Presionet dhe frikësimet brendapërbrenda korpusit politik serb, po përsëriten edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 22 tetor në Kosovë.

Komisioni vëzhgues i zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, pati vërtetuar një gjë të tillë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Në raportin e tij përfundimtar, është thënë se në kuadër të bashkësisë serbe në Kosovë “fushatën e kanë shkelur kërcënimet e shpeshta dhe rastet e incidenteve të dhunshme brenda bashkësisë, ndaj kandidatëve dhe votuesve, si dhe reagimi i pamjaftueshëm i Policisë dhe organeve tjera të zbatimit të ligjit”.

“Kjo ka përfshirë edhe presionin ndaj kandidatëve të ndryshëm që të tërhiqen, si dhe incidentet e dhunshme të shpeshta në Leposaviq, të cilat janë drejtuar konkretisht mbi partitë politike dhe kandidatët që kontestojnë dominimin e Listës Serbe”, thuhet në raport.

Pikërisht, për shkak të kërcënimeve, në qershor, Partia e Pavarur Liberale e Slobodan Petroviqit, e cila tash e 10 vjet vepron në skenën politike në Kosovë, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, nuk do të ketë kandidat për kryetar të komunës së Graçanicës. Kjo, siç ka thënë Petroviq për Radion Evropa e Lirë, po ndodhë për faktin se është e pamundur të mbrohet një kandidat i tillë.

“Shkaqet janë të qarta. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ne si parti, gjegjësisht, kandidatët që ishin në listë, kemi pasur presion të paparë. Gjashtë kandidatët tanë, që ishin në listë, janë larguar nga vendet e punës, vetëm pse ishin në listën tonë. Ne nuk kemi mundur të bëjmë asgjë, përveç t’i lajmërojmë organet kompetente. Por, asgjë nuk është bërë”, tha Petroviq.

Gjithashtu, ka pasur edhe raste kur kandidatët janë tërhequr nga listat. Katër të tillë janë tërhequr nga lista e iniciativës qytetare SDP së Oliver Ivanoviqit. Ky i fundit thotë për Radion Evropa e Lirë se në mesin e këtyre kandidatëve ishte edhe Zoran Spasojeviq nga Mitrovica Veriore, i cili përmes një deklarate për publikun, u kishte bërë thirrje qytetarëve që votat t’ia japin Listës Serbe.

“Këto nuk janë zgjedhje, kjo nuk është demokraci, kjo është dhunë mbi demokracinë. Krejt çka mund të bëj SDP-ja në këtë situatë është që të sqarojë publikisht lidhur me këtë çështje dhe natyrisht, u bëjmë thirrje autoriteteve, kudo qoftë, edhe atyre në Kosovë, por edhe atyre në Beograd, që të reagojnë ndaj kësaj situate. Jam i vetëdijshëm që autoritetet e Serbisë nuk mund të reagojnë drejtpërdrejtë, por këtë mund ta bëjnë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Kjo situatë mund të përshkallëzohet, mund të bëhet edhe më e keqe, ndonëse tashmë është mjaft e keqe dhe do të na duhet kohë që të sanojmë pasojat e kësaj sjelljeje të papërgjegjshme”, tha Ivanoviq.

Ivanoviq ka shtuar se personalisht nuk ndjehet i rrezikuar. Por, sipas tij, qytetarët që janë me të, janë të rrezikuar dhe se ata, në momentin e fundit, do të mendojnë nëse do të rrinë në Kosovë apo ta braktisin atë.

“Nëse dikush që është në pushtet i luhatë themelet e mbijetesës këtu, atëherë nuk kam çfarë të them më shumë”, tha Ivanoviq.

Njohësi serb i zhvillimeve në Kosovë, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se është krejtësisht e qartë se kush dhe pse po bën presion. Sipas tij, kjo është Lista Serbe, e cila për veprimet e saj e ka mbështetjen e Beogradit, gjë të cilën, kjo listë po e shfrytëzon maksimalisht.

“Dihet se në Kosovë janë në qarkullim para të madha. Nuk ka kontroll të madh mbi shpenzimin e tyre dhe natyrisht që ekziston frikë e madhe se, kur të vijën strukturat e reja, ato do të fillojnë të hulumtojnë. Siç ndodhë zakonisht, njëra palë e akuzon palën tjetër dhe denoncojnë”, tha Nojkiq. Ai shton se serbët e Kosovës janë mjaft të varur nga Beogradi dhe janë të detyruar ta dëgjojnë.

Sipas tij, Lista Serbe ka krijuar pushtet të dyfishtë, që nënkupton se ata që janë në institucionet politike serbe, janë edhe në institucionet politike të Kosovës.

“Njerëzit janë në të dyja pushtetet, pikërisht që të mund të manipulojnë dhe njerëzve t’ua vështirësojnë jetën. Prandaj, ata që nuk janë në këto qarqe, u janë ekspozuar presioneve dhe ekzistenca e tyre është vënë në pikëpyetje të madhe”, tha Nojkiq.

Në këto qarqe nuk ka qenë Rada Trajkoviq, e cila ka qenë një nga viktimat e para të mospajtimit me politikën e Listës Serbe. Qeveria e Serbisë, e kishte ndërruar atë nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtorit të shtëpisë së shëndetit në Graçanicë, atëherë kur, siç thotë Trajkoviq, Aleksandar Vulin u bë përgjegjës për Kosovën.

“E përjetova atë që të më merret e drejta, madje edhe që ta bëjë punën e mjekes, të jem e ngacmuar në mënyra të ndryshme, për disa prej të cilave as që mund të flas publikisht, e deri te ato profesionale. Kam pasur informacion se ka qenë detyrë që të hiqem nga skena politike e Kosovës. Të gjitha këto, me forcën dhe vullnetin që kam pasur, unë i kam duruar deri më sot”, ka thënë Trajkoviq.

Ajo ka shtuar që Listës Serbe, tashmë i lejohet që të shërbehet “me të gjitha mjetet, në kuptimin e ndjekjes së atyre që nuk mendojnë si ata”.

“Këto, aktualisht, janë sulmet fizike, largimet nga vendet e punës, kërcënimet, shantazhet, si dhe shfrytëzojnë më së shpeshti institucionet, të cilat fatkeqësisht, ende i mbajnë lidhjet me Beogradin, siç janë ato shëndetësore, arsimore, sociale, të cilat në mënyrë vitale e mbajnë jetën e serbëve në këto hapësira”, ka thënë Trajkoviq.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Listën Serbe lidhur me ankesat, të cilat i adresohen kësaj liste, se ajo qëndron prapa presioneve.

Deputeti i Listës Serbe dhe shefi i zyrës së kësaj liste për bashkëpunim me media dhe sektorin civil, Igor Simiq, ka theksuar se të gjitha këto janë shpifje.

Në një përgjigje me shkrim, Simiq ka sqaruar se Lista Serbe për çdo ditë lufton për avancimin e pozitës së serbëve në Kosovë, gjë e cila, sipas tij, kërkon mjaft punë dhe kohë.

“Prandaj, nuk kam kohë që të komentoj shpifjet dhe nebulozat e tilla, me të cilat dikush po përpiqet që të reklamohet në fushatë, duke e sulmuar Listën Serbe, për shkak se nuk janë në gjendje që qytetarëve tu ofrojnë program për zgjedhjet, por vetëm urrejtje, gënjeshtra dhe mashtrime”, ka shkruar Igor Simiq.

Ndërkohë, shtetet e Quint-it ( Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) kanë ftuar të gjitha partitë politike që të angazhohen për fushatë të lirë dhe të qetë, pa frikësime, dhunë dhe presione.

Për zgjedhjet lokale janë lajmëruar 17 subjekte politike serbe, prej të cilave vetëm Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë për të 10 komunave serbe, sa janë gjithsej në Kosovë./REL