Të lësh cigaren është e vështirë, këtu biem dakort të gjithë. Gjithashtu biem dakort për faktin se është e pashëndetshme dhe se duhet hequr dorë sa më parë. Ditët e para pas heqjes dorë nisin simptomat e tërheqjes (withdrawal) që zgjasin rreth dy javë intensive.
Simptomat fizike të tërhqejes:
Fyt i acaruar dhe kollë
Djersë të ftohta
Lodhje
Marrje mendsh
Uri e theksuar
Probleme të tretjes
Dhimbje koke
Simptomat psikologjike të tërheqjes
Inat dhe luhatje humori
Mungesë përqëndrimi
Pagjumësi
Dëshirë për cigare
Mërzitje
Tani që pamë gjithë negativet e lënies së cigares, kthejmë sytë nga aspektet pozitive si:
Përmirësim i qarkullimit të gjakut
Përmirësim i sistemit imunitar
Përmirësim i kapacitetit të mushkërive
Ngadalësim i procesit të plakjes
Nuk është informacion i përgjithshëm dhe i njohur nga të gjithë, por të ushtruarit ndihmon shumë në procesin e lënies së cigareve.
Ul oreksin. Ngjan e pakuptimtë, por pakësimi i urisë është përgjigjja natyrale e trupit kundrejt të ushtruarit në intervale të rregullta. Sipas një studimi, ushtrimet fizike nxisin prodhimin e një hormoni që pengon oreksin dhe ndalojnë prodhimin e një hormoni që rrit oreksin. Sigurisht, pas ushtrimeve do të ushqeheni për të zëvendësuar kaloritë e humbura. Ama do të jeni më të kujdesshëm me atë që hani.
Limiton shtimin në peshë. Për shumë njerëz, cigarja është një mënyrë për t’u dobësuar. Kur heqin dorë nga cigarja, gjejnë diçka për t’u marrë, siç është ushqimi. Ushtrimet fizike pengojnë të shtuarin në peshë nga kjo lojë e re e atyre që lënë cigaren.
Manaxhon stresin. Shumë duhanpirës e përdorin cigaren si një mënyrë për t’u përballur me ankthin dhe stresin. Në fakt, ka efekt të kundërt nga ai i dëshiruari mbi trupin. Dhe zgjidhja është të ushtruarit, sigurisht. Duke u stërvitur, trupi lëshon endorfinë dhe hormone që pakësojnë nivelet e kortisolit dhe ankthit.
Javën e parë: Nisni me shëtitje
Është mënyra më e thjeshtë për të integruar ngadalë-ngadalë stërvitjet në rutinën tuaj të përditshme. Mund të ecni për në punë, për në shkollë, ose thjesht të planifikoni 20 minuta ecje në ditë, tre ditë në javë.
Java e dytë: Shtoni stërvitje për gjithë trupin
Rekomandohet që dy herë në javë të bëni një stërvitje të mirëfilltë, shtesë shëtitjeve. Qëllimi është të ushtroni gjithë trupin në një intensitet të moderuar dhe të vini në punë gjithë muskujt.
Java e tretë e më tej: Hidhini një sy dietës suaj
Një nga avantazhet e të lënit të cigares është se do t’ju shijojnë më shumë ushqimet e sensi i të nuhaturit do të jetë më i ndjeshëm. Mund të themi që vaktet do të jenë eksperienca dhe jo thjeshtë bukë. Meqë iu futët rrugës së shëndetshme, pse jo të mos i hidhni një sy dietës suaj dhe të shkurtoni gjithë suplementët e pashëndetshëm.
Feedback-u pozitiv
Pas thuajse një muaji jetese të shëndetshme, do të filloni të kuptoni gjithë aspektet pozitive të një jete pa duhan dhe do të motivoheni më tej për të ndryshuar jetën tuaj për mirë. /Anabel/