Maturantët e shkollave të mesme në Durrës po protestojnë sot para Drejtorisë Rajonale Parauniversitare në qytetin bregdetar, pasi testi i provimit të Matematikës ka qenë shumë i vështirë.
Të zhgënjyer nga teza me të cilën janë përballur një ditë më parë, me pankarta në duar, maturantët kërkojnë një rivlerësim të testit ku të ulet tavani i pikëve sepse provimi kishte ushtrime që ishin në nivelin maksimal.
“Ne jemi shumë të zhgënjyer nga testi i matematikës sepse nuk ishte ai që prisnim. Testi ishte mbi mesataren dhe supozohet që të ketë tre nivele, niveli i lehtë, niveli mesatar dhe niveli maksimal. Por kishte ushtrime të cilat ishin mbi nivelin mesatar, që i afroheshin olimpiadave dhe duke marrë parasysh kushtet që ne kemi qenë prej dy vitesh online, me orë të shkurtuara, testi na erdhi si bombë dhe na humbi mundin e tre viteve përpjekje.”, shprehet një maturante.
Edhe nxënësit ekselentë thonë se testi i matematikës ishte i vështirë dhe koha ishte e pamjaftueshme për të zgjidhur të gjitha pyetjet, të cilat sipas tyre ishin të pakuptueshme.
“Ne kërkojmë uljen e tavanit të pikëve, kërkojmë rivlerësim të testit dhe rivlerësim të ushtrimeve pasi ishin të pakuptueshme.”, shprehet një maturante tjetër.
Sipas maturantëve, tezat ishin të përkthyera nga universiteti i Cambridge dhe “Në shqip nuk kanë fare kuptim. Kërkojmë drejtësi.”





