Në Durrës kanë nisur netët e bardha, ose ato të cilat të mbajnë zgjuar deri në lindje të diellit.
Durrësi është kthyer në kryeqytetin e argëtimit të mijëra të rinjve, që gjenden këtu me pushime, apo që frekuentojnë jetën e natës deri në orët e para të mëngjesit.
Mijëra të rinj, midis tyre të huaj që kanë mbërritur në plazhet e vijës bregdetare të Durrësit, të tjerë nga trevat shqipfolëse apo ata që janë kthyer nga studimet jashtë vendit janë frekuentuesit më të shpeshtë të pubeve verore që kanë tejmbushur bregdetin.
Pas mesnate, të rinjtë grupe-grupe, i drejtohen pubeve verore, ndërsa festat nisin në orën 01.00 të mëngjesit e zgjasin deri në orën 05.00.
Të rinjtë thonë se argëtimi është elementi kryesor i pushimeve të tyre.
DurrësLajm ka qënë në një prej pubeve ku të rinj nga Shqipëria, por edhe pushues belgë, suedezë, polakë e boshnjakë mbipopullojnë klubet e natës.
Për pushuesit e huaj, jeta e natës në plazhin e Durrësit është e larmishme dhe shumë e bukur. Ata thonë se nuk e kishin menduar që edhe në Durrës kishte organizime kaq të mëdha e të bukura.
Këtë fundjavë, në një prej pabeve në Durrës të ftuar ishin tre këngëtarë, Nora Istrefi, Xhensila e Getinjo.
Artistët që janë shumë të pëlqyer nga të rinjtë, pak para se të dilnin në skenë thonë se publiku durrsak është mjaft i ngrohtë dhe çdo herë i ka mirëpritur artistët.
Për çdo natë pubet prenotojnë këngëtarët më të mirë të skenës shqiptare, nga Shqipëria dhe trojet shqipfolëse.
Pubet thërrasin përveç këngëtarëve edhe balerinë, akrobatë, dixhej të njohur etj, për të garantuar një argëtim maksimal për publikun.
Në disa pabe, hyrja është falas, ndërsa në të tjerë, për djemtë hyrja është 1 mijë lekë, ndërsa për vajzat 500 lekë, ose 7 dhe 4 euro hyrja.
Çfarë ndodh në klubet e natës, ju ftojmë ta ndiqni materialin më poshtë.
K.H.





