E kështu arriti edhe 2012, viti që sipas histerisë kolektive krijuar nga Hollywood dhe nga filozofia mistike “New Age” me matricë amerikane do të shënojë fundin e botës. Falë Zotit, edhe pse janë një popull shumë supersticioz, shqiptarët nuk kanë rënë në kurthin e alarmizmit idiot që, përkundrazi, ka terrorizuar SHBA dhe – duke folur për Ballkanin – popujt e Ish Jugosllavisë, të cilët prej tre vjetësh shqetësohen më shumë për asteroidë hipotetikë sesa për pasigurinë ekonomike dhe për rrogat e tyre qesharake. Për fat të mirë, tepër të zënë për t'u mbrojtur kundër syrit të keq vendor, duke varur hudhër tek dera dhe duke ngulur dordolecë mbi çatitë e shtëpive të reja, shqiptarët kanë mbetur indiferentë ndaj katastrofave të parashikuara nga popujt amerikano-jugorë të cilët praktikonin sakrificat humane në shkallë industriale: për shembull, në 1486, për t'i shuguruar një tempull perëndisë së tyre Huitzilopochtli, aztekët shqyen katërsh plot 70.000 njerëz gjatë një ceremonie që zgjati për ditë me radhë. Nëse niveli i nocioneve të tyre astronomike ishte i njëjtë me atë të respektit të tyre për jetën njerëzore, besoj se këtë vit mbi planetin tonë s'do të bjerë asgjë. Madje, shpresojmë që nga kjo botë të mos zhduket diçka, dhe domethënë kursimet tona bankare!

Gjatë 2012, Shqipëria do të jetë e angazhuar të përballojë një tjetër mit: celebrimin e njëqind vjetorit të pavarësisë së saj. Do të kemi shumë raste të flasim e të riflasim për këtë temë, por për momentin urojmë që, përveç impaktit simbolik dhe emotiv – me krijimin e miteve nacionaliste të reja apo konsolidimin e atyre të vjetra – ngjarja historike të jetë okazioni për të bërë një bilanc mbi evolucionin e kombit shqiptar. Do të duhet të pyesim përse lindja e Shqipërisë ka qenë kaq e mundimshme dhe përse, në harkun e këtyre njëqind viteve fatale, janë alternuar të gjitha format e mundshme të qeverisjes – nga ajo provizore e Ismail Qemalit tek principata e huaj e Wilhelm zu Wied, nga protektorati italian tek republika, nga monarkia tek pushtimi italian, nga modeli komunist më fanatik tek “demokracia” më kaotike e autoritare në të njëjtën kohë. Historianët shqiptarë e të huaj do të jenë të ftuar për të dhënë përgjigje që shpresojmë të jenë më në fund intelektualisht të ndershme, dhe jo të kushtëzuara nga ideologji dhe partizanizëm, simpati dhe antipati, por sidomos nga interesa gjeopolitike të qarta, siç fatkeqësisht ka ndodhur në njëzet vitet e fundit.

Të shkojë si të shkojë, ky vit “mitik” ka nisur pa u ndier qoftë në Shqipëri qoftë në pjesën tjetër të botës, sigurisht me më pak entuziazëm, më pak shpenzime dhe më pak marrëzi në krahasim me vitet e shkuara. Viti 2011 u mbyll nën krizën më të keqe ekonomike të tetëdhjetë viteve të fundit dhe me pasigurinë totale mbi të ardhmen e sistemeve financiare perëndimore, duke bërë të dridhen vetë themelet e Bashkimit Europian. (Me këtë rast, ndokush mund të më shpjegojë se përse Shqipëria lakmon akoma anëtarësimin në BE?). Për momentin nuk është e qartë se sa dhe kur edhe Shqipëria do të ndiejë recesionin që po mbyt sferën perëndimore, por dallohen sinjale gjithmonë e më të dukshme.

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali – kursimet e të cilëve luajnë akoma një rol mjaft të rëndësishëm në GDP shqiptar – sjellin lajme depresivë. Ata që banojnë në Milano tregojnë se shumë familje shqiptare, edhe pse kanë të paktën një anëtar të punësuar, kanë nevojë për të përfituar nga ndihmat ushqimore të Caritasit dhe të kishave të lagjeve: janë skena që ishin parë vetëm gjatë valëve të emigracionit shqiptar të 1991 dhe 1997, skena që mendoheshin të kapërcyera në një Europë që vazhdon të premtojë mirëqenie dhe integrim deri edhe për imigrantët afrikanë… Të njëjtit shqiptarë të Italisë – shumë prej të cilëve kanë hapur aktivitete private në sektorin e ndërtimit apo të tregtisë – ankohen për fitime zero, deri atje sa disa kanë mbyllur, duke kërkuar një punë me pagesë apo duke menduar për kthimin në Shqipëri.

Përballë varfërisë dhe skarcitetit të ndriçimit festiv të Durrësit, emigrantët në Itali nuk kanë mbetur shumë të habitur. Nga njëra anë tregojnë se, për shkak të krizës, edhe në Itali ka patur një zvogëlim drastik të ndriçimit për Krishtlindje, sidomos në periferitë urbane: shkëlqimi i dritave festive është mbajtur vetëm në qendrat e qyteteve, për çështje dinjiteti të jashtëm dhe ndoshta për të vulosur përfundimisht humnerën që ndan shtresat e ndryshme sociale në Europën e mijëvjeçarit të tretë. Nga ana tjetër, emigrantët durrsakë në Itali gjykojnë se qyteti ynë, duke qenë i njohur si “indiferent”, ka merituar kursimin bashkiak mbi zbukurimet dhe koncertet e Vitit të Ri. Edhe me rastin e festave, Durrësi dhe Tirana janë sjellur si një qytet i madh i vetëm, me qendrën e tij të stolisur me madhështi (Tirana) dhe me periferinë e tij të shtrënguar të kursejë dhe të mbajë tone të ulta (Durrësi), për faktin e thjeshtë se banorët e periferive kanë më pak ekzigjenca estetike, nuk dalin natën, nuk kërkojnë argëtime në “lagjen” e tyre dhe prandaj janë të parët që vuajnë shkurtimet në shpenzimet publike.

Gjatë 2012, Shqipëria do të jetë e angazhuar të përballojë një tjetër mit: celebrimin e njëqind vjetorit të pavarësisë së saj. Do të kemi shumë raste të flasim e të riflasim për këtë temë, por për momentin urojmë që, përveç impaktit simbolik dhe emotiv – me krijimin e miteve nacionaliste të reja apo konsolidimin e atyre të vjetra – ngjarja historike të jetë okazioni për të bërë një bilanc mbi evolucionin e kombit shqiptar.

 Ushqim, televizor dhe kërcim, qetësues socialë gjithmonë efikasë?

 Në fakt, këto festa të fund vitit kanë treguar edhe një herë që sjellja sociale e Durrësit është më shumë e ngjashme me atë të qyteteve provinciale sesa me atë të kryeqytetit. Në Tiranë është tashmë i përhapur zakoni për të festuar Vitin e Ri duke darkuar në restorant, shpesh në shoqërinë e miqve në vend të familjarëve, dhe jo rastësisht shumë emigrantë durrsakë – sidomos ata që jetojnë në qytete të mëdha europiane – kanë preferuar të kalojnë darkën në lokalet e kryeqytetit dhe jo në qytetin e lindjes.

Përkundrazi, shumica e banorëve të Durrësit ka festuar Vitin e Ri në mënyrën tradicionale komuniste, pra në shtëpi, me një racion ushqimi jo të zakonshëm dhe me shoqërinë e pashmangshme të televizorit. Reziston akoma modeli i trashëguar nga epoka enveriste, kur ndalimi i festave fetare – ato që në të gjithë botën festohen me familjen – kishte transformuar Vitin e Ri në festën e vetme dhe bashkuese të të gjithë shqiptarëve, duke i dhënë karakteristikat e festimeve fetare, pra edhe detyrimin për të kaluar “ditën e shenjtë” me familjen. Për më tepër, darka në shtëpi lejon shmangien e shpenzimeve të kripura në restorante – siç ndodh për Vitin e Ri perëndimor (dhe tiranas) – ndërsa ushqimi e televizori konfirmohen si protagonistë të mbrëmjes dhe kryejnë një rol themelor si “qetësues social”. Rosto dhe skeç, pula deti dhe këngëtarë, qofte dhe balerina: pjata plot me mish dhe imazhe të gjalla në ekran ndihmojnë njerëzit të harrojnë, të paktën për një natë, varfërinë, shqetësimet, pasigurinë ekzistenciale, apo thjesht mërzinë e një jete monotone. 

Më të rinjtë, pastaj, kanë shfrytëzuar një tjetër qetësues social të fuqishëm: vallëzimin. Të vallëzosh në ritmin e muzikës me volum të lartë është e vetmja mënyrë për të festuar natën e Vitit të Ri. Zgjedhja është e detyruar: të qëndrohet në shtëpi ose të shkohet për të vallëzuar. Nuk ka alternativa, ka vetëm një formë argëtimi masiv. Dhe ky është një tregues që të çon në reflektim. Mbi të gjitha pyetet se si është e mundur që një popull i tërë, i përbërë nga miliona njerëz, dëfrehet me të njëjtën mënyrë dhe dëshiron të bëjë ekzaktësisht të njëjtën gjë. Ku është vullneti i lirë? Ku janë preferencat e individëve të veçantë? Ku janë delet që dalin nga tufa? Mungojnë, sepse këtu tradita ka një fuqi të madhe homogjenizimi social dhe për këtë “vallja e Vitit të Ri” është konsideruar një lloj “rituali i shenjtë” të cilin të gjithë duhet t’a festojnë.

Në përgjithësi, në “shoqëritë e tipit tradicional”, vallja përfaqëson një sistem shprehjesh simbolike të pranuara nga të gjithë anëtarët e komunitetit: akti i vallëzimit është një mënyrë për të komunikuar dhe për të zyrtarizuar ngjarjet kryesore të jetës individuale e sociale. Fuqia komunikuese e vallëzimit, që bën të mundur manifestimin e një game të gjerë emocionesh humane ishte dalluar shumë më parë tek popujt primitivë, të cilët nëpërmjet valles shprehnin me mimikë gjendjet emocionale individuale apo ato të tërë grupit. Në fakt, kur qenia njerëzore nuk kishte përpunuar një gjuhë verbale mjaft të rafinuar për të shprehur çdo gjendje shpirtërore, ajo i’a besonte komunikimin e vet xhesteve dhe lëvizjeve të trupit. Vallja qe bërë kështu mjeti më i thjeshtë, më direkt dhe natyral për komunikimin midis individëve. Për më tepër, kësaj gjuhe trupore i jepeshin detyra të rëndësishme: qetësimi i fenomeneve natyrore, ruajtja e komunitetit nga forcat e së keqes, sigurimi i të mbjellave, sjellja e pjellshmërisë martesave. Për këtë vallëzimi mori formën e ritit, duke u bërë kështu një detyrim social për tërë komunitetin. Dhe është pikërisht fenomeni që vërehet në jetën sociale shqiptare, ku vallëzimi kolektiv merr një vlerë tepër të madhe në të gjithë “momentet e kalimit” vendimtare – nga martesat tek ditëlindjet tek Viti i Ri.

Jo rastësisht, fuqia e këtij qetësuesi social të fortë ka qenë zbuluar në vitet Dyzet, kur lindi “valleterapia”, një metodë ndihme psikologjike për individë të cilët nuk ishin në gjendje të shpreheshin nëpërmjet fjalës, për shembull veteranë lufte amerikanë me psikoza apo probleme të personalitetit. Nga atëherë përdoret “valleterapia” për të kuruar patologjitë në të cilat aftësia verbale rezulton e pamundur ose e kufizuar: vallëzimi është në fakt instrumenti për të simbolizuar emocione dhe përmbajtje psikike të pashprehshme ndryshe. Ndoshta, e plagosur nga një histori politike veçanërisht fatkeqe, nga trauma ciklike e valëve të emigracionit masiv dhe nga një standart jetese që qëndron shumë i ulët, shoqëria shqiptare nuk arrin të ulërijë dhimbjen e saj, duke u strehuar përkundrazi tek “valleterapia”.

Gjynah që cocktail i qetësuesve socialë të Vitit të Ri nuk funksionoi për të gjithë. Ushqimi, televizori dhe vallëzimi nuk kanë shëruar depresionin e Ardian Klosit, intelektualit të nivelit të lartë, idetë politike të të cilit mund të pranohen apo jo, por që duhet t’i njihet padyshim merita e përhapjes së dokumenteve të çmuara mbi historinë mesjetare të Shqipërisë dhe mbajtja gjithmonë e pozicioneve kritike kurajoze. “Kush rrit dijen e tij, shton dhimbjen e tij”, paralajmëron Bibla. Por si është e mundur që e vetmja rrugëdalje për atë që don të dalë nga tufa është vetëvrasja? Apo në rastet më të mira mërgimi? Shoqëria jonë nuk ofron me të vërtetë alternativa të tjera?