Biblioteka Publike në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve (dega Durrës), organizuan një pasdite kushtuar skulptorit Idriz Balani dhe përurimit të Katalogut të veprave artistike të tij. Mbrëmja u moderua nga specialistja e bibliotekës Teuta Dhima. Katalogu i veprave artistike të skulptorit Idriz Balani përfshin punën e tij 38-vjeçare (1978-2016). Nikolla Spathari në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi rëndësinë e mbledhjes së veprave artistike të skulptorit në një katalog, pasi vetëm kështu ato mund të të paraqiten të gjitha së bashku, pavarësisht vendndodhjes së tyre fizike.
Abaz Hado, piktor dhe studiues arti, autor i parathënies së katalogut të veprave theksoi: – “Rruga e kërkimit për skulptorin Idriz Balani nuk ndalon, por dinamika e formës futet nën ritmin e një skulpture të angazhuar me përmbajtje të fortë patriotike. Ky skulptor ndjek në një farë mënyre një trajtim realist, por jo duke riprodhuar, por duke krijuar imazhe të forta që burojnë nga dinamizmi i thellë i trajtimit plastik, ku shkon në analizë të çdo aksenti, por që ruan një tërësi unike”.
Keidi Sejdini, piktore dhe poete, e cila është përkujdesur për anën grafike, solli momente nga puna me skulptorin për realizimin e katalogut të veprave si edhe shprehu vlerësimin e saj për punën tepër krijuese të tij. “Më lajmëronte për fillimin e një vepre artistike dhe vetëm kur më thoshte e mbarova”,- u shpreh ajo.
Moderatorja e takimit Teuta Dhima, e përshëndeti skulptorin me poezinë: Ku shkoni ju, Statuja? Nga Fatos Arapi.
Kujtim Buza, Piktor i Merituar, kritik dhe studiues arti shprehu vlerësimin e tij për sa i përket punës së skulptorit Idriz Balani duke vënë theksin në arritjet e tij përsa i përket përjetësimit të figurave tona historike.
“Në skulpturën e Idriz Balanit, gjen brenda poezinë” – theksoi Alisa Velaj, lektore pranë UAMD- së. Idriz Balani jo vetëm ka realizuar përsosmërisht figurat historike të cilat i ka përjetësuar në bronz, por bashkë me ta, ka sjellë edhe karakteristikat e zonave nga këto figura vinë. Karakteristikat e tyre në veshje: xhamadanë e fustanella, kësula e qeleshe.
Artur Muller arkeolog për qeramikat e vogla , nëndrejtor i shkollës franceze të Athinës, përshëndeti skulptorin Idriz Balani duke e përgëzuar për krijimtarinë e begatë dhe prirjen e tij drejt artit realist. Skulptori Idriz Balani ka marrë edhe një sërë vlerësimesh: 2011- Shoqata Patriotike “ Çamëria “ dega Durrës i jep “ÇERTIFIKATË MIRËNJOHJEJE”me motivacionin : Për përkushtimin dhe sakrificën e tij vetëmohuese në shërbim të çështjes çame dhe asaj kombëtare si dhe për ndihmesën e gjthëanëshme shumëvjeçare të tij në propogandimin e vazhdueshëm të vlerave morale e atdhetare të komunitetit çam në shkallë vendi. 2012- Drejtori i Misionit Diplomatik për paqe dhe prosperitet Dr. Madhu Krishan i jep titullin: KËSHILLTAR NDERI i Misionit Diplomatik për paqe dhe prosperitet me motivacionin : Si personalitet, si misionar i paqes dhe promotor i misioneve ne te ardhme qe sjellin paqe dhe prosperitet për gjithë humanizmin. 2013- Kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako i jep titullin “ MIRËNJOHJE E QYTETIT” me këtë motivacionin : Për kontributin e dhënë në skulpturën shqiptare, vecanërisht në përjetësimin e figurave tona historike. Poeti Agim Bajrami dhe aktorja Merita Gabulla mbyllën pasditen me përshëndetjet e tyre kushtuar skulptorit Idriz Balani.
Ndjekim materialin.
K.H.