Me probleme të shumta financiare, kryesisht borxhe dhe gjyqe të hapura pas denoncimeve, kampioni olimpik australian Michael Diamond, ka vendosur që të shesë medaljet e arta olimpike që ka fituar në karrierën e tij për të mbajtur familjen.

Qitësi Diamond ka fituar 2 medalje të arta në garën e “gropës”, në “Atlanta 1996” dhe “Sidney 2000”, por tashmë është i detyruar të shesë xhevahirët e tij dhe jo vetëm. Australiani do të nxjerrë në ankand edhe 5 medalje të tjera të arta dhe 3 argjendi që ka fituar në Lojërat e Komunuelthit.

“Nuk kam alternativë tjetër, më duhet të mbaj fëmijët, ndaj do t’i nxjerr në ankand të gjitha medaljet”, ka thënë sportisti, që shpreson të jetë në Olimpiadën e vitit 2020, në Tokio. Diamond ka pranuar se ka një borxh prej gati 140 mijë eurosh, ndërkohë që kohët e fundit ka qenë në gjyq, pasi është kapur nga policia duke i dhënë makinës në gjendje të dehur.

Ndërkohë që, në makinë i është gjetur edhe një pushkë gjahu dhe 150 municione, për të cilat nuk kishte bërë deklarim se i kishte blerë. Kjo nuk është hera e parë që ai përfundon në gjyq, pasi më parë ishte denoncuar nga i vëllai pas një zënke, ndërsa në vitin 2003 është denoncuar edhe nga ish e fejuara dhe nga një koleg.

Problemet e fundit e lanë jashtë ekipit olimpik në Olimpiadën e Rios. “Reputacioni im është shkatërruar, nuk gjej dot punë. Jam i dëshpëruar, duhet të paguaj qiranë dhe mbaj fëmijët”, tha Michael Diamond.