Të tjera detaje kanë dalë pas ngjarjes së ndodhur në Lushnje, ku u vra me armë zjarri 62-vjeçari Rako Qorri dhe u plagos djali i tij Kejdi Qorri 31 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:47, në fshatin Fier i Ri në Lushnje në lokalin e viktimës.
Sipas News 24 autori i dyshuar i krimit, Sofokli Shani, pak pas ngjarjes i ka rrëfyer gruas në telefon se kishte vrarë 62-vjeçarin dhe kishte plagosur djalin e tij.
Më pas ai ka pritur në banesën e tij që të vinte policia, e cila bëri të mundur edhe arrestimin e tij. Ngjarja nisi pas një sherri për pije, ku autori kishte kërkuar një gotë raki.
Pasi ishte zënë me djemtë e viktimës, duke u përleshur fizikisht, autori kishte shkuar në banesë dhe kishte marrë prej aty një kallashnikov, dhe ishte kthyer sërish në lokalin e 62-vjeçarit dhe kishte qëlluar në drejtim të Rako Qorrit, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa i kishte plagosur të birin, Kejdi Qorrin, 31 vjeç.
I riu është transportuar në spital në Tiranë, në gjendje të rëndë për jetën. Mësohet se Shani ka qenë 15 vite i dënuar para viteve ’90 pasi kishte vrarë shokun e tij me thikë.





