Kjo është edhe ndeshja e parë e një klubi shqiptar jashtë vendit
Është rasti të evidentojmë një moment unikal, jo vetëm në historinë e futbollit durrsak por edhe në atë kombëtar. Zotërojmë një dorëshkrim historik të veteranit të nderuar të futbollit durrsak, intelektualit dhe eruditit të njohur Mikel Nushi. Klubi i futbollit Teuta dhe opinioni sportiv dhe qytetar i Durrësit, ka të drejtën e ligjshme të mburret me këtë fakt. Do të ishte në nderin e qytetit tonë të përkujtonim këtë ngjarje, që lartëson jo vetëm kujtimin e atij brezi që filloi të bëj historinë efutbollit durrsak, por edhe për të evidentuar publikisht se Durrësi është i pari qytet që krijoi lidhje dhe luajti me ekipe të huaja jashtë kufijve të Shqipërisë. Edhe më tej do të hulumtojmë në atë që quhet historia dhe origjinaliteti i futbollit durrsak. Konkurenca në këtë fushë sa vjen e bëhet më emprehtë, madje në ndonjë qytet edhe e pandershme dhe spekulative. Rinia durrsake dhe familje të njohura tregtare, ishin të lidhura me Italinë për shkak të studimeve në shkollat e lartë të këtij shteti, por edhe për të zhvilluar tregtinë. Është meritë e këtij brezi që ngriti themelin e futbollit durrsak, mbi bazën e ndihmave financiare vetjake. Në këtë sfond shkëlqen emri i Anastaj Koxhaj, i cili është trajneri i parë i Durrësit, por edhe nga nismëtarët e financimit mbi baza vullnetare të futbollit të këtij qyteti me shumë vlera dhe merita në sportin e topkëmbës. Gazeta Dyrrah, do të shtrijë përpjekjet esaj serioze në trajtimin e këtyre figurave qendrore të historisë së Durrësit në futboll, duke hedhur poshtë obsjone të pamotivuara. Sipas përkrahësve të tyre Durrësi, e zhvillon futbollin e tij në mesine viteve 20-të, të shekullit të kaluar dhe jo më herët duke e vendosur atë në një linjë me futbollin fierak, lushnjar, vlonjat, kavajas etj. etj. Tendencat për të spostuar rolin aktiv të futbollit durrsak në rrafshin e zhvillimit të futbollit shqiptar, janë nisur nga gjykime të ngushta provinciale. Kjo me qëllimin e vetëm për të rritur dukshëm hera herës, vlerat edhe të pamerituara të futbollit shkodran dhe atij tiranas. Edhe logjika më elementare është në favor të tezës, se Durrësi tenton të organizojë futbollin e tij diku para fillimit të viteve 20-të. Ka një dëshmi të veteranit Mikel Nushi në këtë drejtim, që do ta bëjmë publike në numrat e ardhshëm. Është shumë kuptimplote dhe që pengon dukshëm fitimin e terrenit të këtyre kufizimeve historike, në dëm të traditës së futbollit durrsak, se topkëmba është njohur vonë në Durrës. Dhe fakti që del në dritë në këtë numur të sotëm të gazetës Dyrrah, mbi ndeshjen e parë ndërkombëtare të KS Durrësit është konfirmimi më i plotë i asaj që në Durrës futbolli është i organizuar shumë më herët se çfarë shkruhet nga të tjerët. Në se do të ishte kështu, si mund të ekzistonte mundësia që të organizohej një ekip dhe të luante jashtë kufijve të Shqipërisë, siç ndodhi me Sportklub Durrësin? A mundet të dalë ndokush që të evidentojë dukuri të tilla si kjo e tanishmja, ku një klub analog shqiptar të ketë zhvilluar qoftë edhe një takim ndërkombëtar jashtë kufijve? Absolutisht që jo, pasi do të dihej prej kohësh se ekziston një praktikëe tillë. Mbi këtë rrafsh, dalja në dritë e këtij fakti shton avantazhin historik të futbollit durrsak në raport me të tjerët. Sportëdashësit durrsakë dhe opinioni i gjërë qytetar i Durrësit, kanë të drejtën legjitime deri në përmasat e krenarisë ta çmojnë si ngjarje tejet të rëndësishme dhe t’i bëjnë jehonën që meriton. Ekipin e Sportklub Durrësi e kanë shoqëruar edhe 23 tifozë, që shoqata e tifozëve të tanishëm të Teutës duhet t’i trajtojë jo vetëm si mburrje të saj, por edhe si krijim historik të zanafillës të organizimeve në nivele të tilla.