Një projekt-ligj mbi përdorimin e gjuhëve në Maqedoni hyri në procedurë parlamentare, duke shkaktuar debate midis ligjvënësve opozitarë dhe mbështetësve të tij. Ndonëse propozimi nuk emërton gjuhën shqipe por “gjuhën që flitet nga të paktën njëzet përqind e popullatës”, ai avancon ndjeshëm përdorimin e shqipes, ndërkohë që ekspertët thonë se shqipja nuk do të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni.

Diplomatë e ambasadorë të vendeve perëndimore dhe të organizatave ndërkombëtare ndoqën në parlament debatin mbi avancimin e gjuhës shqipe, të hapur në Komisionin për çështje evropiane. Edhe ekspertë të çështjeve ligjore dhe personalitete publike të përfshihen në debat. Por, ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së opozitare janë të vendosur që përmes procedurave dhe taktikave politike ta zvarrisin debatin pa u lënë hapësirë të tjerëve të shprehin mendimet dhe vlerësimet për çështjen.

Ministria e Drejtësisë që ka përgatitur draftin, thotë se me miratimin e tij do të përfitojnë të gjitha komunitetet dhe askush nuk do të dëmtohet nga ligji i ri.

Ministri Bilen Saliji tha se në këtë mënyrë Maqedonia do të zhvillohet në një shoqëri me qytetarë të barabartë. Ai shpjegoi në hollësi mënyrën dhe vendin e përdorimit të gjuhës ose gjuhëve të ndryshme nga maqedonishtja.

“Me projekt-ligjin parshikohet që në të gjithë territorin e vendit dhe në marrëdhëniet ndër-fqinjësore, përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik, gjuhë zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin të paktën njëzet përqind e qytetarëve. Në të gjitha organet e autoriteteve shtetërore, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, zyrat dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike dhe në institucione të tjera, krahas maqedonishtes, gjuhë zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin të paktën 20 përqind e qytetarëve dhe alfabeti i saj. Për përdorimin e gjuhës të cilët e flasin më pak se 20 përqind e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale, vendosin organet e njësisë së pushtetit lokal”, tha ministri Saliji.

Ministri tha se përdorimi i gjuhëve do të shtrihet edhe në uniformat policore, në procedura gjyqësore, etj.

Por, VMRO-DPMNE vlerëson se projekt-ligji është kundër-kushtetues, se partitë e pushtetit e kanë vendosur atë joligjërisht në procedurë parlamentare me projektet me përparësi që kërkohen nga Bashkimi Evropian dhe se më këtë dëmtohen komunitetet e tjera më të vogla etnike.

Antonio Milloshoski thotë se drafti i paraqitur ka për qëllim ta fshehë, sipas tij, marrëveshjen politike që bën shkeljen me forcë të rendit kushtetues duke miratuar me procedurë të shpejtë pa debat publik një ligj antikushtetues.

Deputetët opozitarë maqedonas kërkojnë që me draftin të merret komisioni amë për sistem politik së pari e jo komisioni për çështje evropiane.

Por drejtuesi i komisionit, Artan Grubi sqaron:

“Në përputhje me rregulloren, me nenin 60 të rregullores, kryetari i parlamentit e përcakton trupin amë për propozim-ligjet e dorëzuara tek parlamenti dhe kryetari i tij, është përcaktuar që komision amë për këtë ligj të jetë Komisioni për çështje evropiane, me ç’rast nuk përjashtohet që ky debat të zhvillohet edhe në komisione të tjera, por në një afat prej tre ditësh, në përfundim të ditës së enjte, në përfundim të orarit të punës”.

“Ligji është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, është në funksion të ndërtimit të mirëbesimit mes komuniteteve; ligji e ndërton kohezionin ndëretnik në Maqedoni dhe në radhë të parë i bën qytetarët shqiptarë të ndihen më të baranartë se sa deri më tani”, tha deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.

Ndërkaq, një pjesë e ekspertëve si Osman Kadriu vlerëson se propozim-ligji bën avancimin por jo zyrtarizimin e shqipes në Maqedoni. Dhe zbatimi i ligit të ri do të jetë edhe më i vështirë, thotë eksperti i çështjeve kushtetuese:

“Në propozim ligjin në fjalë, në qoftë se miratohet, me të gjitha ato risi, nuk garantohet se gjuha shqipe do të jetë gjuhë zyrtare në nivel të shtetit. Nuk kemi dygjuhësi në Maqedoni dhe me këtë ligj nuk kemi barazim të gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase. Por, çka fitohet? Një cilësi e rëndësishme që ka të bëjë me statusin apo avancmin e statusit të gjuhës shqipe, meqenëse në propozim ligj parashikohen institucionet, ndërmarrjet, të gjitha ato që kanë status të personit juridik, duke përfshirë edhe organet e pushtetit në nivel të shtetit në të cilat do të përdoret gjuha shqipe në një nivel të caktuar. Ajo që është risi, edhe do të jetë shumë rëndë për ta zbatuar është procedura gjyqësore, penale, civile, administrative dhe drejtimi i procedurës që të sigurohet në gjuhën shqipe”, thotë z. Kadriu.

Ndërkaq, deputetët e VMRO-së pritet ta kundërshtojnë sjelljen e ligjit duke përdorur metodat e zvarritjes së seancave. Pasi të jetë miratuar, ligji do t’i kalohet Komisionit të Venecias për një mendim, por ai nuk do të jetë obligativ.

/Voa/