Fitorja e Emmanuel Macronit në zgjedhjet presidenciale franceze solli një farë lehtësimi në shumë kryeqytete perendimore, të shqetësuara se në se do të zgjidhej kandidatja e Frontit Kombëtar, Marie Le Pen, ajo do ta nxirrte Francën nga Bashkimit Evropian. Por shumë analistë paralajmërojnë se e ardhmja e bllokut evropian mbetet e pasigurtë. Britania, një anëtare e rëndësishme e BE-së po largohet dhe vala populiste, kundër BE-së, është ende në rritje në mbarë kontinentin.

Bashkimi Evropian është një koalicion unik ekonomik dhe politik mes 28 vendesh evropiane, që shtrihet në pjesën më të madhe të kontinentit. Është ekonomia më e madhe në botë me një popullësi prej gati më shumë se 510 milionë banorësh. Për shkak të ndikimit të tij global, Bashkimi Evropian është cilësuar si një superfuqi në rritje.

Krijimi i tij u nxit nga ndihma e madhe financiare amerikane dhe ajo e sigurisë që filloi me Planin Marshall pas Lufës së Dytë Botërore. Këto përpjekje sollën 70 vjet paqe dhe begati në Evropën e rrënuar nga rivaliteti dhe luftrat shekullore:

“BE-ja është në shumë mënyra arritja më e madhe e politikës së jashtme amerikane.”

Walter Russell Mead është ekspert i politikës së jashtme dhe shpesh informon politikë-bërësit amerikanë:

“Në se pyesni sesi do të donin Shtetet e Bashkuara ta shihnin botën, përgjigja është pak a shumë si Evropa: një shoqëri demokratike shtetesh që jetojnë nën sundimin e ligjit, me tregëti të hapur mes tyre, lëvizje të lirë për qytetarët dhe garanci për të drejtat e njeriut.”

Por Evropa sot është në vështirësi dhe nuk ka një drejtim të qartë, thotë zoti Mead:

“Kriza e imigracionit, pamundësia për të siguruar kufijtë e saj jugor, kriza e Euros – Evropa nuk po funksionon. Në se Bashkimi Evropian nuk do të gjejë dot një rrugë për t’u organizuar dhe për të çuar përpara objektivat e tij, do të fillojë të degradojë dhe ndoshta të shpërbëhet.”

Charles Kupchan vë në dukje dështimet e globalizimit si shkakun kryesor të problemeve aktuale në Evropë. Ai thotë se pavarësisht se ka sjell zhvillim në mbarë botën, globalizimi ka sjell gjithashtu pabarazi në rritje, trazira demografike dhe përçarje kulturore në vendet më të pasura të botës.

“Segmente të mëdha të shoqërisë në Britani, Francë dhe Itali nuk mendojnë më se sistemi po funksionon për ta. Ata duan t’i venë frenat.”

Evropianët e thjeshtë thotë zoti Kupchan, po humbasin besimin tek rendi liberal ndërkombëtar dhe institucionet e tij, ndërsa kërkojnë përgjigje nga politikanët jo-tradicionalë. Por ai paralajmëron se zgjidhjet mbeten të paqarta.

“Pyetja 6 milionë dollarëshe është se çfarë do të bëjë një britanik i thjeshtë në Liverpul, një italian në Milano apo Torino për të fituar një pagë jetese në vitin 2025? Askush nuk ka një përgjigje për këtë pyetje.”

Në se prirjet populiste përhapen më tej në Evropë, kontinenti mund të zhytet në trazira që të kujtojnë të kaluarën e tij të errët, thotë zoti Mead:

“Në se ky vizion dështon në Evropë, do të jetë një pikëpyetje themelore për Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botë. Si do të jetë bota në shekullin e 21-të?”

Zoti Mead thotë se nuk do të kishte kaq shumë rëndësi se kush do t’i fitonte zgjedhjet presidenciale në Francë, por themelet e Bashkimit Evropian janë bërë aq të dobëta saqë zgjedhjet në një vend anëtar mund të venë në dyshim ekzistencën e një projekti 60 vjeçar. Ajo që ishte e paimagjinueshme 10 vjet më parë, sot është një realitet./VOA