Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shkup për një vizitë pune dhe do të marrë pjesë në Samitin rajonal “100 liderë në biznes nga Europa Juglindore – Ndërlidhja” me fokus biznesin dhe ndërveprimin ekonomik mes vendeve.

Në kuadër të këtij samiti, Kryeministri Rama u prit nga Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Në qendër të bisedës ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe intensifikimi i shkëmbimeve tregtare.

Për t’i dhënë nxitje këtij bashkëpunimi dhe lehtësuar ndërveprimin ekonomik mes vendeve, dy kryeministrat u dakordësuan për mbajtjen në muajt e ardhshëm e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive shqiptare dhe maqedonase. Ministritë e Jashtme të të dy vendeve do të përgatisin axhendën e mbledhjes, si dhe do të percaktojnë kohën e mbajtjes së mbledhjes të dy qeverive.

Liderë nga Ballkani Perëndimor, përfaqësues nga fusha e biznesit nga Europa Juglindore dhe përfaqësues nga Bashkimi Europian do jenë pjesë e Samitit.​