Tri pikë për të rimarrë kreun e renditjes dhe për të ruajtur distancën me Juventusin dhe Lazion. Trajneri i Napolit, Maurizio Sarri, gjithsesi e ka një peng nga fitorja 2-3 në fushën e Genoa-s.
“Duhet ta kishim mbyllur me shpejt ndeshjen dhe në mënyrën që e meritonim. E lejuam Genoa-n që të qëndronte në lojë deri në fund. Gjithsesi, zhvilluam një ndeshje të nivelit të lartë”.
Vlerësimet e Sarrit i meritojnë të gjithë futbollistët e Napolit, vecanërisht Mertens, autor i një dygolëshi të realizuar që në pjesën e parë.
“Në rastin e golit të dytë, kontrolli i topit nga Mertens ishte i jashtëzakonshëm. Në fillim mendonim se është sulmues anësor, i asftë për të ndryshuar rrjedhën e lojës, por po tregon se mbetet qendërsulmes i nivelit më të lartë.”
Por në cilat aspekte mund të përmirësohet Napoli sipas Sarrit? “Në administrimin e disa ndeshjeve. Pikërisht kjo ndaj Genoa-s duhej mbyllur më parë. Goli i parë që pësuam mund të qëndrojë, por i dyti më ka mërzitur pak. Ka shumë gjëra që mund t’i përmirësojmë”.





