Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri mori pjesë sot në mëngjesin e punës organizuar nga Shoqata e Investitorëve të huaj në huaj në Shqipëri ( FIAA). Në fjalën e tij, ministri vuri theksin në investimet e huaja në Shqipëri, por theksoi ai thithja e investimeve të reja fillon së pari nga trajtimi i investitorëve që kemi aktualisht në vendin tonë. Ndërsa solli në vëmendje investime të mëdha në vend si SHELL apo Statkraft, Gjiknuri theksoi se sa komplekse dhe e vështirë është absorbimi i këtyre investimeve.
“Sepse e kam thënë është shumë e lehtë të nënshkruash një kontratë, por është shumë e vështirë implementimi i saj, sidomos implementimi i kontratave komplekse që përfshijnë punë civile, marrëdhënie me njerëz, impakte sociale, leje e shumë elementë të tjera, janë shumë të vështira dhe kërkojnë vërtet vëmendjen e qeverisë”.
Në vijim ministri Gjiknuri theksoi edhe një herë se një investim që të jetë i qëndrueshëm e para duhet të ketë patjetër një treg të qëndrueshëm, por edhe rolin e institucioneve, ndërsa garantoi mbështetje për investitorët.
Në përfundim Gjiknuri u shpreh se krahas investimeve në energji Shqipëria ka mundësi të mëdha për investime edhe në fusha të reja.
“Energjia nuk është e vetmja fushë megjithëse ka qenë përgjegjësja kryesore, ose të themi sektori që ka thithur më shumë investime të huaja. Jam i bindur që edhe në fushën e transportit edhe me programin e ri të partneritetit publik privat për ndërtimin e infrastrukturës qoftë edhe në infrastrukturë rrugore, qoftë në ujë, apo në mbetje urbane, do të ketë hapësira të tjera, dhe Shqipëria do të ketë mundësi dhe potenciale për të thithur më shumë investime në këtë drejtim”, përfundoi ministri.





