Fillimi i këtij viti ka shënuar dhe hyrjen në fuqi të ligjit për njehsimin e nomeklaturës së mallrave, që është identike me nomeklaturën e KE-së. Në një prononcim për gazetën “Dyrrah”drejtori i doganës së Durrësit Jaçe Hysolli ka deklaruar gjithashtu se me vendim të Këshillit të Ministrave është shtyrë dhe për tre muaj amnistia fiskale për subjektet që nuk kanë paguar detyrimet apo nuk kanë plotësuar formularët përkatës, si dhe për pronarët e autoveturave që kanë pasur detyrime ndaj shtetit shqiptar. Më tej Hysolli komentoi edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me import-eksportet e mallrave, kontrabandën etj.
Cilat janë ndryshimet dhe risitë që do të ketë gjatë këtij vitit në doganën e Durrësit përsa i përket procedurave doganore ?
Së pari dua të theksoj se për herë të parë që nga 1 Janari i vitit 2012 nomeklaturat e mallrave që kishim në dispozicion kanë ndryshuar duke u njehsuar me nomeklaturën e mallrave të KE-së. Për një grup artikujsh të ndryshëm dhe për krerë të veçantë që janë parashikuar në nomeklaturën e mallrave është bërë njehsimi me nomeklaturën e mallrave të KE-së. Po kështu mund të konfirmoj se me një vendim të qeverisë shqiptare që ka hyrë në fuqi që në 1 Janar është shtyrë amnistia fiskale për një grup subjektesh që nuk janë paraqitur për të paguar detyrimet doganore dhe që kanë pasur penalitete, kamatëvonesa apo nuk kanë plotësuar formularët përkatës. E njëjta gjë vlen dhe për të gjithë pronarët e autoveturave të cilët nuk kanë paguar detyrimet ndaj shtetit. Siç dihet në vitin 2011 doli dhe ligji që simulon importin e autoveturave duke hequr taksat dhe lënë në fuqi pagesën e TVSH-së.
Duke ju referuar krizës ekonomike botërore, cilat kanë qenë pasojat përsa i përket import-eksportit dhe të ardhurave në doganën e Durrësit?
Mund të them me bindje se nuk ka pasur pasoja as në volumin e mallrave të import-eksportit dhe as në drejtim të të ardhurave. Dega e doganës sonë përpunon mallra të firmave italiane që përfituan nga regjimi i përpunimit aktiv, gjë që do të thotë se ka një rritje të volumit të eksportit të mallrave me destinacion Italinë që është dhe tregu ynë kryesor. Mendoj se tregu shqiptar nuk e ka ndjerë sa vendet e tjera rënien ekonomike.
Nëse do t’i referohesha statistikave 11-mujore rezulton se në vitin 2010 janë importuar 1 milion 917 mijë 410 tonë mallra, në një kohë që në 2011 janë përpunuar 1 milion 972 mijë 717 tonë mallra, ose 113 %. Duke ju referuar eksportit rezulton se në vitin 2010 janë eksportuar 1 milion 163 mijë 637 tonë mallra nga 1 milion 235 mijë 637 tonë që janë eksportuar në vitin 2011, ose 106 %. Përsa i përket kontenierëve rezulton se në vitin 2010 janë përpunuar 65 mijë 414 kontenierë, në një kohë që në vitin 2011 janë përpunuar 73 mijë 675 kontenierë, ose 113 %. Përsa i përket përpunimit të anijeve vihet re një rënie e numrit të anijeve të përpunuar nga 1691 në vitin 2010, në 1377 në vitin 2011, në një kohë që tonazhi mesatar në vitin 2010 llogaritet në 3380 t nga 4088 t në vitin 2011. Duke ju referuar të ardhurave për vitin 2010-2011 si 11-mujor rezulton se në vitin 2010 u planifikuan 48 miliardë 478 milionë lekë dhe u realizuan 48 miliardë 525 milionë 638 mijë lekë. Në vitin 2011 u planifikuan 50 miliardë 489 milionë lekë dhe u realizuan 49 miliardë 867 milionë 277 mijë lekë, me një realizim prej 99%. Duke krahasuar të ardhurat mes vitit 2010 dhe 2011 ka një diferencë prej 1 miliardë 341 milionë 639 mijë lekë, ose 2,7%, duke pasur parasysh faktin se planifikimi për vitin 2011 ishte 12% më i lartë.
Cilat kanë qenë mallrat kryesore që kanë hyrë në doganën e Durrësit gjatë festave dhe si paraqitet situata përsa i përket importit të karburanteve?
Mallrat kryesore që janë lëvruar në doganën e Durrësit kanë qenë cigaret, kafeja, pijet alkoolike dhe veçanërisht karburantet. Vetëm në muajin Dhjetor janë përpunuar 57.550 tonë karburante. Ky është një tregues që në tregun shqiptar janë shtuar konsumatorët dhe është rritur numri i mjeteve, ku tashmë dominojnë mjetet për punë dhe jo ato të luksit.
A mendoni se ka një rritje abuzive të çmimeve të karburanteve në treg?
Mendoj se janë tregjet ndërkombëtare që komandojnë çmimet.
Sa ka qenë vlera e mallrave të bllokuara nga dogana e Durrësit vitin e kaluar?
Sigurisht që ka pasur raste të bllokimit të kontenierëve me mish që tentonin të kalonin kontrabandë apo dhe raste të tjera, por në përgjithësi subjektet kanë zbatuar ligjet dhe rregullat.
Pse nuk e përmendët rastin e bllokimit të boteve me karburant në Romano Port ku pati dhe arrestime dhe të agjentëve doganorë?
Mendoj se në këtë rast rezultoi se kishim të bënim me shkelje të procedurave doganore dhe jo kontrabandë.
A do të thotë kjo se ato që u ndaluan nga policia janë rikthyer në vendet e tyre të punës?
Po, kështu ka ndodhur.
1.972.717 tonë mallra janë përpunuar në Doganën e Durrësit në vitin 2011. Në vitin 2010 kjo shifër ishte 1.917.410 tonë mallra, duke shënuar një rritje prej 113 %, shifër kjo e llogaritur vetëm për 11 muajt e parë të vitit 2011
106 për qind janë rritur eksportet gjatë vitit të fundit nëpërmjet Portit të Durrësit. Në vitin 2010 janë eksportuar 1 milion 163 mijë 637 tonë mallra nga 1 milion 235 mijë 637 tonë që janë eksportuar në vitin 2011
73.675 kontenierë janë përpunuar në Doganën e Durrësit në vitin 2011. Në vitin 2010 kjo shifër ishte 65. 414 kontenierë, duke shënuar një rritje prej 113 %, shifër kjo e llogaritur vetëm për 11 muajt e parë të vitit 2011
1377 anije janë përpunuar në vitin 2011 në Portin e Durrësit, shifër kjo që shënon rënie në krahasim me 1691 anije të përpunuara në 2010. Tonazhi mesatar në 2010 llogaritet në 3380 t nga 4088 t në vitin 2011
49.867 milionë lekë u planifikuan të arkëtoheshin në vitin 2011, ndërsa u planifikuan 50.489 milionë, me një realizim prej 99%. Në vitin 2010 u planifikuan 48.478 milionë lekë dhe u realizuan 48.525 milionë lekë