Ndotja nga derdhja e karburantit në plazhin e Currilave vazhdon edhe ditën e sotme. Kjo situatë ka shqetësuar mjaft qytetarët, të cilët vijojnë të denoncojnë këtë rast në redaksinë e Durrës Lajm. Në fotot e dërguara nga persona të cilët kanë zgjedhur këtë pjesë turistike të qytetit për plazh, duken qartë shenjat e naftës në trup pasi kanë provuar ujin.

“Në plazhin e Durrësit, më saktë në zonën e Currilave, sot nuk bëhej dot plazh nga sasia e madhe e Naftës që nuk të shqitej nga këmbët. Në fakt ne futëm vetëm këmbët dhe ja si përfunduam e jo më të laheshim si do na ishte bërë trupi”-përfundon mesazhi i dërguar nga qytetarët.

Skandali i derdhjes së naftës në det nuk është një rast i padëgjuar për bregdetin e Durrësit, pasi një gjë e tillë ka ndodhur edhe dy vite më parë në plazhin e madh të qytetit. Plazhi i Currilave u ndot ditën e shtunë, atëherë kur një numër i madh pushuesish, të huaj e vendas po përfitonin nga moti i mirë, duke u zhgënjyer nga situata e krijuar, nga shkaktarë të cilët ende nuk janë identidikuar.

G.D.