Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e ftuar në #DritaremeRudinën, u shpreh se drejtorët e spitaleve rajonale universitare dhe atyre bashkiake do t’i nënshtrohen një konkursi, teksa premtoi se mjekët dhe infermierët do të kenë rritje rroge deri në 40% në fund të mandatit.

“Ashtu siç ishte rritja e pagave për mjekët dhe infermierët në vitin 2017 me 10%, ashtu është parashikuar të ketë rritje page deri në 40% në fund të mandatit, pra në vitin 2021”, tha ministrja.

“Është shpallur konkursi për të gjitha spitalet rajonale dhe universitare, të cilat janë 16 dhe 24 spitaleve bashkiake, për pozicionin e drejtorit. Konkursi, i cili do të jetë i hapur dhe transparent, do të zhvillohet në fund të tetorit dhe në nëntor të gjitha spitalet do të kenë drejtorët e rinj. Ne duam njerëzit më profesionistë, të përgjegjshëm dhe të aftë në krye të spitaleve dhe për këtë arsye konkursi i spitaleve rajonale dhe universitare do të vlerësohet nga mjekë të dëgjuar, menaxherë dhe ekspertë të specializuar, jo vetëm shqiptarë, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të menaxhimit të spitaleve nga Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë. Do të jetë një konkurs i paanshëm, jo në baza partiake apo nepotike, pasi me shëndetin nuk bëhet shaka dhe në kërkojmë menaxherët më të mirë”, tha Manastirliu.