Ish-ylli i futbollit amerikan si dhe aktori O.J. Simpson u lirua me kusht, pasi vuajti dënimin prej 9 vjetësh në një burg të Nevadës. Në vitin 2007 Orenthal James Simpson në krye të një grupi njerëzish të armatosur sulmoi me forcë Hotel – Kazinonë “Palace Station”, për të marrë më pas sende me vlerë nga një dhomë e veçantë, si dhe relike sportive që sipas dëshmisë së tij i përkisnin atij dhe i ishin vjedhur më parë.
Pas ngjarjes së ndodhur në Las Vegas O.J. Simpson u akuzua bashkë me pesë persona të tjerë për grabitje me armë, por gjithashtu edhe për 10 akuza të tjera, për të cilat në vitin 2008 u dënua fillimisht me plot 33 vjet heqje lirie.
70-vjeçari kalifornian dikur konsiderohej si një ndër sportisët më të mirë në NFL, kampionat ku O.J. Simpson ka luajtur si ‘running back” nga viti 1969-1977 me Buffalo Bills si dhe dy sezone në vitet 1978-79 me San Francisco 49ers. Departamenti i Riedukimit në Nevada nxori pamje dhe filmime për momentin e firmosjes së lirimit me kusht dhe 70-vjeçari nga San Francisco më pas u largua nga Qendra e Riedukimit në Lovelock të dielën, herët në mëngjes.
O.J. Simpson ka patur vazhdimisht telashe me drejtësinë, madje në vitin 1994 ai u akuzua për vrasjen e ish-bashkëshortes Nicole Brown Simpson si dhe mikut të saj Ron Goldman, ngjarje që asokohe shkaktoi edhe ndërprerjen live të transmetimit të finaleve të NBA, të përballjes ndërmjet Houston Rockets dhe New York Knicks.O.J. Simpson u shpall i pafajshëm 16 muaj më vonë, vendim që u ndoq nga plot 100 milionë shikues anembanë globit, sidoqoftë vetëm një vit më pas një gjykatë civile në Santa Monica e akuzoi për dëshmi të rreme, duke e shtrënguar për të paguar një dëmshpërblim prej 33.5 milionë dollarësh.
O.J. në vitet '70 theu një sërë rekordesh në futbollin amerikan, kur luante me Buffalo Bills, ndërsa më pas Simpson u bë akoma më i famshëm, teksa mori pjesë në shumë emisione televizive dhe filma. O.J. Simpson i cili edhe më parë ishte shfaqur optimist për lirimin me kusht ka shprehur dëshirën për t’u zhvendosur në Florida.





