Një tjetër video-skandal ka përshirë Kombëtaren Franceze të Futbollit. Këtë herë protagonist është Kurzawa, viktimë e një shantazhi, por që ndryshe nga rasti i Valbuenas përmbajtja e videos të tij nuk është intime, por prek direkt dhomën e zhveshjes së Bluve të Frances. Në këtë video mbrojtësi i majtë i Paris Saint Germain, shfaqet duke kritikuar publikisht trajnerin Didier Deschamps teksa ndodhej në një bar me një mik të tij.
Sic bëjnë të ditur mediat franceze një grup i organizuar prej 5 personash janë vënë nën pranga për shantazh ndaj 25-vjecarit francez. Të arrestuarit i kanë kërkuar lojtarit një shifër prej 100.000 eurosh për të mos e bërë publike këtë video. Kurzawa ka lajmëruar menjëhërë policinë dhe departamenti që merret me cështjet e luftës kundër krimit të organizur ka zbuluar personat e përfshirë në këtë shantazh.
3 të pandehur janë kapur në flagrancë teksa i kishin zënë pritë Kurzawas në dalje të shtëpisë për të marrë shpërblesën e kërkuar. Dy të tjerë janë arrestuar më vonë të akuzuar si bashkëpunëtor. Tashmë cështja i ka kaluar gjykatës së Versajës.





