Në ditarin e saj Anila shkruan: “Më duket se ligji më pëshpërit në vesh: Përsa kohë do të studiosh në shkollat italiane je e lirë ta bësh (për filloren dhe të mesmen nuk duhet as leja e qëndrimit), por nuk të lejoj t’u japësh mësim të tjerëve.” E hidhëruar shton: “Nënës sime iu hoq e drejta e zgjedhjes sepse jetonte në një sistem totalitar; ndërsa mua më mohohet sepse jetoj në një sistem demokratik? Po atëherë kush është ai sistem ku këto të drejta nuk mohohen?”
– Vërtet ….. cili është?
Ky është paragrafi mbyllës i tregimit “Infinit i kufizuar” (Infinito limitato) i autores Besa Nuhi Mone. Këto fjalë të hidhura janë shkruar nga një vajzë e re, emigrante në Itali, një nxënëse e talentuar që ka pasion të bëhet mësuese, por që e kupton se nëse do të ndjekë këtë ëndërr ndoshta nuk mund ta ushtrojë profesionin e dashur. Ky paragraf shpreh dramën që ende përjetojnë emigrantët shqiptarë dhe fëmijët e tyre në një vend ku jetojnë, punojnë e mësojnë, por që akoma nuk i sheh si shtetasit e tij me të drejta të plota. E diplomuar vite më parë në Tiranë për matematikë e fizikë, durrsakja Besa Mone, do të emigronte drejt vendit fqinjë pak kohë pasi shqiptarët nisën të prekin “tokën e premtuar” që u ishte mohuar prej gati 50 vitesh. Për nga formimi ajo është matematikane dhe e sheh matematikën si të paanshme, si një shkencë që kuptohet në të gjithë botën njësoj, ndryshe nga artet që ngërthejnë në vetvete pak nga fizionomia kombëtare.
“Nëse do të përdorja fjalorin e thjeshtë të matematikës, do të thosha se letërsia i përshkruan faktet me një teknikë një dimensionale; arti grafik, muzika dhe vallëzimi me një teknikë dy dhe tre dimensionale. Secila prej tyre megjithëse ka aftësinë të kuptohet nga të gjithë dhe kudo, ka në fund të fundit një fizionomi kombëtare. Matematika jo. Ajo është e paanshme, njihet nga të gjithë në çdo cep të botës, në çdo pikë të universit. Edhe matematika përshkruan, por në mënyrë absolutisht të paanshme dhe përshkrimi i saj është me n dimensione”,- shkruan Mone.
Me këto fjalë të shkëputura nga parathënia e librit të saj më të fundit “La matematica del migrante”, mësuesja durrsake nënvizon faktin se matematika shërben si urë komunikimi mes njerëzve edhe kur ata nuk flasin të njëjtën gjuhë. Është njësoj si vajza e vogël, e njërit prej tregimeve të saj, që kur futet për herë të parë në një klasë me nxënës që nuk flisnin të njëjtën gjuhë me të, nuk ndihet e huaj pasi mësuesja po shpjegonte ekuacione matematikore e ajo arrinte t’i kuptonte shumë mirë. Ndërsa shumë prej nesh mendojnë se letërsia dhe matematika janë dy shkenca të vendosura në skaje të kundërta, Mone arrin t’i mbërthejë të dyja fort, t’i ndërthurë e t’i bëjë të ndërveprojnë me njëra tjetrën.
Mendimet, udhëkryqet me të cilat na përball jeta dhe rrugëzgjidhjet e tyre mund të shpjegohen mjaft mirë përmes përkufizimeve e teoremave matematikore. Numrat luajnë me fjalët, i bëjnë idetë edhe më shprehëse dhe e gjithë kjo vërtitet brenda një ekuacioni matematikor që në fund jep zgjidhjen e tij të pakundërshtueshme. Kështu janë tregimet e Besës, pak art e pak shkencë, duke realizuar një mënyrë ndryshe të të bërit letërsi e të të shpjeguarit matematikë. Besa Mone jeton prej vitesh në Corato, provincë e Barit në Itali. Krahas pasionit për të shkruar ajo vazhdon të ushtrojë profesionin e saj; është përfshirë në projekte të ndryshme shkollore dhe krahas mësimdhënies punon njëkohësisht si ndërmjetësuese gjuhësore e kulturore. Shumë gjëra mbi punën e saj, integrimin në shoqërinë italiane dhe pasionin për letërsinë e matematikën ajo na i shpjegon në një intervistë dhënë gazetës “Dyrrah”.
Zonja Besa, ju jeni një emigrante që jetoni tashmë prej shumë vitesh në Itali. Na tregoni shkurtimisht si nisi rrugëtimi juaj për në vendin fqinjë dhe cilat ishin vështirësitë me të cilat jeni përballur gjatë viteve të para?
Bashkëshorti im ndodhej si emigrant në Itali. Për të patur mundësi të frekuentonim Italinë, kërkuam bashkim familjar, që të pajiseshim me permesso di soggiorno (leje qëndrimi). Unë kërkova leje vetëm dy-tre javë nga seksioni i arsimit dhe u nisëm me qëllim që të ktheheshim. Mbërritëm në Itali në shkurt të ‘97-ës dhe pak më vonë ndodhi rënia e firmave piramidale. U prenë udhëtimet Durrës-Bari për tre javë të tjera (në mos gaboj) dhe vazhdimi pastaj nuk solli përmirësim të gjendjes në Shqipëri. Në këtë situatë vendosëm të mos kthehemi. Vështirësi kishim në planin institucional. Nuk njihnim të drejtat tona dhe si rrjedhim nuk i kërkonim. Shkrimi im i parë në periodiken e qytetit “Lo stradone” në ‘97-ën, ka qenë pikërisht për këtë temë.
Sa e ndjeni veten të integruar në shoqërinë italiane apo dhe ju ashtu si personazhi juaj Anila në tregimin “Infinito limitato” ndiheni e kufizuar në mundësitë që ju ofron vendi ku jetoni?
Nëse me integrim kuptojmë kompletimin me kultura të tjera, me rregulla që favorizojnë kalimin nga bashkekzistenca në bashkëjetesë, atëherë mund të them se po, jam integruar. Për periudhën që referohet në libër, sigurisht edhe unë kam pësuar kufizimet e të drejtave. Kështu p.sh. duke mos qenë qytetare italiane nuk mund të merrja pjesë në konkurset publike për të zënë një vend pune, në rastin tim si mësuese. Kam marrë pjesë në bando që më jepnin mundësinë të punoja si bashkëpunëtore e jashtme e shkollës, eksperte e matematikës. Pasi mora qytetarinë u shkrova në graduatoret e mësuesve. Në tregimin të cilit i referoheni, ngjarja mori shkas nga ndodhia në një familje shqiptare. Vajza e madhe u regjistrua në universitet për letërsi (në fund do të mund të punonte si mësuese e letërsisë). Gëzimi i familjes ishte aq i madh sa mua më mungoi guximi t’u thosha të vërtetën. E vërteta ishte se me të mbaruar universitetin duke mos patur qytetarinë, vajza e tyre nuk do të mund të punonte dot si mësuese.
Tani së fundmi keni botuar një libër “La matematica del migrante”, që ka dalë në shitje në formatin elektronik, ndërkohë jeni autore dhe e botimeve të tjera të ngjashme. Për nga formimi ju jeni matematikane, a e shihni letërsinë si një pasion të çastit apo si një art që ju jep mundësinë të shpreheni më shumë?
Letërsia ka qenë gjithmonë pasioni im. Për këtë më duhet të falenderoj profesoreshën e letërsisë në gjimnaz, që për një orë letrare na bënte të studionim të gjitha kritikat e veprës. Nevoja për të shkruar, për të treguar, për të ndarë arsyetimet me të tjerët, lind natyrshëm. Kur përpiqem të shpjegoj apo të përshkruaj një fenomen shoqëror të jetuar apo të vrojtuar ja dal më mirë dhe në mënyrë me efikase me gjuhë dhe metafora matematike.
Libri është shkruar në italisht. Pse zgjodhët këtë gjuhë që nuk është gjuha juaj amtare?
Po ju përgjigjem me shpjegimin që kam dhënë në parathënien e librit. Kur shkruaj në gjuhën time mendimet rrjedhin aq shpejt, saqë për të shkruar më duhet më shumë kohë sesa për të menduar. Nëse do të krahasoja mënyrën time të të shkruarit në italisht e shqip, kuptoj se shqipja përfaqëson një tablo me shumë ngjyra të sfumuara, ku objektet nuk kanë forma, por shkrihen tek njëri-tjetri. Italishtja ime, nga ana e saj, përfaqëson gjithmonë një imazh me shumë ngjyra, por pa sfumime. Do të dëshiroja të shkruaja në italisht me të njëjtën lehtësi me të cilën shkruaj në gjuhën time, por e kam të vështirë. Dikush tjetër në vendin tim do të zgjidhte muzikën, pikturën, atë që do t’i lehtësonte punën dhe në të njëjtën kohë do ta bënte më të kuptueshëm komunikimin. Për mua më e lehtë është gjuha e matematikës.
Në punën tuaj, ju jeni angazhuar në projekte shkollore në Corato duke aplikuar një metodë ndryshe të mësimdhënies. Na flisni pak më shumë lidhur me këtë dhe sa është mirëpritur nga nxënësit?
Punën në shkolla e nisa duke përgatitur projekte matematike, ku shpjegoja raportet e të huajve me ligjin, me shoqërinë dhe me shtetin me anë të ligjeve të matematikës. I vura detyrë vetes se duhet të hyja në shkollë me një platformë të re. Nuk doja të përsërisja mësuesin e shkollës. Argumentet që propozoja, i ilustroja me Power Point duke realizuar edhe përfshirjen e nxënësve në mënyrë aktive. Këto gjëra ishin pothuajse të papërdorura nga mësuesit e shkollës. I referohem vitit 2002 e në vazhdim, sepse sot është fare e thjeshtë me tabelat interaktive, që së fundi dëgjova që janë futur edhe në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë.
Kam punuar me nxënës të të gjitha niveleve: fillore, tetëvjeçare, të mesme dhe të universitetit. Kam bërë edhe kurse formimi për mësues. Me nxënësit e fillores ishte hera e parë që punoja dhe më kanë lënë mbresa. Asnjë nxënës i asaj moshe nuk abuzon, në kuptimin që të bëjë sikur punon, ndërkohë që nuk punon. Marrin pjesë të gjithë në aktivitetin mësimor. Ajo që të jep kënaqësi më shumë është kur dëgjon konsiderata pozitive nga prindërit e këtyre vogëlushëve që ja përcjellin mësueses kujdestare. Përdorimi i tabelave interaktive ndihmon në animimin e argumentit dhe përdorimin online në orën e mësimit të atyre që ofron rrjeti informatik.
Duke iu referuar një informacioni të ditëve të fundit, atij që ka të bëjë me rritjen e taksës së lejes së qëndrimit në Itali për emigrantët. Si e vlerësoni ju këtë rritje dhe cili është reagimi i emigrantëve që jetojnë në Itali? Rritja e taksave a do të shoqërohet me lehtësimin e procedurave?
Qeveria e ngadalësoi këtë veprim, pasi kërkon të taksojë në bazë të të ardhurave dhe jo me një taksë fikse. Për të thënë ka shumë, pasi kur kërkohet taksa, pritshmëria është përmirësimi i shërbimit. Kush ka patur nevojë të shkojë në Kuesturë për të rinovuar dokumentet është gjendur dhe vazhdon të gjendet në mes të një mungese korrektese duke filluar nga aksesi (të huajt e kanë hyrjen në Kuesturën e Barit andej nga hyjnë makinat) e deri tek koha e stërzgjatur e përgatitjes së dokumenteve. Përveç kësaj, qeveria Monti kërkon të taksojë pronat e paluajtshme jashtë Italisë edhe të të huajve që jetojnë në Itali. Pra vihet re një zgjerim i obligimeve të të huajve i pa shoqëruar me shtimin e të drejtave.
A e keni menduar ndonjëherë kthimin në Shqipëri dhe çfarë ju mungon më shumë nga vendlindja juaj, Durrësi?
Unë dhe im shoq kemi detyrë të shkollojmë fëmijët tanë. Ndërkohë mosha kalon dhe nuk di të them se si do të vendosim më vonë. Durrësin e dua shumë. Është qyteti ku linda, u rrita me familjen dhe shoqërinë time, u edukova dhe u shkollova. Ndërsa flas më njomen sytë. Nostalgjia për ne emigrantët është si dominio për funksionin. Sigurisht mund të them se më mungon shëtitja buzë detit e të tjera si këto, por dua të theksoj se më mungon të qenurit fizikisht në Durrës.