Ndryshojnë kriteret e pranimeve në universitete. Pas katrahurës së një viti më parë ku me qindra individë u penalizuan sepse nuk shkuan në degët që kërkonin, Ministria e Arsimit ka vendosur që të bëjë një sërë ndryshimesh në mënyrë që të mos ketë më penalizime. Ishte vetë ministrja Lindita Nikolla, ajo e cila dje dha detaje mbi skemën e re të pranimeve në universitet. Në ditët në vijim do ketë një udhëzim të plot të saj, ku do përcaktohen të gjitha detajet dhe rrugët që duhet të ndjekin maturantët. Por risi e këtij viti do jetë fakti se kandidatët kanë të drejtë të çregjistrohen nga degët që kanë hedhur. Procesi i regjistrimit fillon që në fazën e parë, pra që në fazën e parë fillon ulja e vizës së kuqe, meqë ne jemi mësuar me këtë term. Nuk do të anashkalohet momenti i ankimimeve, por ai do të kryhet në proces. Nëse dikush gabimisht ka nxituar dhe thotë që jam regjistruar në një degë që nuk është preferenca ime, mund të çregjistrohet dhe pastaj fillon garën për në raundin e dytë. Ndryshe nga viti i shkuar, këtë vit sipas Nikollës, do të ketë më pak faza dhe gjithçka do të jetë më e lehtë edhe për maturantët.
Kërkesa e universiteteve
Skema që përdori Ministria e Arsimit për këtë vit rezultoi e dështuar, pasi me qindra maturantë e humbën të drejtën për të studiuar në universitetet që dëshironin. Për këtë arsye, pak kohë më parë universitetet i kanë propozuar Lindita Nikollës kushte të reja, duke u dhënë më shumë mundësi maturantëve. Përveç të drejtës së çregjistrimit, një tjetër ndryshim është edhe afati i nisjes së procedurave, i cili pritet të fillojë në muajin korrik dhe të mbyllet në një afat kohor më të shpejtë. Për këtë çështje ka folur dje dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, i cili ka dhënë detaje. “Maturantit nuk mund t’i cenohet e drejta të çregjistrohet. Nëse ai regjistrohet fillimisht në një fakultet të një universiteti dhe gjatë vazhdimit të procedurës krijohet hapësirë në një fakultet ku ai e ka më të preferuar, patjetër është e drejta e tij të shkojë”, tha ai pak kohë më parë. Më tej Kule shtoi se kriteret e tjera mbeten ato të një viti më parë, me notë mesatare 6 sipas ligjit të arsimit të lartë. “Unë kam besim të plotë se pranimet do të jenë efiçente dhe në Fakultetin e Ekonomisë nuk do të rastisë që këtë vit të bjerë niveli sikurse na ranë fund të vitit të kaluar në nivele shumë të ulëta”, tha ai.
Dështimi i skemës së pranimeve në universitet
Skema e përdorur në vitin akademik 2016-2017 rezultoi e dështuar, pasi me qindra maturantë mbetën pa arsim, ndërsa shumë të tjerë u detyruan të shkojnë në fakultete që kishin preferenca të fundit. Pas një vendimi të marrë nga Ministra e Arsimit gjatë muajve të verës, mesatarja e notave e të dy 18-vjeçarëve u rivlerësua nga 9.8 dhe 10.15 në 9.2 dhe 9.44. Ndryshimet u jepnin përparësi nxënësve të ekselencës, të cilët u shpallën fitues në disa degë njëkohësisht dhe i zunë këto vende derisa të zgjedhin një prej tyre, duke nxjerrë jashtë listave të para kandidatët e tjerë. Një tjetër arsye përse mijëra maturantë janë gjendur në mënyrë të beftë jashtë çdo fakulteti, janë ndryshimet e minutës së fundit nga Ministria e Arsimit për llogaritjen e pikëve të secilit maturant në varësi të lëndës dhe peshës që ajo zë në fakultetin që nxënësi po konkurron.