Një jetë si e Dashnor Dikos.

Nga muzika ritmike e fillim viteve ’90 te biznesi i bojërave dhe pasioni për sportin e peshkimit. Ish-këngëtari tashmë është peshkatar me patentë… Një bisedë për vitet e rinisë, familjen dhe dashurinë

 Ai është dashnori i të gjithëve! Pavarësisht se është shkëputur nga muzika, sërish miqtë më të mirë i ka në këtë rreth. Dashnor Diko, këngëtari i njohur i fillim vetëve ‘90 me këngën “Si banania” e cila sot e kësaj dite mbetet hit, e bëri të famshëm edhe këtë frutë të panjohur për Shqipërinë e kësaj kohe.

Sot, djali me kaçurrela që po i afrohet të 60-ave nuk është më aktiv në muzikë. 17 vite më parë ai u shkëput prej saj për t’iu përkushtuar biznesit të bojërave.

Duket një person pa mllefe. I kënaqur me jetën që bën dhe i lumtur nga çka rrethohet. Nuk i mungon pjesa e muzikës pasi dita e tij është mjaft e zënë me punë të tjera që i japin po aq kënaqësi.

Në këtë bisedë me Dikon zbuluam edhe një pasion të tijin të madh; atë për peshkimin. Këto kohë spektatorët e tij më të mëdhenj në fundjavë janë peshqit.
Ai është një gjuetar i zoti, ndaj shpesh mund ta shohësh buzë detit duke pritur gjahun e radhës me grep në dorë.

Muzika që la pas

Dashnori nuk është nga ata që nuk kërkon të mbajë dy kunguj nën një sqetull dhe ta shohë veten në një situatë të vështirë. Ai vendosi t’i “japë duart” muzikës, për t’u marrë me biznes privat dhe për t’ju përkushtuar familjes.
 

Të gjitha këto e bënë që t’i “fshihet” jetës gjithë xixa dhe të ndjekë një rutinë tjetër që mesa duket ia po ia shijon të mirat.
Por fillimet e tij nuk i harron, janë ato të cilat kanë lënë gjurmë në jetën e tij, gjurmë që e shoqërojnë ngado. E kujton veten si një të ri çapkën.
Shoku i tij i bankës në shkollën e mesme ka qenë Aleksandër Gjoka me të cilin ruan shumë kujtime dhe prapësira nga mosha e adoleshencës.
Edhe pse me një rrugë të shkurtër artistike, ai rrëfen se më mirë të jetosh pak në skenë, por të mbahesh mend gjatë…

Dashnori i ri ka patur shumë ëndrra… “Ëndërronim të jepnin koncerte nëpër stadiume si të mëdhenjtë e rrokut nëpër botë. Atëherë dëgjonim pak muzikë të huaj, dhe fshehurazi. I mësonim këngët ashtu si i dëgjonim.

Me Sandrin (Aleksandër Gjokën) kam pasur shije të përbashkëta muzikore. Ato na bënim që shembujt të ishin të njëjtë dhe pak a shumë edhe ëndrrat që thurnim për muzikën tonë, për karrierën artistike. Por, atëherë ishim gjimnazistë, nuk e dinim se do të bëheshim vërtet këngëtarë”- shprehet Diko për Dita-n.
 

Nostalgjia e pushton herë pas here. Vitet më të bukura të jetës i ka kaluar mes pasionit për muzikën, të cilën pavarësisht shkëputjes, nuk e ndan nga zemra. Miqtë më të mirë i ka nga arti. Është e njëjta shoqëri se ajo e fillim viteve 90. Dashnori është larguar nga muzika, por shoqërua e tij nuk është larguar nga ai….

“Kam kohë që unë kam ndryshuar drejtim, pasi jam fokusuar në menaxhimin dhe drejtimin e biznesit tim.
Ishte një moment kur krijon familje dhe bëhesh me fëmijë e patjetër që ke përgjegjësi shumë të madhe ndaj familjes, por sigurisht dhe skenës. Të dyja kërkonin dhe kërkojnë angazhimin maksimal.
Të jesh në muzikë, e sidomos në skenat shqiptare është shumë e vështirë që një artist të jetë edhe shumë i mirë ekonomikisht pasi vetë fusha e muzikës apo artit kërkon investim.
Nga ekonomia e qëndrueshme është e rëndësishme për të patur një familje të shëndetshme, ndaj dhe unë jam tashmë në fushën e biznesi”.
Por nga muzika ai ka marrë pas vetes edhe dy emra të rëndësishëm të cilët e kanë frymëzuar në rinin e tij. Ata kanë qenë idhujt e tij të cilët nuk i ka tradhtuar me kalimin e viteve.
“Unë për vete adhuroja Bob Marley-n dhe ende e dua muzikën e tij. Përpiqesha të këndoja si ai, por anglishten nuk e dija si ai. Mbaj mend se këndoja shumë edhe këngët e John Lenon.
Atëherë mendoja se fëmijët e mi do të quheshin Xhon dhe Bob, nëse do të ishin djem. Dhe në fakt, ashtu quhen. Tani kam dy fëmijë, dy djem që quhen Bob dhe Xhon. Këto ishin ëndrrat tona, këngët tona, koha jonë”.
Djali i madh i Dikos është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai studion për Inxhinieri Kompjuterike, ndërsa më i vogli është i pasionuar pas notit, dhe sipas të atit, shumë shpejt do i bashkohet të vëllait për të vazhduar edhe ai të njëjtën shkollë.
Për ish-këngëtarin të kthyer në biznesmen, familja është gjëja me e rëndësishme.

Por për një këngëtar një rikthim është gjithmonë një mundësi që qëndron.
“Rikthimi thoni ju? Këtë kërkesë ma bëjnë shpesh edhe miqtë e mi, kur mblidhemi shpesh në dreka apo dalje të ndryshme.
Madje më luten sikur vetëm një herë të këndoj, por jo. Për mua skena dhe muzika janë përgjegjësi e madhe.
Nuk mundem të rimarr një hap të pa menduar mirë. Unë e kam lënë duke kapur një kulminacion, jo vetëm unë, por thuajse gjithë brezi im dhe një rikthim është thikë me dy presa.
Unë muzikën dhe këngën e kam në shpirt, nuk jam në skenë por është tek unë. Kam kujtime shumë të bukura nga skena, është një mrekulli më vete”.
 
Peshkimi

Për Dashnor Dikon peshkimi është kthyer në një dashuri të madhe. Miqtë e tij e konsiderojnë si një ndër peshkatarët më të mirë në Shqipëri.
Ai e njeh mirë vijën bregdetare në të gjithë vendin, por me jugun ka një lidhje ndryshe, një nga ato lidhjet të cilat nuk mund të shpjegohen. Distanca e këtij vendi, nuk e ka trembur asnjëherë.
Qoftë kohë e mirë apo e keqe, qoftë ditë apo natë, nëse Nori dëshiron të qetësohet, niset në skajin jugor të Shqipërisë për të lundruar fillimisht, e më pas për të peshkuar.
Ksamili është vendi i tij e preferuar për të peshkuar. Qysh këtë fundjavë ai do të “ankorohet” në këtë perlë të rivierës shqiptare. “Për mua peshkimi është qetësi. Më largon nga rutina e përditshme. Është meditim. Është si të bësh Joga. Marr gomonen dhe lëviz në gjire të ndryshme. Kam patentë për peshkim, jam i certifikuar, kam lejen, jam në rregull me të gjitha. Kemi një bregdet të mrekullueshëm, të cilin e njoh në çdo pëllëmbë”- thotë Dashnori për Dita-n.
Diko thotë se në jetë duhen bërë disa llogari. Familja zë vendin e parë. Përkushtimi ndaj saj është detyrim.
Por nga ana tjetër, të jesh i pavarur ekonomikisht dhe të ndjekësh pasionet e tua është me rëndësi për një jetë të shëndetshme. Mesa duket Dashnor Diko, e ka hedhur grepin në kohën dhe në vendin e duhur.