I pakënaqur me atë që skuadra shfaqi në pjesën e parë dhe i vetëdijshëm që për të dalë nga kjo krizë rezultatesh Teutës i duhet shumë punë. Gugash Magani theksoi se humbja me Partizanin është përjetuar shumë keq në kampin durrsak:

“Mendoj që skuadra pati dy tablo. Në pjesën e parë nuk ishte Teuta që unë dua, ndërsa në fraksionin e dytë edhe mund të kishim barazuar.Është përjetuar shumë keq humbja me Partizanin. Janë dy humbje që peshojnë, na duhet shumë punë për ta motivuar skuadrën. Sot e merituam humbjen, sepse Kukësi qëndroi thuasje gjatë gjithë kohës në avantazh. Nuk ishim aty ku duhet, sidomos në fillim të ndeshjes. Unë jam profesionist dhe e them që Kukësi fitoi me meritë. Megjithatë, nuk jam dorëzuar. Unë s’dorëzohem kurrë. Një skuadër e re do shumë punë për t’i menaxhuar disa situata. Të gjitha ndërrimet që bëra ishin lojtarë 18-19 vjeç. Mendoj se sulmuesi i ri ka ardhur i papërgatitur, ndërsa sulmuesi tjetër, që humbi edhe ato rastet me Partizanin, nuk është në ditët e tij më të mira. Gjykimi? Këtu në Shqipëri është bërë normë: kush bërtet shumë për gjyqtarin, në ndeshjen e ardhshme do t’i vendosin arbitër të mirë. Unë kam rezerva për gjyqtarin edhe ndaj Partizanit. U trumbetua shumë se humbëm penallti, por edhe Dybala humbi penallti”