Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit Feim Alliu, me vizion të qartë për perspektivën e zhvillimit të sportit të ujit tek ne, është lidhur me disa specialistë të shquar të notit. Një ndër ta është edhe italiani nga Milano, 42 vjeçari Eros Pavon. Klea Bardhi është një vogëlushe nga Laçi, që jeton prej vitesh në Milano. Sipas Feim Alliut, Bardhi është absolute në garimet në kuadrin e veprimtarive kombëtare në Shqipëri, duke zotëruar shumicën e rekordeve. Dhe kjo laçiane është marrë në dorëzim nga Pavon, i cili ndjek me vëmëndje ecurinë e saj. Prindërit Gjergj Ngresi, Eduard Berdaku dhe Barush Mujali, u ndalën gjatë me Pavon kur ai u ndodh në Tiranë dhe iu lutën që t’i shikonte fëmijët e tyre notarë. Italiani i ujit, një dashamirës i notit shqiptar, i etur për të mbështetur talentet e spikatura të këtij sporti në Shqipëri, pranoi të testonte Aleksandër Ngresin, Frenc Berdakun dhe Ron Mujalin.
Me notin durrsak, po ndodh një dukuri pikante që vlen të ndalemi kësisoj. Dëshira e madhe e një grupi notarësh, të nxitur fuqimisht nga prindërit e tyre, po realizon ndoshta praktikën më të pazakontë të këtij sporti. Durrësi është qyteti ku u krijua për herë të parë në vitin 1929 Shoqata Kombëtare e Notit. Kampionatet kombëtare të notit të organizuara në Durrës, si në vitet 30-të ashtu edhe në vitet 50-të, janë kthyer në festa dhe manifestime të tifozërisë vendase.Veçanërisht kur Teuta dhe Lokomotiva fitonin trofe, jo pak njerëz hidheshin në basenin e portit me gjithë tesha në det. Tani për fat, noti po zgjerohet shumë masivisht dhe pritshmëria cilësore është e ndjeshme. Dukuria që do të trajtojmë më poshtë, është sa pikante aq edhe origjinale. Me kujdesin e presidentit të FSHN-së Feim Alliu, me 3 nëntor erdhi në Shqipëri specialisti i njohur italian i notit Eros Pavon. Ndoqi disa gara kombëtare, të zhvilluara tek pishina Stela në Tiranë. Por këtu zë fill edhe angazhimi i tij me tre notarët 12 vjeçarë të Teutës
Ngresi dallohet për trup të lidhur dhe veçanërisht shtatgjatësia e tij është 1.70 m. Parametrat janë për një notar shumë cilësor dhe një befasi për notin shqiptar. Në një stad të tillë mendohet edhe për Frenc Berdakun dhe Ron Mujalin. Eros Pavon zhvillon dy seanca stërvitore, me tre notarët 12 vjeçarë të Teutës. Të parën me 3 nëntor në pishinën Global dhe të dytën me 4 nëntor tek Stela. Pavon u befasua jo vetëm nga ana formale, që ka të bëjë me interesimin e jashtëzakonshëm të prindërve të notarëve, por edhe me performancën e të vegjëlve të notit. Natyrisht në Itali e gjetkë, noti fillon që kur lindin fëmijët, duke u stërvitur në kushte në miniaturë që në moshën 1 vjeçare. As që mund të mendohet që tani për tani, kjo dukuri të zhvillohet edhe në Shqipëri.
Por Gjergji Ngresi dhe Edmond Berdaku, po bëjnë çmos të ndërtojnë një tjetër praktikë: atë të punës me asistencë ndërkombëtare të zhvillimit fizik dhe teknik të fëmijve të tyre notarë. Po tentohen mbase për herë të parë, me një “inat” pozitiv që të provokohet nga performancat më spektakolare, të prezantimit të notarëve durrsakë në raporte ndërkombëtare. Dhe ky inat po shoqërohet me investime financiare të vetë prindërve, të cilat janë të gatshëm para sfidës cilësore të mos ndalen ndaj çdo sakrifice. “Duam të dimë, shpjegon Gjergj Ngresi, se deri ku mund të shkojnë fëmijët tanë, kur i krijohen të gjitha kushtet. Dhe në këtë mes afrimi pranë nesh i specialistit italian Eros Pavon, është nga çelësat që mund të na çojnë drejt suksesit. Është fat që edhe notarët janë të gatshëm t’i përgjigjen kësaj sfide, me orë të tëra në stërvitje duke vënë bast me veten, për të ulur sa të jetë e mundur kohët në të gjitha garat e notimit.
Pavon pas stërvitjes në Shqipëri, nuk heziton të shprehë habinë për cilësitë e tre notarëve durrsakë. “Unë nuk ju premtoj mrekullinë dhe as t’ju gënjej se janë kampionët e ardhshëm të botës. Por këta tre djem kanë talent dhe po të punohet me ta, janë të gatshëm të ofrojnë surpriza ta padëgjuara më parë në notin e vendit tuaj. Unë ju jap fjalën se do t’i trajtoj si notarët italiane, sepse fëmijët e mi i kam fare të vegjël. Notimet e tyre janë të barabarta me gjendjen e bashkëmoshatarëve të tyre në Itali. ”. Kështu deklaroi me 4 nëntor Pavon, duke bërë një marrëveshje me Gjergj Ngresin dhe Edmond Berdakun, që përpiquni që këto fëmijë t’i kem shumë shpejt në Itali për një testim tjetër stërvitor.
… të vazhduar në Korronado të Milanos
Feim Alliu e gatiti sërish takimin e dytë të Pavon, me tre notarët e vegjël të Teutës: Aleksandër Ngresin, Frenc Berdakun dhe Ron Mujalin. Me 16 nëntor “delegacioni” sportiv nga Durrësi, niset me avion drejt Milanos. Në bord dy prindërit Gjergji dhe Edmondi, së bashku me tri notarët fëmij. Eros Pavon i bën një pritje të shkëlqyer shqiptarëve. Ai së pari i prezanton me pesë pishinat e tij, nëpërmjet të cilave përgatit 100 notarë italianë të moshave, deri në ekipin përfaqësues të Milanos në eventet kombëtare të Italisë. Pavon ka 7 asistentë, të cilët për çdo ditë zbatojnë programet e tij stërvitore me notarët italianë. Janë me fat ata notarë, kur vetë Pavon hidhet në ujë dhe merret personalisht me anën teknike të ndonjërit prej tyre.
Por me shqiptarët ndodhi vërtetë mrekullia. Nga specialistët më të njohur të notit milanez dhe atij italian Eros Pavon, u angazhua në dy seanca stërvitore për rreth 4.5 orë me tre notarët e Teutës Aleksandër Ngresi, Frenc Berdaku dhe Ron Mujali. Edmond Berdaku sa nuk fluturonte nga kënaqësia kur u kthye në Durrës. Po kështu edhe Gjergj Ngresi, për të mos u shtrirë tek tre notarët, prej të cilëve kërkohet e veçanta që mund të ndodhë ndonjëherë me notin shqiptar. Ambicja e prindërve për t’i krijuar të gjitha kushtet, por veçanërisht pasioni i tyre i jashtëzakonshëm e provokon arritjen, e nxit pozitivitetin që pritet. Shqiptarët ishin të gëzuar jo vetëm nga pritja e mrekullueshme e Pavon, por edhe nga angazhimi dhe gadishmëria e tij maksimale për t’u marrë me tre notarët e vegjël durrsakë. “Natyrisht, komenton Gjergj Ngresi, kushtet e favorshme që pamë në Korronado (vendi ku ushtronte stërvitjen e notarëve Pavon) as nuk mund të imagjinohen tek ne, por ajo që vlen dhe na bën të shpresojmë është se “lënda e parë” që janë fëmijët tanë, mund të japë rezultate shumë premtuese, inkurajuese. Stërvitja që zhvilloi Pavon me notarët tanë, ngjalli kureshtje të jashtëzakonshme tek fëmijët dhe prindërit italianë dhe kjo na e rriti edhe më shumë prestigjin”. Pavon i trajnoi notarët durrsakë në një pishinë 25 metërshe, me karakter vetëm stërvitor.
Pishinat ku garohet janë të një lloji tjetër, ku gjithçka është elektronike. Specialisti i notit italian, i bëri “delegacionit” privat të Durrësit të kryesuar nga dy prindërit tejet pasionantë si Gjergj Ngresi dhe Eduard Berdaku, tri propozime:
E para: Në një periudhë sa më të shpejtë, të kryejnë një trajnim 10 ditor në Milano, ku njërin fëmijë ta mbajë me shpenzimet e veta mjeshtri italian i notit. E dyta: i pret në verë dy muaj dhe për të evituar disi koston e shtrenjtë të qëndrimit, premtoi që të sistemohen në familjet italiane. Së treti: është i gatshëm t’i inkuadrojë në ekipin Notatori Bolate Milaneze dhe të marrin pjesë në veprimtaritë e hapura ndërkombëtare që organizohen në Itali. Notuesit e vegjël dhe prindërit e tyre, janë mahnitur nga këto propozime dhe po i trajtojnë ato me shumë vëmëndje.
Detyrat e shtëpisë që sygjeron Pavon
Ndonëse me 18 nëntor notarët janë rikthyer në Durrës dhe ku vazhdojnë për çdo ditë me intensitet përgatitjet në pishinën Stela në Tiranë, janë ende duke jetuar me mbresat e pashlyera nga stërvitja dy ditore në Itali. Italiani i famshëm i notit, i ka dhënë Gjergjit dhe Eduardit një libër metodik, ku janë vendosur në detaje se si do të jetë stërvitja e tyre, gjatë kohës që punën e kryer nuk e prek Pavon. Aleksandër Ngresi, i lindur me 14 qershor 2000, Frenc Berdaku me 15 gusht 2000 dhe Ron Mujali me 22 mars 2000, janë në momentet e shpërthimit të tyre cilësor. Ata stërviten me ngulm dhe janë shumë të interesuar të ndjekin hap pas hapi përparimin e tyre. “Kryesisht nget sërish bisedën Gjergj Ngresi, ndihma e Eros Pavon është përqendruar në elementet teknikë, si dhe në konceptimin e ngarkesave që kërkohet të bëhet nga notarët. Ai sygjeroi gjithashtu që notarët të mos “vriten” në ngarkesat fizike, pasi dëmton zhvillimin e muskaluturës dhe pastaj fundi i karrierës.
Të gjitha mjetet didaktike që kanë të bëjnë me krahun dhe lopatat e këmbëve, të mos përdoren si stimulim i një lloji notimi të padëshiruar. Pavon vërejti se notarët kanë mangësi në startet, kthesat dhe mënyrën e notimit gjatë përballimit të garës. “Unë Pelegrini nuk zotohem t’ju bëj, janë fjalët e italianit, por notarë që të ndjeni kënaqësinë dhe vlerën e notimit tuaj, jam më se i bindur që do t’ia dal. Në Shqipëri nuk diskutohet që pritet të jeni të parët, por edhe në raporte ndërkombëtare emri juaj të jeni të sigurtë që mund të renditet në notarët elitarë.” Dhe ky italian i ujit ka dhënë prova në dy raste: me durrsakun Gerd Kacani dhe laçianen Klea Bardhi. Që të dy në Shqipëri nuk kanë gjasa të munden dhe veç kësaj janë në pritshmëri të prezantimeve cilësore me homologët e tyre të huaj. “Programet që disponojmë, thotë Edmond Berdaku janë ndarë në stërvitje ditore, javore, mujore, vjetore dhe për më shumë si kohë.
Ajo që befason është fakti, se notarëve u është ndaluar të kategorizojnë profilin e notimit, por ngarkesa dhe teknika është e tillë që të vlerësohen të katërt startimet. Në moshën 12 vjeçare që janë të tre notarët e Teutës, absolutisht që nuk duhen bërë gara me kronometër, por ulja e kohëve është menduar të realizohet gradualisht dhe pa sforcime fizike. Asnjë kontraktim. por një trup i lirshëm të marrë ngarkesa të natyrshme. Kështu për pak vite dhe më tej garat me kronometër, të jenë logjikë i një fiziku të fuqishëm, që të mbaj çdo ngarkesë të shtuar. Shpejtësia dhe saktësia e kryerjes së ushtrimeve, krijon kohë të reja në mënyrë organike dhe natyrale. Pak ushtrime në të thatë dhe shumë kontakt me ujët. Është e rëndësishme të respektohet si në dimër ashtu edhe në verë, zhvillimi i një seance stërvitore. Dëshira e madhe për të përshpejtuar nga ajo që është e planifikuar, sipas Pavon, rrezikon ta nxjerrë notarin jashtë konkurimit cilësor dhe të dëshiruar. Gjergj Ngresi dhe Eduard Beradaku kanë marrë porosi që e pakta në çdo 10 ditë, të lidhen dhe të informojnë italianin Eros Pavon. Janë të detyruar ta bëjnë këtë në interes të fëmijve të tyre, të rezultateve në rritje për notin shqiptar dhe në respekt të punës së shkëlqyer dhe pa interes që vendosi të bëj me ta, italiani brilant i notit Eros Pavon.