Është zhvilluar sot maratona e famshme e Nju Jorkut, venti më i madh dhe i rëndësishëm në botë i garave të gjata, me pjesëmarrjen e 53 mijë garuesve nga 125 shtete të botës.Për femra, kjo garë u fitua nga atletja amerikane Shalane Flanagan, e cila preu e para vijën e finishit, pas 2h26’53”.
Një triumf i rëndësishëm, pasi për herë të parë pas 40 vitesh një atlete amerikane fiton maratonën simbol në botë (për herë të fundit pat fituar në vitin 1977 Miki Gorman). Atletja 36-vjeçare është fituese e medaljes së brionzit në 10 mijë metra në “Pekin 2008” dhe nuk fitonte një garë që prej vitit 2012. Vendimtar një sulm që ajo bëri 4km nga finishi, duke lënë pas kenianen Mary Keitany, e cila u rendit e dyta edhe pse ishte favoritja kryesore (fituese ne 3 edicionet e fundit). Për meshkuj, maratona e New York-ut u fitua nga atleti kenian Geofrey Kamworor, një garë që u zhvillua në ritme të ulta, me atletin afrikan që mbërriti në finish pas 2h10’53”.
Ai fitoi duelin me patriotin e tij Wilson Kipsang (i dyti), që preu vijën e finishit pas 3 sekondash, në një sfidë të fortë për fitore. Kamworor, fitues i medaljes së argjendit në 10 mijë metra në Botërorin e Pekinit dy vite më parë, u shkëput në kilometrin e fundit, duke krijuar një epërsi të lehtë, të cilin e ruajti deri në fund.





