Në ditën e lindjes së studiuesit të njohur Moikom Zeqo, i ndarë nga jeta pak muaj më parë, një ceremoni e veçantë e titulluar “Arkeologu nënujor i kulturës qiellore” është zhvilluar në kujtim të tij në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Personalitete të fushave të ndryshme, si arkeologu Neritan Ceka, shkrimtarja Diana Çuli etj folën për kontributin e madh në kulturën shqiptare të shkrimtarit, historianit, publicistit dhe studiuesit Moikom Zeqo, i lindur në Durrës, më 3 qershor 1949.

E pranishme në ceremoni ishte edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e cila, përmes një postimi në rrjete sociale, vë theksin në kontributin e madh që Zeqo dha gjatë jetës së tij jo vetëm për qytetin ku lindi, por edhe vendin.  

“Emri i tij është i lidhur jo vetëm me Durrësin, të cilit, me veprën e tij të shumanshme, i dha nder e krenari, por në shkallë kombëtare e ndërkombëtare.

Për meritat, vlerat dhe kontributin e tij të çmuar Moikom Zeqo është nderuar nga bashkia e Durrësit me titullin qytetar nderi i Durrësit në vitin 2015 kur ai ishte ende ne jete dhe aktiv dhe i perkushtuar në punën tij me vlera te jashtezakonshme.

Durrësi ka nxjerrë shumë personalitete që na kanë bërë krenarë të gjithëve me kontributin e tyre. Njëri prej tyre është padyshim Moikom Zeqo i cili i me veprën e tij shumëplanëshe i shërbeu jo vetëm qytetit tonë por të gjithë kulturës sonë kombëtare”,– shkruan Sako.

Moikom Zeqo u nda nga jeta në orët e para të 15 qershorit 2020, në moshën 71-vjeçare, pas nje lufte disa vjecare me leuceminë.