Në janar 2021, kjo ishte pamja e trishtuar që ofronin dhjetëra hektarë tokë në Sukth, që ndodheshin nën pushtetin e ujit prej vërshimit të lumit Erzen. 

5 muaj më pas, banorët e kësaj zone jetojnë ende me frikën e përmbytjeve të mëhershme.

Megjithëse jemi në stinën e verës, sezoni i shirave për ta përbën makthin më të madh. Muret e plasaritura të banesave, dyert ku duken ende shenjat e shkumës së poliuretanit, bodrumet plot me llumin që lumi sjell nga pas apo orenditë shtëpiake dhe gjeneratorët e dëmtuar nga uji duken qartë në çdo shtëpi.

Për Myzejene Çizmen, banesa e të cilës është e para që përmbytet, ato ditë ishin një tmerr i vërtetë. Pensionistja kujton se ishte dhe me Covid-19 dhe nuk mund të shkonte tek familjarët, ndërsa në shtëpinë e përmbytur nga uji e kishte të pamundur të jetonte.

Megjithëse në prag të zgjedhjeve, ajo, ashtu si shumë bashkëfshatarë të tjerë, morën dëmshpërblim nga bashkia, paratë nuk ua mbulojnë dëmet e shkaktuara.   

“Mua më janë prish gjërat e shtëpisë të gjitha, unë dua ta suvatoj, t’i bëj një bordurë, t’i bëj një avlli mos të hyjë lumi, aty duhen miliona. Prandaj them unë, hapni lumin se nuk bëjnë gjë ato 3 milionë. Më ngordhi lopa, 20 pula i mori lumi herën e parë, 40 këtë radhë të mbytura”,- thotë Myzejene Çizmja.

“Të gjitha më janë prishur; televizori, gjeneratorët, dhoma e gjumit, divanët i kam hedhur. Dëmi që më është bërë nuk është justifikuar me dëmshpërblimin”,– rrëfen Setki Kozi, që ka marrë vetëm 114 mijë lekë të rinj.

“Radhën e parë komplet shtëpia më doli jashtë përdorimit, na ka dhënë dynjaja njëri një tavolinë, njëri një karrike, akoma i kam në shtëpi, kësaj radhe dyert poshtë të reja sa i pata vënë. Bashkia këtu ka ardhur ka dhënë nga 3 milionë, kurse mua më ka dhënë 800 mijë lekë të vjetra”,– thotë Medie Hazbiu.

E moshuara që mezi lëviz, rrëfen se burrin e sëmurë e ka brenda në shtëpi dhe në rast të një tjetër përmbytjeje rrezikojnë të dy. 

Të përmbytur dy herë brenda dy javësh nga uji i lumit, për këta banorë, apeli i vetëm që kanë ndaj autoriteteve është ndërhyrja në shtratin dhe argjinaturën e lumit Erzen. 

“Duam vetëm të na hapet lumi, të bëjnë një bordurë të madhe, që nga hekurudha e deri në fund të lagjes”,- thotë pensionistja Çizmja.

“Të bëhet rregullimi i Erzenit, që të mos përmbytemi më”,– apelon bashkëshortja e Setki Kozit, që përlotet sapo kujton momentet kur fëmijët e vegjël të djalit të saj u tmerruan nga uji që u kishte rrethuar shtëpinë.

Rreth 185 familje në NJA Sukth dhe 243 në NJA Katund i Ri morën në muajin prill dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e janarit. Kreu i njësisë administrative Sukth, Aurel Alimadhi, në një lidhje telefonike me “DurrësLajm” bën të ditur se janë në pritje të ndërhyrjes nga ana e Bordit të Kullimit në pikat më kritike të rrjedhës së lumit Erzen, për të evituar përsëritjen e situatave të ngjashme dimrin e ardhshëm.

Ndërhyrja për sistemimin e shtratit të lumit dhe riparimin e argjinaturave kërkon një fond të konsiderueshëm.

“DurrësLajm” mëson se pushteti vendor i është drejtuar qeverisë për financimin e këtij projekti, pasi e ka të pamundur ta përballojë me të ardhurat e veta këtë ndërhyrje. Banorët e përmbytur dy herë brenda një viti i tremben sërish afrimit të stinës së shirave.

M.B.