Kanë mbetur vetëm tri ditë nga përfundimi i afatit të amnistisë për deklarimin e vendbanimit. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile tregon se është 5-fishuar numri i personave që paraqiten për të bërë regjistrimin.

Bledar Doracaj shpjegon se si kryhet deklarimi i vendbanimit dhe lehtësirat që u janë krijuar qytetarëve për të shmangur gjobën 10 mijë lekë të rinj, e cila merr formë pas datës 27 korrik.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtori Bledar Doracaj shpjegon se edhe personat që kanë më shumë se një shtëpi banimi, duhet të bëjnë deklarimin edhe të banesave të tjera, në të kundërt do të gjobiten.

Nga ana tjetër, sa i përket emigrantëve, ai shprehet se i shpëtojnë gjobës ata që vijojnë të kenë të njëjtën adresë para se të largoheshin nga Shqipëria. Por për ata që nuk e kanë të njëjtën adresë, është lënë si afat fundi i korrikut, nisur nga fakti se në këtë periudhë ata kthehen në Shqipëri dhe kanë mundësi të regjistrohen. Doracaj tregon se edhe në ligjin e vjetër parashikohej një gjobë prej 3 mijë lekësh për ata që nuk deklaronin vendbanimin 30 ditë nga momenti i ndryshimit. Por vlera e gjobës shkoi në 10 mijë lekë edhe për shkak të informalitetit të shtuar.

Data 27 korrik është afati i fundit i amnistisë për deklarimin e ndryshimit të vendbanimit. Si paraqitet situata gjatë këtyre ditëve, pak para përfundimit të këtij afati?

Duhet të kemi një gjë parasysh. Nuk është se ne kemi ndryshuar ligjin. Ndryshimet e fundit ligjore për ligjin e Gjendjes Civile janë bërë në dhjetor të vitit të kaluar dhe kanë hyrë në fuqi më 27 janar të këtij viti, për periudhën 6-mujore amnisti. Edhe ligji i mëparshëm, pa ndryshime, parashikonte që, në rast se shtetasi brenda 30 ditësh nga momenti i ndryshimit të vendbanimit, nuk bën ndryshimin edhe në zyrën e gjendjes civile, ky shtetas penalizohej me masën administrative gjobë, prej 3 mijë lekësh të rinj. Me qenë se Shqipëria, Tirana, apo edhe qytetet e tjera, pra, gjithkund kishte një kaos, ne propozuam një periudhë 6-mujore amnistie. Pas kësaj periudhe, ne sanksionuam një masë administrative gjobë, e 3.3-fishuam, duke e bërë 10 mijë lekë të rinj. Vetëm këto ditët e fundit, në sportelet e gjendjes civile, është mbi 4 apo 5- fishuar numri i shtetasve që drejtohen aty dhe kërkojnë ndryshimin e vendbanimit, sipas vendbanimit real, jovirtual.

Kush e vendos këtë masë administrative dhe ku duhet paguar?

Në momentin që ti paraqitesh në zyrat e gjendjes civile për të ndryshuar vendbanimin, nëpunësi i gjendjes civile kur konstaton se ka kaluar afati i përcaktuar në ligj, pra përtej amnistisë, merr masën administrative, gjobë prej 10 mijë lekësh, për të bërë ndryshimin e vendbanimit.

Qytetari që paraqitet për të bërë ndryshimin, duhet të shkojë më parë në Njësinë ku figuron i regjistruar, apo nuk është i nevojshëm çregjistrimi?

Jo, ndryshimi behët te Njësia që do të shkosh. Dy janë dokumentet që duhet të paraqesësh te Njësia ku ti banon realisht. Njëri nga dokumentet është certifikata e pronësisë, kontratë qiraje ose sipërmarrjeje, ose dokument nga Aluizni që je në proces legalizimi, dokumenti i dytë është fotokopje e kartës së identitetit të personave madhorë. Në momentin që nëpunësit i paraqiten këto dokumente, plotëson një formular, i cili firmoset nga aplikuesi. I gjithë ky proces zgjat jo më shumë se 2-3 minuta për të bërë zhvendosjen dhe vetë zyra e gjendjes civile tërheq gjendjen civile nga zyra ku je i regjistruar, në zyrën ku ti e regjistron si vendbanim aktual.

Në rast se personat që jetojnë me qira nuk e kanë një kontratë qiraje, pasi në shumicën e rasteve nuk respektohet ky kriter, si duhet vepruar?

Janë të përcaktuara në ligj dhe në aktet nënligjore që, personi që bën zhvendosjen duhet të ketë këto dokumente. Në qoftë se ata nuk kanë kontratë qiraje, duhet të shkojnë patjetër te një noter për ta bërë një të tillë, që ka fuqi ligjore.

Çfarë ndodh në rastin e emigrantëve, që jetojnë prej vitesh jashtë Shqipërisë?

Thashë që ka pasur një periudhë 6-mujore amnistie. Në qoftë se ata prej vitesh nuk kanë ndryshuar vendbanim, duhet të jenë banorë në atë adresë që kanë pasur më përpara. Në qoftë se ata nuk e kanë pastaj, ata do të bëhen objekt i ndryshimeve ligjore dhe nuk i kap amnistia. Në momentin e parë që ata do të vijnë dhe do të vendosin të bëjnë ndryshimet në gjendjen civile atëherë do paguajnë masën administrative prej 10 mijë lekësh. Ne, prandaj, edhe kur bëmë ndryshimet ligjore, patëm parasysh që të kapnim edhe periudhën e verës, siç është fundi i korrikut, pasi një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve mund të kenë ardhur në Shqipëri dhe mund t’i bëjnë këto ndryshime duke përfituar nga amnistia. Megjithatë, me aq sa kemi konstatuar ne, nuk janë emigrantët problemi. Problemi është kryesisht Tirana, pasi është kthyer në një metropol me mbi 1 milion banorë dhe këtu është informaliteti më i madh. Shumica e banorëve e kanë zyrën e gjendjes civile në Bashki apo Njësi jashtë Tiranës dhe vazhdojnë të jenë banorë të Tiranës. Falë edhe medias e sensibilizimit që është bërë, qytetarët janë ndërgjegjësuar, janë sensibilizuar dhe po e sjellin gjendjen civile aty ku ata banojnë realisht. Për këtë arsye ne kemi vendosur që deri më 27 korrik që është afati i fundit, zyrat e gjendjes civile të qëndrojnë të hapura edhe të shtunë e të dielë dhe të jenë në shërbim të qytetarëve.

Po bashkëpunimi me OSHEE-në për sistemin e adresave, a ka ndonjë ndikim për procesin e deklarimit të ndryshimit të vendbanimit?

Bashkëpunimi me OSHEE-në është një tjetër proces. Është e para përpjekje serioze e Qeverisë shqiptare për krijimin e një sistemi funksional adresash. Prej 27 vitesh në Shqipëri nuk ka pasur një sistem adresash. Ka qenë një rrëmujë totale. Ky rrugëve u vihej emri sipas preferencave nga Këshilli Bashkiak, apo Këshillat e Komunave. Ky dyerve u viheshin numrat sipas dëshirave të banorëve duke blerë numra në treg. Ne sot mund të themi që çdo derë në Republikën e Shqipërisë ka një adresë zyrtare. Në bashkëpunim me operatorët mes tyre edhe me OSHEE-në, që janë shpallur fitues dhe që tashmë procesi është në fazën e fundit të tij, ne sot jemi duke bërë verifikimet e fundit. Sot çdo derë, çdo dyqan, çdo biznes, çdo banesë në kuptimin e një shtëpie private, ka një adresë të përcaktuar të saktë. Ka ngelur një numër i vogël adresash, të cilat nuk janë lidhur me emrin e personave që jetojnë atje dhe këta mund të jenë, emigrantë apo shtëpi të dyta. Por për këtë jemi në proces verifikimi, pasi edhe këto duan një përgjigje dhe ne nuk do e mbyllim këtu këtë proces. Jemi në një bashkëpunim të ngushtë me pushtetin lokal dhe strukturat e Policisë, për të bërë të mundur identifikimin dhe lidhjen adresës apo banesës me personin (pronarin apo qiramarrësin). Por është një tjetër proces nga ky që ne po zhvillojmë sot. Me të përfunduar këto dy procese, shumë shpejt do të fillojë edhe një tjetër proces madhor, për të cilin janë miratuar të gjitha aktet ligjore e nënligjore, që është regjistrimi i adresave të shqiptarëve që jetojnë përtej kufirit.

Është përcaktuar ndonjë afat se kur parashikohet të përfundojë ky proces?

Siç thamë, jemi në fund. Ka pasur një “Stand By” për shkak të procesit të zgjedhjeve. Sot mbase edhe ne edhe OSHEE-ja do e kishim mbaruar procesin e verifikimit në terren të adresave të dorëzuara nga bashkimi i operatorëve. Nuk po jap datë, por besoj se shumë shpejt ne do të kemi një sistem adresash, i cili do u vihet në dispozicion dhe do të kenë akses të gjitha institucionet shtetërore dhe jo vetëm. Jemi në fund të tij. Megjithatë, ka një numër personash që kanë refuzuar t’u përgjigjen intervistuesve, apo edhe dyerve që nuk janë hapur për arsye që ne nuk i dimë. Për këtë arsye janë përfshirë në këtë proces SPZ-të e Policisë, apo të plotfuqishmit e zonës, apo kryepleqtë për të bërë të mundur përfundimin e këtij procesi.

Ka një numër të caktuar personash që jetojnë në një godinë që më përpara e kanë regjistruar si biznes, apo edhe anasjelltas, ka qenë banesë dhe tashmë funksionon si biznes. Çfarë parashikohet për këtë kategori personash?

Informacioni i parë qe kemi ne është që, çdo derë ka një numër. Ky numër lidhet me biznesin, duke qenë se intervistuesit u kanë marrë NIPT-in, kontratën me OSHEE-në dhe të tjerë elementë të kërkuar nga intervista, ose kartat e identitetit në rastin që është familjar. Kjo është një panoramë aktuale. Së çfarë do të ndodhë nesër, nëse unë e kam banesë dhe e kthej në sipërmarrje, apo e kundërta, kjo është një detyrë në vijim që duhet ta bëjnë struktura të tjera. Megjithatë, me të mbaruar procesi i adresave, projekti i popullimit, do të bëjmë bashkimin e dy regjistrave, regjistrin kombëtar të gjendjes civile me regjistrin kombëtar të adresave, për të pasur një regjistër unik, ashtu sikurse çdo shtetas ka një numër unik, edhe çdo adresë ka një numër unik. Çdo ndryshim tjetër do azhornohet në kohë reale nga nëpunësit e gjendjes civile dhe ne do të kemi informacionin në kohë reale në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Ashtu siç azhornohet dhe përpunohet në kohë reale regjistri i gjendjes civile, ashtu do të veprohet edhe me regjistrin e adresave. Që do të thotë se, nëse ti sot ndryshon vendbanimin nga pika A në pikën B dhe paraqitesh në zyrat e gjendjes civile për të bërë këtë ndryshim, në kohë reale ky ndryshim do të pasqyrohet edhe në regjistrin kombëtar të adresave. Nuk do të kemi më një regjistër që do na duhet t’i kthehemi kohë pas kohë, por do të kemi një regjistër që ndryshohet në kohë reale dhe është i saktë.

Po personat e ndarë nga trungu familjarë, por që vijojnë të jetojnë në të njëjtën adresë me familjen, si duhet ta deklarojnë vendbanimin e tyre?

Për këta nuk ka penalitet. Edhe në rast se ai deri dje ka jetuar jashtë trungut të familjes dhe sot vendos të bashkohet, ose thjeshtë nuk bashkohet por shkon për të jetuar në familjen e prindit, vëllait, etj., duhet të plotësohen kriteret e akteve nënligjore që është për frymë jo më pak se 4 metër katror, është i detyruar që edhe në rast se nuk ka kontratë qiraje, sepse ne nuk mund të kërkojmë që brenda një familje të paguhet qira, kërkohet një deklaratë e kryefamiljarit. Pra e pronarit të banesës para nëpunësit të gjendjes civile, ku dhe thuhet se është dakord që fëmija, babai apo nëna, të jetojnë në të njëjtën banesë.

Po në rastet kur një person ka në pronësi më shumë se një shtëpi?

Në rast se një shtetas ka më shumë se një shtëpi dhe sot ai jeton në shtëpinë A, pra ka të deklaruar si adresë vendbanimi shtëpinë A, ndërkohë që ka dhe një banesë të dytë B brenda apo jashtë qytetit, edhe kjo kategori shtetasish është e detyruar t’i drejtohet zyrave të gjendjes civile, për të deklaruar edhe banesën e dytë. Kjo bëhet me qëllim që, në rast se nesër ai ndryshon adresë, shkon për të jetuar nga shtëpia A në shtëpinë B, duke qenë se ndryshimi është bërë që në fillim, nuk është e nevojshme që të shkojë sërish te gjendja civile, pasi e ka deklaruar që në fillim këtë fakt. Edhe kjo kategori personash që ka afat deri më 27 korrik që të bëjë regjistrimin. Në rast se ai e deklaron edhe shtëpinë e dytë brenda këtij afati, kurdo që ta ndryshojë adresën e vendbanimit nga njëra shtëpi në tjetrën, nuk është subjekt i gjobës prej 10 mijë lekë. /PANORAMA