Urdhri për ndalimin e prodhimit të certifikatave në në të gjitha gjendjet civile në mbarë vendin nuk ka gjetur zbatim. Shqetësimi u ngrit nga vetë kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me drejtuesit vendorë të qarkut të Vlorës. Shefi i qeverisë parajmëroi se aty ku do të konstatohen shkelje do të ketë penalitete për punonjësit, si përshembull do t’u mbahet paga dhe nëse gjoba tejkalon pagën, do të mbahen nga buxheti i bashkive.
“Do i detyrojmë t’i paguajnë ata certifikatat nga rroga e tyre dhe të rrinë pa rrogë fare se kjo nuk ka më kuptim. Thuaje, rithuaje me shkrim, me urdhër të ministrit të Brendshëm, vazhdon prodhimi i certifikatave. Numri shkon duke u ulur, por prapë është shumë i lartë. Vazhdon harxhohet letër, harxhohet bojë dhe mbi të gjitha haxhohet kohë dhe nerva të njerëzve për certifikata. Pse? Ju lutem bëjeni të qartë dhe qëndrojini vetë mbi kokë kësaj. Është e domosdoshme. Përndryshe ne do të detyrohemi ta çojmë deri në fund këtë proces duke gjobitur të gjitha Gjendjet Civile dhe do t’ua mbajmë paratë nga rroga punonjësve që shkelin urdhrin e ministrit të Brendshëm, vendimin e qeverisë dhe pastaj kur rroga e tyre të mbarojë do t’ua mbajmë nga buxheti i bashkive paratë dhe do t’ua kthejmë ne qytetarëve se kjo nuk ka më kuptim”, u shpreh Rama.





