*KOSOVA NË UDHËKRYQIN E MADH TË SHTETËSISË SË RREZIKUAR
Anarkia dhe nëntoka mbajnë peng politikën dhe zhvillimin
"Pa bashkimin e pjesës së shëndoshë politike, intelektualëve të guximshëm, kuadrove të afta dhe profesionale, aktivistëve dhe veprimtarëve më të devotshëm të çështjes kombëtare në një nismë të re politike, për të liruar vendin nga bandat kriminale, për të penguar degradimin e mëtejmë të politikës dhe institucioneve shtetërore,…as që mund të pritet të ndodhë përmirësim në sistemin e drejtësisë, respektivisht vënia në binarë të shëndoshë të rendit dhe të ligjit në Kosovë", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot
Kosova, në të gjitha këto17 vjet të shtetndërtimit, ka shërbyer si model i keq në rajon, ku bandat politike dhe ato të krimit të organizuar janë ndjerë të trimëruara përballë shtetit të kapur nga ata vetë. Analistët politikë vlerësojnë se një shteti të kapur nuk i frikësohen kriminelët, por ata gjejnë terren për të vepruar, pasi nuk e ndjejnë dorën e shtetit e as të ligjit, prandaj tani e vetmja shpresë mbetet në qeverisjen "Haradinaj" se do të fillohet të përforcohet sundimi i ligjit e ku ata që e kanë kapur shtetin të shthuren dhe të mos vazhdojnë me traditën që krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale të sundojnë në shtetin e Kosovës. Sipas analistëve, tani është edhe momenti, që të zgjidhet pjesa e shëndoshë e politikës dhe intelektualët, kuadrot e afta, të bashkohen në një nismë të re politike, për t'i bërë ballë degradimit të mëtejshëm të politikes dhe shtetit, ngase Kosova ka humbur shumë gati dy dekada të plota nga bandat politike dhe krimi i organizuar.
Qeverisje e klaneve
Analisti politik, Hidajet Ahmeti thotë se është imperativ i kohës që intelektualët e mirëfilltë t'i bashkëngjiten një nisme të re politike duke i dhënë fund kësaj mendësie provinciale, klienteliste, nepotike e korruptuese. "Kjo logjikë e funksionimit të institucioneve publike të shtetit ka përkrahur degradimin e vazhdueshëm të shtetit, e duke e zbehur substancën e Republikës. Partitë politike janë ngulfatur nga klane, të cilat funksionojnë brenda mendësisë së mbrapshtë dhe në vijën paralele të klientelës së tyre, por edhe një pjesë e "intelektualëve" fiktivë kanë gjetur vend në partitë politike, pasi përmes tyre janë bërë të fuqishëm politikisht e financiarisht. Intelektualët e mirëfilltë e kanë obligim qytetarë, kombëtar, shtetëror të "sakrifikojnë" për shpë- timin e substancës së Republikës, pasi përmes futjes në politikë mund të stopohen të këqijat, të cilat janë instaluar dhe po vazhdojnë të instalohen nga të gjitha qeveritë e pasluftës", theksoi Ahmeti për "Kosova Sot". "Qeveria 'Haradinaj' nuk ka vullnetin, guximin, dijen, por as fuqinë politike për t'i çuar proceset e rëndësishme përpara. Gjykoj Qeveria 'Haradinaj' është jetëshkurtër, e kapur, e pafuqishme e mbi të gjitha një Qeveri për t'i rehatuar militantët partiakë dhe në funksion të klientelës së saj. Nga të gjitha këto premisa, Qeveria 'Haradinaj' do të jetë vazhdimësi e qeverive të kaluara, duke zhvatur institucionet publikë e duke degraduar shtetin", potencoi Hidajet Ahmeti.
MOMENTI I KTHESËS VENDIMTARE NË KOSOVË
Po aq optimist për angazhimin e kryeministrit Haradinaj në shkëputjen e lidhjeve të politikës me krimin është edhe analisti Gani Qarri."Lista vërtet është shumë e gjatë dhe e rrjetëzuar keq,pasi,siç edhe dihet,që nga vitet e pasluftës krimi i organizuar ka marrë aq hov dhe zhvillim të jashtëzakonshëm,saqë tanimë kontrollon gjithçka dhe ka depërtuar në të gjitha poret e jetës së vendit.Përkundër të gjithave,besoj shumë se z.Haradinaj është pikërisht njeriu i duhur,e tanimë edhe në vendin e duhur, i cili vërtet do të bëjë luftë të pakompromis dhe angazhohet fort e pareshtur gjatë gjithë mandatit udhëheqës,sidomos tani që ka marrë mbi vete përgjegjësinë e të parit të ekzekutivit,në mënyrë që nën qeverisjen e tij,përfundimisht të përforcohet sundimi i ligjit dhe shthuren njëherë e mirë korrupsioni e krimi i organizuar,që tash e sa kohë e kanë kapur për fyti shtetin tonë të brishtë",tha Qarri për "Kosova Sot".Ai konsideron se është momenti vendimtar dhe rasti më i përshtatshëm që atij t'i bashkohen në veprime,pjesa më e shëndoshë e politikës,rinia e pakorruptuar,intelektualët e njëmendët e të guximshëm,si dhe kuadrot më të afta në vend,që të luftohet e keqja që i ka shtënë rrënjët kaq thellë.
POLITIKA U SHNDËRRUA NË BANDITIZËM
Edhe politologu Faton Mehmeti vlerëson se problemi më i madh me të cilin ballafaqohet Kosova është sistemi i korruptuar dhe kriminal, që në vetvete ngërthen të gjitha të këqijat e vendit tonë. "Së pari, duart i futën tek drejtësia, pastaj krijuan para të pista, korruptuan politikanët dhe kështu krijuan piramidat e tyre, përmes të cilave shpërlajnë para", tha Mehmeti. Ai vlerëson se koha është për zgjim të madh të vetëdijes intelektuale dhe të krijohet një nismë e re politike, sepse shtresat më të shëndosha të shoqërisë janë u përfshi në polikë. "Kjo nuk ka ndodhur deri më tani, sepse politika u shndërruar në bandë, grupacione të interesit dhe kështu shtresa më e shëndoshë e shoqërisë u margjinalizua. Pushteti ka mekanizmat që margjinalizon këdo që nuk i vihet në shërbim, si servil.Tani shoqëria dhe Kosova kanë nevojë për krijimin e një nisme apo iniciative të intelektualëve dhe njerëzve të ndershëm të vendit për të mirën e Kosovës", potencoi Mehmeti. "Mirëpo, dyshoj shumë se do të ketë mbështetje tek qytetarët edhe një iniciativë e tillë, pasi janë dëshpëruar deri tani me të gjithë, edhe kur diçka është dukur se do jetë e re ka dalë të jetë me mentalitet të vjetër", tha Faton Mehmeti.
Zotimet antikrim dhe antikorrupsion
Analisti politik, Blerim Burjani thotë se ndryshimet e plota nuk mund të vijnë nga kjo klasë e korruptuar dhe e liderëve të papunë. "Kjo klasë politike është zbehur shumë, edhe krahu politik i luftës dhe i komandantëve, ndoshta kjo mund të jetë sundimi i fundit i kësaj klase politike. Pra, nëse nuk kemi reformim të plotë të kësaj klase politike plotësisht me njerëz të rinj dhe me liderë të rinj për të shpëtuar me faqe të bardhë pjesën e deritashme që janë marrë me politikën vetëm me vullnet dhe dëshirë për t'u marrë me veprimtari politike, do të mbetemi shumë mbrapa", tha Burjani për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti politik Ali Hertica, duke vlerësuar veprimet e para të Qeverisë "Haradinaj" kundër ish- shkelësve të ligjit, thotë se nuk dëshiron të besojë që tani bandat e politikës dhe të krimit të organizuar do të ndjehen komode, sepse do të ishte dështim i madh dhe vetëndëshkim politik i Haradinajt, nëse nuk i përmbush zotimet e tij kundër krimit dhe korrupsionit. "Nuk dua të besoj gjithashtu që kryeministri Haradinaj do të rrijë duarkryq dhe pa e përdorur "furtunën" e nisur për t'i shkulur lisat e mëdhenj që janë çerdhe e krimin të organizuar, e ku shumë nga ata janë mashtrues ordinerë të shoqërisë dhe shtetit, që thjesht përdorin çdo alternativë për të qenë në pushtet", theksoi Ali Hertica.
ATY KU NUK KA SUNDIM LIGJI, KA ANARKI DHE KLANE KRIMINALE
Për analistin politik Florim Zeqa, në një vend ku nuk sundon ligji dhe drejtësia, vjen në shprehje anarkia, vijnë në shprehje grupet kriminale dhe antivlerat. Sipas tij, në situatën anarkike të krijuar në vendin tonë, u është krijuar hapësirë e gjerë veprimi grupeve kriminale dhe korruptive, të cilat ndjehen të trimëruara, njëkohësisht edhe të privilegjuara nga shteti i kapur. "Pa bashkimin e pjesës së shëndoshë politike, intelektualëve të guximshëm, kuadrove të afta dhe profesionale, aktivistëve dhe veprimtarëve më të devotshëm të çështjes kombëtare në një nismë të re politike, për të liruar vendin nga bandat kriminale, për të penguar degradimin e mëtejmë të politikës dhe institucioneve shtetërore,…as që mund të pritet të ndodhë përmirësim në sistemin e drejtësisë, respektivisht vëniaa në binarë të shëndoshë të rendit dhe të ligjit në Kosovë", tha Zeqa për "Kosova Sot".