Të gjithë ata drejtues automjetesh që mund të kalojnë në rrugën “Mbreti Pirro” sapo del nga Unaza e Kënetës, duhet të tregojnë kujdes. Në mes të rrugës ndodhet një gropë, së cilës banorët e zonës i vendosin blloqe betoni që të shihet lehtësisht prej drejtuesve.

Prej kohësh ajo është kthyer në burim aksidenti për shumë makina, drejtuesit e të cilave nuk arrijnë ta shohin në kohë gropën me beton përsipër, dhe i mbikalojnë duke i shkaktuar kështu dëme të mëdha mjetit të tyre.

Ajo ndodhet prej kohësh në këtë gjendje, dhe askush nuk kujtohet të vërë një tabelë sinjalizuese, e cila me ndriçimin e duhur fosforishent, u jep mundësi shoferëve që ta dallojnë së largu dhe jo në moment të fundit.

Banorët e zonës thonë për “DurrësLajm” se çdo ditë aty përplasen makina të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre ndodhin gjatë natës, kur e gjithë rruga është në terr të plotë siç mund ta shihni qartë në videon më poshtë.

“DurrësLajm” filmoi momentin kur një makinë e radhës sapo e kishte ‘pësuar’ duke tërhequr për pak metra betonin nëpër rrugë, ndërsa njëri prej banorëve që ka shtëpinë aty pranë, del për të pastruar ‘katrahurën’ që lë pas çdo aksident i radhës.

Në rast se autoritetet rrugore nuk kanë ‘mundësinë’ për ta mbyllur e asfaltuar këtë gropë, të paktën të vendosin një tabelë sinjalizuese! Kushton më pak!

S.L.