Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, është takuar paraditen e sotme me përfaqësues të pushtetit vendor, Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Durrës si dhe me përfaqësuesit e sektorit të hoteleri-turizmit, për të diskutuar mbi masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik në Durrës.

Duke vënë theksin tek informaliteti në këtë sektor, drejtoresha Ibrahimaj u shpreh se nga 1190 subjekte, 680 prej tyre nuk kanë shtypur kasën gjatë gjithë muajit maj dhe se këto subjekte kryejnë një konkurencë të pandershme në krahasim me ato që deklarojnë të gjitha të ardhurat.

Ibrahimaj shtoi se të gjitha bizneset që nuk kanë shtypur kasën dhe që kanë vetëm 1 të punësuar do të kontaktohen dhe monitorohen nga administrata tatimore, ndërkohë subjektet që do të kenë ardhura të ngjashme me vitin 2019 nuk do të kontrollohen nga administrata tatimore.

Nga ana tjetër, kryebashkiakja Emiriana Sako theksoi se do të respektohet 100 për qind legjislacioni për hapësirat publike të plazheve, ku qytetarët do të kenë 20 për qind të hapësirës, ndërsa 80 për qindëshi tjetër do të jetë në dispozicion për t’u dhënë me qira tek subjektet që do të jenë të interesuara.

Drejtoresha Rajonale e Tatimeve në Durrës, Dalina Bucaj, tha se do të këshillojnë bizneset për të rritur ndërgjegjësimin për vetëdeklarimin dhe do të monitorojë mbarëvajtjen e masave.

Prefekti Nasto tha se po merren masa që në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit të ngrihen kampe shëndetësore për t’u ardhur në ndihmë pushuesve.

Pronari i një subjekti u shpreh se në të shumtën e rasteve goditen ata që janë të rregullt me deklarimet, ndërkohë tha se këtë vit presin një sezon shumë të mire.

J.D.