale, grurë, çimento duke lehtësuar në këtë mënyrë portin e Durrësit, por nga ana tjetër kjo duhet shoqëruar me ndërtimin e kalatave të specializuara për përpunimin e këtyre ngarkesave në këtë zonë, e cila tashmë ka filluar ta marrë konfigurimin e një zone industriale. Zhvillimi i këtyre kapaciteteve në Porto Romano do t’i linte më shumë mundësi portit të Durrësit të ishte një port në shërbim të qytetit, të ishte një port ku të kishim më shumë kroçera dhe anije turistike

Cili është vizioni juaj në lidhje me portin e ri të peshkimit?

Mendoj se porti i ri i peshkimit është një domosdoshmëri madje urgjente. Aktualisht me sa jam i informuar, projekti i portit të peshkimit po i nënshtrohet një proçesi rishikimi dhe përmirësimi e shumë shpejt do të fillojë puna për ndërtimin e këtij porti. Nëse do t’i referohemi situatës së dy javëve më parë, kur në portin e Durrësit, pati probleme nga një fortunal, anijet e peshkimit ishin ato që patën pasojat më të mëdha. Gjithsesi ka patur dhe raste te tjera, kur anijet e peshkimit kanë pësuar dëme madje janë mbytur dhe pa diskutim mendoj se ndërtimi i portit të ri të peshkimit është një urgjencë. Ndërtimi i këtij porti, së pari do të rriste sigurinë navigacionale në port, së dyti do të ulte mundësinë e ndotjeve dhe së treti do të siguronte një infrastrukturë më të mirë mbështetëse për aktivitetin e peshkimit.

A ka ardhur koha që në Durrës të ketë porte jahtesh?

Pavarësisht moratoriumit të skafeve që ne akoma e kemi në fuqi, ne kemi vënë re se edhe verën që kaloi, numri i mjeteve rekreative që kanë ardhur në Durrës këtë vit ka qenë më i madh se sa vitet e tjera. Natyrisht kjo shpjegohet dhe me atë imazh pozitiv që turizmi shqiptar ka ndërtuar vitet e fundit, pasi tashmë Shqipëria është shndërruar në një destinacion të ri të kërkuar turistik. Mirëpo, në të gjitha rastet, jahtet janë akostuar në të njëjtin port apo në të njëjtën kalatë, ku akostohen anijet e ngarkesës. Së pari një kalatë e tillë nuk është e përshtatshme për jahtet, pasi duke filluar nga lartësia mbi nivelin e detit që nuk është e përshtatshme, nuk ofron shërbimet e duhura që kërkon një jaht (duke filluar që nga furnizimi me energji elektrike apo me ujë) si dhe me kushtet e tjera që ofron një port jahtesh apo marine siç quhen rëndom portet e jahteve. Kështu që unë mendoj se ndërtimi i një porti jahtesh tashmë është shndërruar në një domosdoshmëri dhe për mua, një qytet si Durrësi me atraksione arkeologjike, kulturore apo natyrore të pafundme nuk mund të përfytyrohet pa një port jahtesh. Porti i jahteve nuk është një luks, por një element i domosdoshëm i funksionimit të qytetit që në fakt i mungon Durrësit.