Nga 1 janari 2012 duhet të kishte filluar procesi i pasurimit të bukës me vitamina që luftojnë aneminë. Rezart Kthupi: Mungesa e iniciativës ligjore nga MSH shtyn procesin e fortifikimit të miellit. Frika nga cilësia e bukës, vetëm një legjendë urbane. Çfarë po ndodh me standardet e produkteve ushqimore?
Fabrikat e miellit do të hidhnin në treg vetëm miell të pasuruar me vitamina me qëllim uljen e shifrave të anemisë duke filluar nga 1 janari 2012. Ishte ky vendimi i rëndësishëm i autoriteteve shqiptare, i bërë publik rreth një muaj më parë. Ndryshe nga sa pritej që në fillim të këtij viti, situata do të vazhdojë të jetë e pandryshueshme. Mungesa e një iniciative ligjore nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë drejtim ka bërë që ky proces të mos realizohet me fillimin e këtij viti, siç ishte parashikuar, por të shtyhet në një kohë tjetër. Në fakt ka qenë pikërisht Ministria e Shëndetësisë dhe OBSH që kanë kërkuar fillimisht pasurimin e miellit me vitamina për shkak se 30% e popullsisë vuan nga anemia. Në lidhje me këtë situatë por dhe për probleme të tjera që kanë të bëjnë me kontrollin ushqimor është prononcuar për gazetën “Dyrrah” drejtori i Drejtorisë së Vlerësimit dhe Komunikimit të Riskut në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Rezart Kthupi.
Z. Kthupi, a ka nisur këtë vit, ashtu siç ishte paralajmëruar, fortifikimi i miellit me vitamina?
Nuk ka nisur për një arsye të thjeshtë: i takon Ministrisë së Shëndetësisë nisma ligjore për të realizuar një proces të tillë i cili konsiston në pasurimin e miellit me vitamina, në kushtet kur 30% e popullsisë vuan nga anemia. Vetëm pasi ligji të miratohet në Parlament, atëherë në të gjitha fabrikat e bukës në Shqipëri do të fillojë fortifikimi i miellit. Për të sqaruar qytetarët, fortifikimi i miellit nuk është një proces që ka të bëjë me cilësinë e bukës që prodhohet, por thjesht me shtimin e vitaminave, të cilat ju shërbejnë veçanërisht atyre që kanë probleme me aneminë.
OBSH-ja ka shprehur shqetësimin për nivelin e lartë të anemisë në Shqipëri, a nuk është paradoks mosfillimi i procesit të fortifikimit të miellit?
E ritheksoj se është detyrë e Ministrisë së Shëndetësisë që të përgatisë ligjin përkatës dhe vetëm pas miratimit të këtij ligji ne si institucion i Autoritetit të Kontrollit Ushqimor kemi kompetencën për të kontrolluar në të gjitha furrat e vendit sasinë e vitaminave që duhet të hidhen në miell. Bëhet fjalë për miell, të cilit do t`i shtohet acid folik, zink, vitaminë B6 e B12 etj.
A është anemia një problem tipik shqiptar?
Jo. Edhe në vende të tjera ka probleme të kësaj natyre, por nuk është vetëm fortifikimi i miellit mënyra për t’i dhënë vitamina popullsisë pasi ka dhe shumë mënyra të tjera. Një nga këto mënyra është dhe dhënia direkte e vitaminave për popullsinë, por ky proces është më i kushtueshëm.
Njerëzit ndonjëherë flasim për mungesë të cilësisë së bukës, veçanërisht asaj të zezë. Cili do të ishte reagimi juaj si përfaqësues i AKSH-së?
Mund të them se janë veçse legjenda urbane dhe asgjë tjetër. Mielli në Shqipëri është i kontrolluar në mënyrën më rigoroze dhe cilësia e tij është e padiskutueshme. Mielli që përdoret në fabrikat tona të blojes është totalisht i pastër. Miellit në Shqipëri bukëpjekësit i shtojnë vetëm maja dhe asgjë tjetër. Ndryshe p.sh. nga Kosova, ku bukës i shtohen për vetë teknologjinë që ata kanë dhe ngjyrues, në Shqipëri e vetmja gjë që i shtohet është majaja. Përsa i përket bukës së zezë rreth të cilës shtohen dhe legjendat, ndryshimi i ngjyrës së saj nuk vjen nga përdorimi i ngjyruesve, por për faktin se buka e zezë ka hime, ose rreze me të gjerë se buka e bardhë.
Është folur për aplikimin e masës për shitjen e bukës së zezë vetëm të mbështjellë me letër të zakonshme dhe jo plastike. A ka nisur të funksionojë ky proces?
Sigurisht që ka nisur të funksionojë, por nuk mund të them se funksionon në të gjithë furrat e bukës. Duhet sqaruar se kjo masë nuk ka të bëjë me faktin që përdorimi i qeses ndikon te cilësia e bukës, pasi nuk ka asnjë lloj ndikimi. Çështja ka të bëjë me faktin se gjithnjë dhe më tepër është i rekomandueshëm mospërdorimi i shpeshtë i materialeve plastike të cilat ndotin ambientin dhe kanë probleme riciklimi.
Si e monitoron AKU-ja situatën përsa i përket cilësisë së ushqimeve?
Mendoj se AKU-ja tashmë ka në monitorim të plotë situatën përsa i përket standardeve ushqimore. Aktualisht kemi bërë kategorizimin në bazë të riskut dhe kemi ushtruar kontrolle në të gjithë bizneset ushqimore në shkallë vendi. Kemi arritur ta monitorojmë gradualisht tregun ushqimor duke i lidhur inspektorët me tregun ushqimor, kemi monitoruar sektorin veterinar dhe fitosanitar, në një kohë që tashmë kemi një historik dhe gjeografi të bizneseve në kuadër të standardeve ushqimore. Aktualisht po përdoren standardet bashkëkohore të kontrollit pasi një nga objektivat kryesore është arritja e standardeve të BE-së.
Duke ju referuar standardeve të BE-së, sa arrijnë produktet shqiptare të çajnë tregun e huaj, duke ju referuar dhe standardeve ushqimore?
Unë po i referohem sektorit të peshkimit, me të cilin është lidhur dhe qyteti im i Durrësit. Një pjesë e konsiderueshme e peshkut cilësor shkon në tregjet e huaj pasi merr dhe OK nga institucionet tona dhe të huaja. Durrësi në këtë volum zë rreth 25-30 % të tregut pasi pjesa tjetër i takon zonës Lezhë-Shkodër. Me përjashtim të midhjeve, të gjitha llojet e peshqve eksportohen në tregjet e huaja, kryesisht në Itali. Përsa i përket midhjes, kohët e fundit ka ardhur dhe një grup inspektimi nga FVO, i cili pa procedurat e përpunimit dhe monitoroi situatën aktuale. Mund të them se deri tani eksporti i këtij produkti është i ndaluar, por ndoshta së shpejti mund të çelet drita jeshile. Natyrisht që ka dhe shumë produkte të tjera ushqimore që eksportohen në vende të tjera, por mendoj se dhe roli i Ministrisë së Bujqësisë, AKU-së dhe institucioneve të tjera ka qenë nxitës në këtë drejtim. E ritheksoj se në BE mund të hyjmë vetëm me standarde.
Si paraqitet situata përsa i përket standardeve ushqimore në një zonë turistike si Durrësi?
Sigurisht që Durrësit i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë veçanërisht gjatë sezonit turistik ku janë kontrolluar pothuajse të gjitha subjektet ushqimore, ku janë marrë dhe masat përkatëse ndaj atyre që nuk kishin plotësuar standardet.
A ju shqetëson fakti se ka pasur raste helmimesh nga ushqimet apo dhe problem të tjera të kësaj natyre?
E ritheksoj se ne kemi kontrolluar të gjitha bizneset dhe kemi marrë masat përkatëse kur janë vënë re probleme që kanë të bëjnë me standardet ushqimore, por natyrisht ka dhe persona të papërgjegjshëm që mund të kenë përdorur ushqime të ndenjura në mjediset e tyre. Këtu ka përgjegjësi individuale dhe ndaj këtyre rasteve janë marrë masat përkatëse. Gjithsesi mund të them me krenari se si rrjedhojë e kontrolleve të zhvilluara dhe masave të marra kemi një standard të ri në mënyrën e monitorimit të tregut përsa i përket standardeve ushqimore.
Anemia, vuajnë 30% e shqiptarëve
Sipas një studimi të ISHP-së, për shkak të kequshqyerjes 19% e fëmijëve nën 5 vjeç, rezultojnë me prapambetje në rritje, gjatësi, mbipeshë e probleme të tjera. Ndërkohë shifrat janë alarmante porsa i përket shtrirjes së kësaj sëmundjeje te shqiptarët. Rreth 30% e popullsisë rezultojnë të jenë të prekur për shkak të kequshqyerjes, pjesa më e madhe e të cilëve femra. Është përllogaritur se në Shqipëri konsumi i miellit është 360 gramë në ditë për person dhe se shtimi i mikro-substancave ka një kosto më të ulët se sa marrja e këtyre vitaminave më vete. Për këtë arsye në fillim të dhjetorit të kaluar autoritetet shqiptare bënë të ditur se duke nisur nga fillimi i vitit 2012, fabrikat e miellit do të hedhin në treg vetëm miell, të cilit do t`i shtojnë acid folik, zink, vitaminë B6 dhe B12. Kjo është një kërkesë e Ministrisë se Shëndetësisë dhe OBSH-së me qëllim uljen e shifrave të anemisë.
– 30% e popullsisë ka probleme të anemisë
– 19% e femrave, rezultojnë të jenë anemike
– 5% e meshkujve preken nga anemia
– 16% e femrave kanë anemi të lehtë
– 3% kanë anemi të mesme
– 23% janë të prekura femrat e moshës 40-49 vjeç
– 18% janë të prekura femrat e moshës 15-19 vjeç
– 11% e femijëve janë lehtësisht anemikë
– 6% e fëmijëve janë mesatarisht anemikë