Autoriteti portual puljez pret të bashkëpunojë me homologët e tyre shqiptarë për të zgjidhur problemet e flukseve që bëhen gjithmonë e më frekuentë e që bllokojnë portin e Barit, sidomos gjatë periudhës së pushimeve verore, duke krijuar në këtë mënyrë probleme të rënda për turistët që shkojnë apo ata që kthehen nga Shqipëria. Specifikisht, Italia kërkon së pari që nga Durrësi të organizohen në orare të ndryshme nisjet e tragetëve me destinacion Barin (pra jo të gjithë në orën 23.00), në mënyrë që të administrohet situata e zbarkimeve të pasagjerëve dhe së dyti që të mund të fillojnë kontrollet e Policisë Italiane që në momentin e imbarkimit në Durrës. Këto dhe detaje të tjera u bënë të ditura nga Presidenti i Autoritetit të Adriatikut jugor, Z. Ugo Patroni Griffi (nga i cili varet edhe porti i Barit) gjatë një bisede në Facebook me gazetarin Carlo Bollino, i cili prej kohësh denoncon mungesat në shërbime të portit të Barit në dëm të pasagjerëve shqiptarë, ndërsa nga ana tjetër vlerëson si mjaft efikase punën e portit të Durrësit. Biseda në Facebook filloi pas komentit të Bollinos në artikullin e të përditshmes italiane, La Repubblica, ku mes të tjerash vlerësohej e i vihej theksi një marrëveshjeje bashkëpunimi të arrirë mes Autoritetit të portit dhe konsullatës shqiptare të Barit pikërisht për të zgjidhur problemet e portit puljez.

Në vazhdim shkëmbimi i mesazheve mes Carlo Bollinos dhe Ugo Patroni Griffit në Facebook. 
CARLO BOLLINO – Duke parë se situata në portin e Barit nuk ka asnjë ndryshim, do dëshiroja të di nga kolegia, autorja e artikullit te La Repubblica se cila është dhe në çfarë konsiston marrëveshja e bashkëpunimit e firmosur mes Autoritetit të portit të Barit dhe konsullatës shqiptare në Bari për ''të reduktuar problemet në portin e Barit''. Ndryshe nga sa deklaron Presidenti i Autoritetit të Adriatikut jugor, Ugo Patroni Griffi, situata e portit barez që drejton është e mjerueshme sot ashtu sikurse edhe 5 apo 10 vite më parë. Radhët nga dhe për në Shqipëri vazhdojnë të jenë të turpshme për një vend të civilizuar, ashtu siç është e turpshme (poshtëruese)mënyra se si trajtohen çdo ditë qytetarët shqiptarë, tashmë gjithmonë e më shumë turistë dhe sipërmarrës, të detyruar për të përdorur këtë rrugë. Disa ditë më parë në portin e Barit u vendosën shiritat bardh e kuq (të përdorur normalisht në kantierët e përkohshëm ose në vendet e krimit) për të shënuar rrugën e pasagjerëve dhe për të evituar që pasagjerët duke zbarkuar të mos përfundojnë në ujë. Ta përkufizosh të turpshme këtë situatë është pak,e megjithatë informohemi pikërisht nga presidenti Patroni Griffi që trafiku me Shqipërinë edhe këtë vit është në rritje të vazhdueshme. Do ishte e drejtë të informohej personeli i mbarëvajtjes së brendshme që i konsideron akoma shqiptarëtnë tranzit si pasagjerë të bezdisshëm (edhe pse varen nga taksat portuale me të cilat paguhen edhe rrogat e tyre), ka ardhur koha që Autoriteti i portit, Prefekti dhe Ministria e Brendshme të ndërhyjnë për të garantuar, secili brenda kompetencave të tij, hapjen e një numri më të madh pikash kontrolli për tranzite dhe kontrolle automjetesh dhe pasagjerësh. Fatkeqësisht edhe kategoria ime, shtypi dhe gazetarët në tërësi, vazhdon të injorojë këtë problem duke bërë në njëfarë mënyre aleancë me heshtjen dhe indiferentizmin. Pasi u arrit shembja e stereotipit të Shqipërisë si vend gjenerues i krimit dhe si origjinë klandestinësh, tani do duhet luftuar edhe për të bindur ata që shkruajnë që të mos merren vetëm me pjatat e midhjeve 5 euroshe, por edhe me infrastrukturën tonë të degraduar që prej vitesh janë një problem serioz për këdo që vendos të arrijë e të vizitojë këtë Shqipëri të re magjepëse.

Ugo Patroni Griffi – I isha përgjigjur privatisht Carlos. E bëj përsëri edhe publikisht. Të dhënat tregojnë se gjatë viteve të fundit dhe pavarësisht nga rritja e trafikut dhe sigurisë, flukset janë përmirësuar. Është e pamohueshme që porti i Barit po vuan nga një kongjestion i rëndë. Kjo si pasojë e mos përfundimit të Marisabellas (një shesh pushimi brenda portit). Për të trajtuar këtë problem, para verës u mbajt konferenca e shërbimeve promovuar nga rajoni i Pulias, ku u bë e mundur një rritje në orët e shërbimit të forcave të rendit dhe dhe subjekteve të përfshira në kontrollet e sigurisë dhe doganave. Gjithashtu, u është kërkuar kompanive që të përdorin slote të diversifikuara për zbarkimet, por për fat të keq, për këtë aspekt është e nevojshme një marrëveshje me Durrësin që të imponojë nisje të njëpasnjëshme e të koordinuara. Po punojmë me konsullin shqiptar në këtë drejtim. Kemi kërkuar gjithashtu një marrëveshje që lejon që kontrollet e sigurisë të bëhen në momentin e imbarkimit në Shqipëri. Përveç kësaj, po përgatis draft projektin për dyfishimin e pikave të kalimit dhe apaltin për administrimin e stacioneve detare sipas modulit të partneritetit publik/privat.

Carlo Bollino – President Ugo Patroni Griffi ju falënderoj për përgjigjen edhe pse kam frikë se do ju zhgënjej për qëndrimin tim. Ka vite tashmë që flitet për përfundimin e Marisabella që do rezultojë e pamjaftueshme e që do rezultojë e padobishme për zhbllokimin e trafikut dhe flukseve në port nëse më parë apo ndërkohë nuk do ndërhyet në burime apo zgjidhje të tjera. Duke filluar me terminalin e pasagjerëve, me 4 kalime "teorike" (në Durrës janë 10) që reduktohen shpesh në dy për shkak të mungesës së personelit të policisë. E njëjta gjë vlen edhe për kalim makinash: ekzistojnë vetëm dy (në Durrës ka 12) por njëri është ende i mbyllur sepse nuk ka policë dhe financierë. Pra, nëse qeveria italiane nuk do vendosë më shumë staf, çdo investim infrastrukturor do të jetë i padobishëm. E ç’mund të thuhet për thellimin e portit? Porti është aq i cekët sa që anijet më të mëdha janë të detyruara të ndalen në pjesët e urave/kepeve të portit, duke i detyruar kamionët dhe makinat të rrotullohen dhe të ngadalësojnë manovrat, si në momentin e imbarkimit ashtu edhe gjatë atij të zbarkimit.

E përse nuk është menduar apo planifikuar të ndërtohet të paktën një strehë në pjesën e kalimit të pasagjerëve për t’i mbrojtur qindra shqiptarë që mbërrijnë në Bari e që janë të detyruar të qëndrojnë për orë të tëra nën diellin flakërues ose nën shi, përpara se radha e kontrolleve të shkurtohet mjaftueshëm sa për të hyrë më në fund në ambjentet e terminalit, ku ndoshta një funksionimi i sistemit të ajrit të kondicionuar do ta bënte më pak të vështirë pjesën e mbetur të pritjes? Ju synoni zbarkimet e copëzuara. Shpesh tragetët arrijnë në orare të ndryshme, por gjithsesi mund të dëshmoj personalisht se situata nuk ndryshon: sepse nëse koha e zbarkimit dhe e kontrollit arrin ndonjëherë edhe në 4 orë, mbivendosja dhe bllokimi janë të pashmangshme. Së fundmi, ju theksoni se i keni kërkuar palës shqiptare një marrëveshje që të lejojë kontrollet e sigurisë që në momentin e imbarkimit në Shqipëri: Kam qenë dëshmitar i një kërkese bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama ish-kryetarit të Autoritetit Portual të Barit gati tre vjet më parë. Dhe kundërshtimet në atë kohë vinin kryesisht nga pala italiane.

Ugo Patroni Griffi – Carlo, unë nuk i mohoj problemet. Unë përpiqem t’i përballoj. Siç e di, kam vetëm tre muaj që jam në këtë post. Gjatë kësaj periudhe kam vënë disa baza për të rinisur ndërtimin e Marisabellas dhe për rekuperimin e molit Norman. Ashtu sikurse edhe për veprimet e nevojshme për të gjetur burimet financiare për thellimin e portit. Për stacionin detar, siç thashë, i kërkova zyrave të planifikojnë sa më parë një projekt zgjerimi për të filluar sa më parë punën për ndërtimin e tij. Po ashtu edhe për thellimim e portit. Natyrisht, informimi i shtypit do jetë një tipar karakterizues imi, qoftë për vijueshmërinë dhe zhvillimet e mëtejshme e gjithashtu  edhe mbi problematikat e mundshme, pa theksuar zhvillimet apo duke anashkaluar e reduktuar problemet. Ashtu siç kam bërë gjithmonë.

/Shqiptarja.com/