*Popullsia e vendit po tkurret me ritme më të shpejta se parashikimet, si rrjedhojë e rënies së lindshmërisë, por edhe rikthimit të ciklit të emigracionit. Në fillim të vitit 2017, ishin 8 mijë persona më pak se projeksionet e popullsisë së variantit të mesëm që lëshoi INSTAT për periudhën 2011-2031.
Numri i lindjeve ishte 8% më i ulët se pritshmëritë dhe rënia e popullsisë në grupmoshën deri në 15 vjeç ra gjithashtu me shpejtësi. Forca e punës do të vihet në alarm pas 10 vitesh për zëvendësim, teksa vendi nuk po përgatit as infrastrukturën ligjore për të moshuarit dhe politika shtesë për stimulimin e lindjeve dhe frenimin e emigracionit.
Ekspertët bëjnë thirrje për vëmendje, por struktura e re e qeverisë ka çorganizuar totalisht funksionet e kujdesit social

As periudha otomane, as dy Luftërat Botërore dhe as 50 vitet e regjimit komunist nuk i sollën kaq dëme popullsisë së vendit sa tranzicioni i pas viteve 1990, i cili po vijon të përkeqësohet si në treguesit shifrorë, edhe në ata të vitalitetit, pasi shqiptarët po tkurren më shpejt se parashikimet.

Në fillim të vitit 2017, popullsia ishte 8 mijë persona më pak se parashikimet e INSTAT-it për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare. Rënia në raport me pritshmëritë ka qenë më fatale për grupmoshën 0-15 vjeç, ku tkurrja ka qenë me 10 mijë të rinj më pak sesa pritej. Në të kundërt, të moshuarit po rriten me shpejtësi. Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8% të krejt totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011.

Të gjitha këto ndikime kanë zhbalancuar forcën e punës, ku mosha deri në 45 vjeç ka pësuar rënie të shpejtë. Në një anketim që “Shteti web” bëri në vitin 2015 për trendet e punësimit gjeti se rreth 45% e punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes OSHEE (punëdhënësi më i madh në vend) ishin mbi 50 vjeç.

Pas një dekade, kur 50-vjeçarët e sotshëm do të dalin në pension, forca e punës do të pësojë tkurrje të madhe duke bërë, që ekonomia e vendit të mos ketë përparësi në këtë drejtim. Këto zhvillime do të diktojnë shumë shpejt tendencat e konsumit dhe shpenzimeve publike. Shitjet me pakicë do të duhet të orientohen për shërbimet e moshave të vjetra, që nga ushqimet, veshjet dhe akomodimi, teksa shpenzimet e qeverisë nevojitet të zhvendosen nga shkollat tek qendrat e kujdesit social për të moshuarit.

monitor 795.indd

Por teksa shifrat mbi gjendjen e popullsisë po na përplasin në fytyrë një realitet të hidhur, qeveritë ndër vite i kanë injoruar këto zhvillime. Por pikërisht tani kur është koha për të vepruar, reforma e thellë institucionale në qeverinë ‘Rama 2’ ka shkrirë tërësisht Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale që po merrej me disa nga këto problematika. Një ligj për të moshuarit nuk dihet në cilët sirtarë ka ngelur dhe gjithashtu arsimi profesional, një strukturë e vlefshme për integrimin e të rinjve me tregun e punë, është pezull.

Emira Galanxhi, një nga ekspertet më të njohura në vend për çështjet e demografisë, thotë se politikëbërësit duhen të marrin masa para se të jetë vonë. Ajo thotë se duhen të ndërmerren politika për lehtësimin e kushteve dhe kostove për arsimin parashkollor, në mënyrë që të nxiten lindjet dhe gjithashtu këshillon që të vihen në veprim politikat për moshën e tretë, në mënyrë që produktiviteti i tyre në shoqëri të mundësohet edhe pas daljes në pension.

Galanxhi, tashmë në pension, për shumë vite, ka drejtuar sektorin e demografisë në INSTAT dhe ajo thotë se anketat kanë gjetur se gratë shqiptare kanë dashur të kenë fëmijë më shumë se sa kanë lindur. Ky është një tregues që familjet shqiptare po frenohen të kenë fëmijët që duan, për shkak të gjendjes ekonomike. Ekspertja këshillon që qeveria duhet të ndërmarrë politika për të zbutur fertilitetin, për të mbushur pikërisht këtë hendek.
Ekonomisti Koço Broka thotë se zhvillimet demografike në vendin tonë janë jashtëzakonisht të mëdha.

Ai vë në dukje se nga regjistrimi i parë i popullsisë në vendin tonë në vitin 1923, popullsia u rrit nga 814 mijë banorë, në 3,2 milionë banorë në vitin 1990, me të gjithë implikimet e veta të cilat asnjëherë nuk janë marrë realisht në konsideratë, duke përqendruar vëmendjen thjesht dhe vetëm në sistemin ekonomik shoqëror dhe rolin e qeverive. Broka thotë se më 1 janar 2017, popullsia sipas INSTAT ishte 2,876 mijë banorë dhe është pakësuar me 409 mijë banorë gjatë 27 vjetëve. Në vitet 1923-1945, megjithëse në tërësi lejohej emigrimi, popullsia në vendin tonë është shtuar me mbi 200 mijë vetë, ose mbi 37.8%, kurse pas vitit 1990 ajo është pakësuar.

Broka vë në dukje se forcat politike akuzojnë njëra-tjetrën se në periudhën e tyre janë larguar më shumë emigrantë apo azilantë, por nuk kanë thënë asnjë fjalë pse pas viteve 1990, emigracioni ka qenë galopant? Ai shpjegoi se, llogaritjet në lidhje me ecurinë e popullsisë për 25 vitet e ardhshme duhen marrë me rezerva për saktësinë e tyre. Koeficienti i fertilitetit është shumë i ulët dhe popullsia e vendit tonë do të ulet në mënyrë të pashmangshme për shkak të këtij faktori, pavarësisht nga ecuria e emigracionit.

monitor 795.indd

Skenari pesimist i lindshmërisë

Rënia e numrit të lindjeve reale me 8% nga skenari i mesëm i parashikimeve lajmëron se popullsia e vendit po futet në binarët e skenarit pesimist. Gjithashtu, numri i lindjeve ka pësuar një rënie të fortë që nga censusi i fundit. Në vitin 2011 lindën 34,285 bebe, ndërsa në 2016-n lindën 32,1 mijë bebe ose 8% më pak.

Lindjet, përkeqësim më shumë se parashikimet

Në vitin 2016 lindën 32 mijë bebe në të gjithë vendin, ndërsa pritshmëritë zyrtare të shprehura në projeksionin për ecurinë e popullsisë në periudhën 2011-2031, ishin që lindjet po atë vit të arrinin në rreth 34 mijë e pesëqind bebe. Rënia e numrit të lindjeve reale me 8% nga skenari i mesëm i parashikimeve lajmëron se popullsia e vendit po futet në binarët e skenarit pesimist. Gjithashtu, numri i lindjeve ka pësuar një rënie të fortë që nga censusi i fundit. Në vitin 2011 lindën 34,285 bebe, ndërsa në 2016-n lindën 32,1 mijë bebe ose 8% më pak.
Në vitin 1990, kur ekonomia shqiptare preku ekonominë e tregut pas 45 vitesh izolim, numri i lindjeve ishte mbi 82 mijë bebe në një vit. Por pas 27 vitesh me ngjarje eksodi masiv të shqiptarëve jashtë vendit, lindjet pësuan rënie drastike me 61.3% më 2015.

Duke parë trendin historik të lindjeve që nga vitet 1991 shihet një lidhje e qartë me migracionin. Bebet ranë sistematikisht në vitet 1990 – 1994, të ndikuara nga vala e parë e emigracionit. Deri në vitin 1996, ishin larguar nga vendi mbi 600 mijë shqiptarë.
Viti i mbrapshtë 1997 shënoi eksodin e dytë më të madh të shqiptarëve me mbi 100 mijë të larguar nga vendi në një vit, hemorragji që do të vijonte edhe në vitet e mëvonshme, duke i ndikuar negativisht lindjet deri në vitin 2009.

Më pas, thuajse për pesë vite rresht, pati një stabilizim të emigracionit dhe gjithashtu lindjet ndaluan rënien dhe nisën të rriten deri në vitin 2015. Por fenomeni i pakësimit të bebeve është rikthyer frikshëm në dy vitet e fundit. Në vitin 2016 lindën 3% më pak bebe. Që nga viti 1960, indeksi sintetik i fekondimit (numri i lindjeve për një grua) ka pësuar rënie të vazhdueshme. Ky indeks në vitin 1960 ishte mjaft i lartë, më shumë se 5 fëmijë për një grua të grupmoshës riprodhuese, ndërkohë që në vitin 2014, ky indeks është ulur në 1.78 fëmijë për një grua dhe më 2016 është 1.54 fëmijë për grua, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Kjo do të thotë se për çdo 100 gra kanë lindur 154 fëmijë vitin e kaluar.

Vitin e kaluar, gratë lindën mesatarisht 27 vjeç, krahasuar me moshën mesatare të burrave 32,5 vjeç. Koeficientët specifikë të lindshmërisë, sipas gjinisë për 2016-n, tregojnë dhe mbështesin faktin se burrat e fillojnë aktivitetin e të pasurit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5-vjeçar më vonë, ndërkohë normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë. Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm, i publikuar nga INSTAT. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Gjatë periudhës 2007 – 2016, KBR luhatet ndërmjet vlerave 0,76 dhe 0,85. Mesatarja e këtij treguesi gjatë kësaj periudhe është rreth 0,79. Kjo do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 20% larg zëvendësimit të vetvetes.
Pas vitit 2013, ritmet e rënies konsiderohen të shpejta nga demografët. Për lindjet djem kemi një rënie 4%, ndërkohë për lindjet vajza, tkurrja është 2%.

monitor 795.indd

Ku duhet ndërhyrë

Ekspertja Galanxhi thotë se te gratë shqiptare, dëshira për riprodhim është më e madhe në raport me fëmijët që ato kanë. Ajo tha se disa vende të Europës janë duke marrë masa për të stimuluar lindshmërinë. Në Itali, së fundmi, janë bërë disa ndryshime që u japin nënave një vit leje, të cilën kanë të drejtë ta marrin deri sa fëmija të bëhet 12 vjeç. Përveç lejes së lindjes pesëmujore, nënat e reja dhe baballarët e rinj në Itali mund të përdorin lejen 12-mujore gjatë kohës që fëmija rritet, si për shembull në rastet kur ai është sëmurë. Galanxhi thotë se kushtet ekonomike janë një faktor themelor që e pengon lindshmërinë. Qeveria jonë, momentalisht, thotë ajo, duhet të ndërhyjë për të përmirësuar shërbimin dhe oraret në arsimin publik fillor.

Oraret e fëmijëve në shkolla duhet të jenë të njëjta me ato të nënave në punë, përndryshe krijohen kufizime ekonomike në familjet e reja, pasi nënat në shumë raste kanë më tepër leverdi të rrisin fëmijën në shtëpi se sa të punësojnë një person tjetër. Gjithashtu Galanxhi thotë se duhet të vijojë solidariteti i brezave ku gjyshërit dhe të afërmit e tjerë të ndihmojnë në rritjen e nipërve dhe mbesave.

Ajo sugjeron të ndërhyhet edhe në përmirësimin e kopshteve duke reduktuar numrin e fëmijëve. Sipas saj, kjo masë do të ndihmojë që fëmijët të mos sëmuren dhe nënat e reja të mos pengohen për tregun e punës dhe ta kenë më të lehtë të planifikojnë një fëmijë të dytë. Shërbimi publik i kopshteve dhe çerdheve nuk u përshtatet orareve të punonjësve në sektorin privat, si me ditët e pushimit në fundjavë dhe në festat zyrtare, duke u kthyer në një pengesë për familjet e reja që punojnë me rroga poshtë mesatares.

Emigrimi, po ikin të rinjtë

Demografia Majlinda Nesturi, nga INSTAT, ka komentuar më parë për “Monitor” se, një ndër faktorët kryesorë të rënies së lindjeve këtë vit, lidhet me emigrimin.

Në vitin 2015, një valë emigracioni prej 67 mijë personash u regjistruan si azilantë në vendet e BE-së, një nivel rekord i viteve të fundit. Qendra kërkimore “Pew Research”, që ka përpunuar të dhënat e Eurostat për emigracionin në vendet e BE-së në vitin 2015, tregoi se 80% e azilkërkuesve shqiptarë ishin nën 35 vjeç, moshë e cila realizon 90% të riprodhimit.

Karakteristikë themelore e valës së emigracionit këtë herë ishte ikja e familjeve, ndryshe nga vendet aziatike ku emigrojnë kryesisht meshkujt vetëm. Azilkërkuesit nga vende si Rusia, Serbia, Ukraina dhe Shqipëria kanë tendencë për t’u zhvendosur si familje.

Divorcet po ndikojnë lindjet

Divorcet kanë shënuar një rritje të shpejtë sidomos tre vitet e fundit por fenomeni ka kulmuar vitin e kaluar. Në vitin 2016 për 100 martesa pati 31.2 divorce; një vit më parë, më 2015, kishte 21 divorce për 100 martesa, sipas raportit të INSTAT, “Burra, gra në Shqipëri”, publikuar në qershor 2017.

Viti 2016 shënoi koeficientin më të lartë të divorceve nga viti 1990. Nuk ka një studim për grupmoshën e divorceve, por trendi i lartë ndikon për keq te lindshmëria – shpjegon demografia Galanxhi.
Në vetvete, numri i martesave është gjithashtu me rënie, një raport i drejtë ky për rënien e të rinjve në grupmoshën për martesë. Në vitin 2016, numri i martesave shënoi rënie me 11.7% nga viti 2011, teksa numri i divorceve është rritur me 53% që nga viti 2016. Burimet nga gjykata kanë pohuar se shkaqet kryesore të divorceve janë kushtet ekonomike, dhuna dhe emigracioni.

Sot, mesatarisht, një burrë martohet në moshën 30.4 vjeç dhe një grua në moshën 25.1 vjeç. Mosha mesatare në martesë, si për meshkujt edhe për femrat nuk ka ndryshuar shumë gjatë viteve. Në tre vitet e fundit, vihet re rritje e lehtë e moshës në martesë për të dyja gjinitë.

Trupa e nxënësve, në tkurrje drastike

Numri i nxënësve që ndoqën arsimin 9-vjeçar gjatë vitit të kaluar shënoi rënien vjetore më të madhe që nga viti 1991, duke dhënë sinjale alarmi se forca e re e punës në Shqipëri do të vihet në vështirësi në dekadën në vijim. Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, numri i nxënësve që ndoqën arsimin 9-vjeçar në vitin 2015-2016 ra me 5.4% në raport me vitin 2014-2015, rënia më e fortë në 26 vitet e fundit. Në të gjithë vendin, arsimi 9-vjeçar u ndoq nga më shumë se 343 mijë nxënës në 2016, nga më shumë se 363 mijë nxënës që ishin në vitin në 2015.

Projeksionet arsimore tregojnë se numri i nxënësve që pritet të regjistrohen në arsimin e mesëm (Klasa 10) do të zbresë nga 60,139 (për grupin e personave të lindur në vitin 1998) te 39,612 (për ata të lindur në vitin 2005). Ministria e Mirëqenies Sociale, në një raport strategji për arsimin profesional 2014-2020, referon se për shkak të zhvillimeve demografike, shkollat profesionale do të përballen me rënie të numrit në masën 55% midis viteve 2013 dhe 2020. Në vitin arsimor 2016-2017 u regjistruan në shkollat profesionale 20981 nxënës, me një rënie të lehtë nga viti 2015-2016.
Pjesa e popullsisë në moshë pune parashikohet të rritet deri në vitin 2020, duke u ndjekur nga një rënie më pas. Kështu, një numër më i vogël njerëzish do të duhet të mbulojë grupe gjithnjë e më të mëdha të moshuarish, duke paraqitur kështu një numër sfidash në arsim, tregun e punës dhe në politikat sociale.

Emigracioni, plaga nuk po mbyllet

Numri i azilkërkuesve, për herë të parë nga Shqipëria në vendet e Bashkimit Europian, në tremujorin e parë të vitit 2017, ishte 5440 persona. Në vitin 2016, kërkesat për azil nga Shqipëria kanë qenë rreth 28 mijë persona, ndërsa në vitin 2015 ishin 67 mijë kërkesa për azil. Ritmi i ikjes së shqiptarëve nga vendi vijon të mbetet më i larti në Europë.

Në projeksionet afatgjata të popullsisë, INSTAT parashikonte sipas të gjithë skenarëve që emigracioni të ishte 100-300 mijë persona deri më 2030. Mirëpo ky fenomen është përkeqësuar vitet e fundit, duke kaluar edhe parashikimet më pesimiste.

Rritja e numrit të emigrantëve në tre vitet e fundit pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi, duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungesë direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri.
Bizneset, në fakt, kanë filluar të ndiejnë pasojat e largimit të fuqisë punëtore, që në një pjesë të konsiderueshme ka qenë e kualifikuar.

Anketimet që ka bërë Banka Botërore, INSTAT dhe organizata të tjera qeveritare, tregojnë se, arsyeja themelore e emigrimit të shtetasve shqiptarë është ajo ekonomike. Organizatat e profilizuara të fushës analizojnë se, emigracioni si fenomen masiv ndodh pas rënies së sistemeve politike, si në vitet 1990 ose pas krizave ekonomike, si ajo e vitit 1997. Por faktor kryesor i hemorragjisë sistematike është besimi i pamjaftueshëm i qytetarëve te qeveritë vendase se kushtet ekonomike do të përmirësohen në të ardhmen.
Popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Balancimi pothuaj neutral i migrimit pritet të ndodhë vetëm në vitin 2030, sipas INSTAT.

Por ekspertët shpjegojnë se gjithçka do të jetë në varësi të zhvillimit ekonomik të vendit në krahasim me vendet e tjera europiane. Parashikimet e momentit nuk presin që kjo të ndodhë para vitit 2031. Banka Botërore ka referuar se standardi i jetesës për të arritur vendet e BE-së do të zgjatet edhe më shumë, nëse vendi nuk rritet me ritmet 4%. Papunësia ndër të rinj në Shqipëri është mbi 28% aktualisht. Ndërsa niveli i pagave mesatare është shumë poshtë vendeve të BE-së. Mungesa e perspektivës shihet themelore.

Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ulja e migracionit mund të ndihmojë në rritjen e prodhimit. “Nëse migracioni neto do të reduktohet në zero, rritja reale e PBB do të përshpejtojë me 0.2 pikë përqindjeje”.
Banka Botërore, nga ana tjetër, ka konfirmuar se, Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë. Sipas statistikave të Bankës Botërore, emigracioni neto gjatë periudhës 2011-2015 ishte – 91,750 persona (kjo është diferenca ndërmjet ikjeve dhe ardhjeve).

/MONITOR/