* Për të gjithë të apasionuarit e librit, "Durrës Lajm" sjell titujt e rinj që mund të gjeni në libraritë e qytetit.

“Burri që këqyr”- Alberto Moravia

Ky është romani tipik i kompleksitetit të vëzhgimit në njeriut të vetmuar, të paaftë për të kuptuar dhe të pafuqishëm. Kompleksi i Edipit në roman vjen jo nëpërmjet dashurisë së djalit për mamanë, por nëpërmjet luftës sensuale që zhvillohet mes atit dhe birit për gruan e këtij të fundit. Personazhi qëndror i romanit quhet Dodo, një emër që simbolikisht paraqet impotencën dhe varësinë e tejskajshme nga babai, ndërsa gruaja e tij Silvia dallohet për sensualitetin e lartë dhe dominimin e jetës në çift. Dhe kjo jetë në çift zhvillohet në apartamentin e madh të profesor Robertos, babait të Dodosë, në qendër të Romës.Kjo kryevepër e Alberto Movarias vjen në shqip nga Diana Kastrati

“Jeta fillon të premten”- Ioana Parvulesku

Një të premte të dhjetorit 1897, në një nga pyjet në rrethinat e Bukureshtit, shfaqet mbi dëborë një burrë pa ndjenja, i veshur në mënyrë të çuditshme, pa mjekër e me një të folur të veçantë. Edhe ai duket se nuk e kupton ku gjendet dhe ndihet i huaj. I gjithë qyteti merret me të dhe etiketimet, supozimet dhe qëllimet që i vishen janë të shumta: mos është një vrasës makabër e serial, mos është një hajdut, një marsian, një mashtrues? Që ta mbajnë nën vëzhgim, vendosin t’i japin punë si gazetar, punë në të cilën, heroi ynë ia del mbanë më së miri. Falë syve të tij, por edhe të shumë personazheve të tjera, mjeshtërisht të formësuar, zbulojmë epokën e artë, shekullin e haresë së jetës, atëherë kur njerëzimi besonte në përparimin shkencor dhe në të ardhmen. Falë shkrimit elegant të Pârvulescu-t, hyjmë krejt natyrshëm në intimitetin e personazheve: doktori Margulis, njeri i mirë që pret më të varfrit në klinikën e tij; e bija Xhulia, e kredhur në lexime revistash dhe e etur për jetë e dashuri; Gavroshi, një rumun që njeh mirë rrugicat e fshehta të lagjeve të varfra të Bukureshtit; Niku, miku i ngushtë i të riut Zhak Margulis. Ne vizitojmë edhe zyrat e gazetave të mëdha, të zhurmshme të botës së atëhershme, me skandalet dhe prapaskenat e tyre: kjo është atmosfera në të cilën gazetari ynë “do të bjerë nga qielli”, para se të birësohet nga shoqëria e lartë e Bukureshtit. E falë këtij personazhi kryesor, këtij heroi “të ndryshëm”, i cili gjendet vërtet jashtë kohës e jashtë vendit, na paraqitet një botë paragjykimesh e mediokriteti lëndues.

Ky roman është fitues i çmimit të letërsisë së Bashkimit Europian në vitin 2013. 

 “Për bukurinë e fëmijës suaj”- Pëllumb Karagjozi

Ky vëllim i kushtohet të gjithë nënave dhe baballarëve që kujdesen për fëmijën gjatë rritjes fizike dhe trupore, jo vetëm për të ripohuar parimin "mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë", por edhe sepse, siç është e njohur për të gjithë, çdo dëmtim i funksionit mund të shfaqë të meta të formës dhe çdo dëmtim të formës dhe i strukturës së organeve që përfaqësojnë lëvizjet, mund të jetë shkaku i patologjive, që tentojnë të bëhen kronike dhe që shfaqen tek të rriturit me shqetësime shumë më të rënda sesa te fëmija, duke paraqitur shpesh fillimin e patologjisë artrozike – degjenerative, të cilat sot paraqesin një nga sëmundjet më të përhapura në botën e civilizuar.

Ky libër ka qëllim t'i përgjigjet problemeve të nënave ose të kujtdo që kryen funksionin e nënës, edukatores, pra të kujtdo që mundet, në njëfarë mënyre, të ndihmojë fëmijën të rritet mirë dhe shëndetshëm. Në këtë libër, paraqiten shkurtimisht proceset e rritjes, tek i porsalinduri, te fëmija dhe tek adoleshenti.

Ky libër u kushtohet prindërve, por është i dobishëm edhe për të gjithë punonjësit shëndetësorë, specialistë të ndryshëm sidomos dhe për vetë pediatrët, të cilëve u takon përgjegjësia të ndjekin zhvillimin e fëmijës, të mbledhin anomalitë e mundshme dhe ta drejtojnë atë te specialisti përkatës.