I shembur që në muajin shtator të vitit të kaluar, pallati 13-katësh në lagjen nr.17, i njohur ndryshe si pallati i Kaastratit, është kthyer në një shqetësim për banorët.

Gropa e mbushur plot me ujë të ndenjur është kthyer në një vendstrehim për bretkosat, të cilat i sheh aty rrotull në çdo orë të ditës.  

Një banor i lagjes ka sjellë në redaksinë e “DurrësLajm” videon e mëpotshme, të cilën e shoqëron edhe me një apel për ndërhyrjen e autoriteteve për t’i dhënë një zgjidhje situatës së rënduar mjedisore, që rrezikon të përshkallëzohet edhe më shumë për shkak të temperaturave të larta.

“Përshëndetje, Ju lutem mund ta bëni publike. Kjo gropë ndodhet në lagjen nr.17, Durrës, tek ish-pallati i Kastratit. Është bërë shumë problem, e gjitha është mbushur me bretkosa, Bretkosat na kanë pushtuar lagjen dhe shtëpitë tona, por bashkia nuk po merr asnjë masë,,sidomos tani me ngrohjen e temperaturave do bëhet një vatër infeksioni”,- shkruan banori në denoncimin e tij.

Siç duket edhe në pamjet filmike, uji në gropën e hapur është tejet i ndotur, ndërsa bretkosat kërcejnë përreth, të patrazuara.

Megjithëse u shemb që në muajin shtator, pas një operacioni të komplikuar dhe të rrezikshëm për shkak të banesave që e rrethonin dhe madhësisë së pallatit, asnjë hap tjetër përveç largimit të inerteve nuk është ndërmarrë për rindërtimin e godinës shumëkatëshe.