Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka theksuar sot se Shqipëria ndodhet para shpërthimit të një skandali për krimin e organizuar dhe lidhjet e krimit me qeveritarët e sotëm.
Duke iu referuar arrestimit të djeshëm nga Italia të Moisi Habilajt, kreun e një prej bandave më të rrezikshme dhe të fuqishme të trafikut të drogës, Basha ka përsëritur se ai është kushëriri i Saimir Tahirit.
Sipas Bashës, agjecitë e huaja ligjzbatuese i kanë vënë në dispozicion materiale që faktojnë përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në trafikun e drogës Shqipëri-Itali.
"Mbi 1 mijë e 400 herë kemi denoncuar lidhjet e Tahirit me bandat. Dhe 1 mijë e 400 herë Edi Rama ka refuzuar. Prej 24 orësh Edi Rama hesht. Moisi Habilaj ndodhet në pranga dhe i akuzuar si një nga krerët e narkotrafikut. Partnerët e huaj i kanë vënë Ramës në dispozicon materiale jo vetëm për lidhjen por për rolin e Tahirit si ministër i Brendshëm, në trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Edi Rama ka refuzuar të ndërmarrë çdo lloj veprimi, e gradoi koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen", tha Basha.





