Zyra e Federica Mogherinit, shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, ka reaguar ndaj vendimit të Serbisë që ta emërojë në krye të Akademisë Ushtarake të tyre, të dënuarin për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Vlladimir Llazareviq. Në një përgjigje për Gazetën Express, thonë se presin që udhëheqësit politikë të nderojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë sinqerisht pajtimin në Ballkanin Perëndimor. Ndaj këtij vendimi të Serbisë, Bashkimi Evropian i ka reaguar dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se Lazareviq do të ligjërojë me krenari për strategjitë dhe metodat moderne që regjimi i tij dhe vetë ai, i ka përdorur gjatë shekullit të kaluar në përpjekjet e tyre për spastrim etnik në Kosovë.

Ish-komandanti i korpusit të Prishtinës dhe i Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, gjenerali në pension dhe i dënuari i Hagës për 14 vjet, për krime lufte në Kosovë, Vlladimir Llazareviq, ka nisur ligjërimin në Akademinë Ushtarake të Serbisë.

Gjenerali famëmadh serb nga lufta në Kosovë, siç e cilësojnë mediet e Beogradit, Llazareviq, ka mbajtur dje ligjëratën e parë para kadetëve të Akademisë Ushtarake në Beograd. Madje ai është shprehur edhe kundër NATO-s.

Por, nga zyra e shefes së BE-së për Politikë të Jashtme Federica Mogherini në një përgjigje për gazetën Express thonë se udhëheqësit politikë duhet të nderojnë viktimat e konflikteve të kaluara që në këtë mënyrë të promovohet paqja në Ballkanin Perëndimor.

“Ne presim që udhëheqësit politikë të nderojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë sinqerisht pajtimin në Ballkanin Perëndimor, thelbësor për stabilitetin, të ardhmen paqësore dhe prosperitetin.

Udhëheqësit politikë duhet të udhëheqin të gjitha përpjekjet në kapërcimin e trashëgimisë së vështirë të së kaluarës dhe në mënyrë konstruktive të nxisin besimin reciprok, dialogun dhe tolerancën”, thotë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic për Express.

Tutje thonë se Serbia, si një vend kandidat, nuk mund të devijojë nga këto parime, ndërkohë që emërimi i një krimineli të dënuar të luftës në Akademinë Ushtarake Serbe shkon pikërisht kundër këtyre parimeve.

Ndaj emërimit të Vlladimir Lazareviq në krye të Akademisë ka reaguar ashpër edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Kreu i shtetit thotë se, një veprim i tillë nuk është çudi për shtetin serb, por thekson se një gjë e tillë do të duhej të ishte shqetësuese për çdokënd në BE dhe në shtetet anëtare të saj.

“Nuk e paragjykoj reagimin e BE-së dhe me vëmendje dhe durim do ta pres një të tillë. Por nuk e di çfarë ka më të shëmtuar se fakti që një i dënuar për krime lufte kundër njerëzimit të ligjëroj në akademinë ushtarake të Serbisë”, ishte shprehur presidenti ditë më parë.

Vladimir Lazareviq, është dënuar në vitin 2009 nga Tribunali i Hagës për përgjegjësinë komanduese për krime lufte ndaj popullatës civile të kryer gjatë luftës në Kosovë, por ka mbajtur vetëm 6 prej tyre.

/GazetaExpress/