Kantautori i njohur Alban Skënderaj, ka "çmendur" të rinjtë durrsakë mbrëmjen e djeshme. Ai ka qenë i ftuar special në një prej klubeve verore të qytetit bregdetar, ku ka performuar këngët më të spikatura të repertorit të tij.
Fituesi dy herë rresht i “Top Fest” ka bërë publikun ta shoqërojë me duartrokitje gjatë gjithë kohës e të këndojë njëzëri këngë të tilla si: "Mirmëngjes", "Diçka" dhe këngën më të re "Nuk je vetëm" që është mirëpritur nga publiku. E nuk mund të mungonte në këtë ‘buqetë’ muzikore kënga e tij e parë "Vetëm ty", me të cilën Albani e bëri Shqipërinë të dashurohej menjëherë me zërin e tij dhe me çdo hit që kantautori do të sillte në vijim.
Me modestinë e një artisti të madh ai u shpreh se pa publikun këngëtarët nuk janë asgjë.
E në fakt publiku durrsak e priti dhe e shoqëroi me duart lart këngëtarin gjatë gjithë performancës nga fillimi deri në fund.
Të shumtë kanë qenë edhe fansat që pas koncertit kanë mbajtur radhën për një foto me këngëtarin.
R.O.





