Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, u ka dhënë të drejtë gazetarëve, duke vendosur që të mos tregojnë burimet e tyre, edhe në rastet kur vetë burimi ka shkuar në polici.
Gjykata vendosi sot mbi rastin e gazetares norvegjeze Cecilie Langum Becker, rast i nisur në vitin 2012. Gazetares iu kërkua që të jepte dëshmi për kontaktet dhe burimet e një artikulli në lidhje me kompaninë norvegjeze të naftës.
Gjykata Evropiane konfirmoi se e drejta e znj. Becker si gazetare për të mbajtur burimet e saj konfidenciale nuk mund të hiqej automatikisht për shkak të sjelljes së një burimi ose për shkak se identiteti i burimit ishte bërë i njohur. Në aktgjykimin e Dhomës së çështjes, Gjykata Evropiane, në mënyrë unanime, tha se kishte shkelje nga ana e Norvegjisë të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Si Gjykata e Rrethit Oslo dhe Gjykata e Apelit Borgarting vendosi që gazetarja kishte për detyrë të dëshmonte. Në janar të vitit 2012, znj. Becker u urdhërua të paguajë një gjobë prej rreth 3,700 euro për refuzimin e përgjigjes ndaj pyetjeve rreth kontakteve të saj. Gjykata Evropiane vlerësoi se Norvegjia do të rimbursojë gjobën e vendosur ndaj gazetares.
“Së bashku me degën e saj norvegjeze, Norsk Journalistlag (NJ), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) e mirëpret këtë vendim të qartë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i EFJ, Ricardo Gutiérrez.
“Ky gjykim forcon mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, e cila është një nga kushtet themelore për lirinë e medias. Prandaj, u bëjmë thirrje shteteve të miratojnë legjislacionin me qëllim të zbatimit të të drejtës së gazetarëve për të mbrojtur burimet e tyre, duke ndjekur standardet ndërkombëtare”, shtoi ai.
/Ora News.tv/