Në kuadër të “Javës së librit” në universitetin “Aleksandër Moisiu” më datë 20 prill 2017, u organizua përurimi i studimit monografik “Sistemi foljor dhe rrafshi i sintaksës në gjuhën e revistës ‘Hylli i dritës’”, i autores Suela Kastrati. Kjo veprimtari u zhvillua në sallën e konferencave Kampus, Spitallë. U përgatit nga pedagogia e këtij universiteti, Dr. Manjola Zaçellari dhe u moderua nga studentja Marjana Çiku. Objekti i këtij studimi është revista “Hylli i dritës”, një nga revistat më prestigjoze e cila u botua për herë të parë në vitin 1913 me drejtues At Gjergj Fishtën. Në jetën e saj kjo revistë njohu disa periudha të cilat erdhën si rezultat i situatave të ndera historike dhe politike të vendit. Në vitin 1914, pezullohet botimi i saj si rezultat i shkrimit të At Gjergj Fishtës, “Një komedi e pandershme e shekullit XX”. Rifillon përsëri në vitin 1921 deri në vitin 1924 kur është edhe koha më e lulëzuar dhe më demokratike. “Hylli i dritës” si një tribunë e së vërtetës, mbajti anën e revolucionarëve të qershorit 1924. Rrjedhimisht, pas rënies së pushtetit (pas gjashtë muajsh), revista u pezullua. Në vitin 1930- 1944 “Hylli i dritës”, lulëzoi dhe pati bashkëpunëtorë të njohur… Me vendosjen e regjimit komunist, kjo revistë që si mision primar kishte thënien e së vërtetës, nuk mund të bashkëjetonte. Studimin monografik e shoqëron edhe një bibliografi e pasur e artikujve të botuar në këtë revistë dhe që padyshim do të jetë një mbështetje e mirë për të gjithë ata studiues që kanë për qëllim të studiojnë atë më gjerë nga ana gjuhësore.
Dr. Manjola Zaçellari, në fjalën e saj, ndër të tjera vuri theksin në rëndësinë e këtij studimi dhe vlerave që do të ketë ai për gjuhën shqipe. Ja si u shpreh ajo:
“Studimi është rezultat i një pune të gjatë, qëmtuese e analizuese, që kurorëzohet me sukses dhe nxjerr përfundime të rëndësishme mbi sistemin foljor dhe rrafshin sintaksor të gjuhës së revistës “Hylli i dritës”. Studimi monografik “Sistemi foljor dhe rrafshi i sintaksës në gjuhën e revistës ‘Hylli i Dritës’” ka si objekt qendror, së pari, përshkrimin e sistemit foljor, ashtu si paraqitet ai në shkrimet e botuara në këtë revistë, por nuk lë jashtë vëmendjes dhe disa veçori të sistemit drejtshkrimor, fonetik e grafik për të parë se si ka ecur lëvrimi i gjuhës shqipe dhe në këto vite, kur sapo ishin hedhur hapat e parë për standardizimin e saj. Ai synon gjithashtu të dëshmojë përpjekjet që janë bërë në periudhën kohore që përfshin vitet ’20 – ’30, periudhë që përkon me atë të pas punimeve të Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës, për vendosjen e gjuhës letrare shqipe, duke u mbështetur në vëzhgimet për gjuhën e një reviste me aq emër të asaj kohe, siç ishte “Hylli i Dritës”. Përveç kësaj, një syth i veçantë i kushtohet përshkrimit të sintaksës së shkrimeve të asaj periudhe kohore, kur, pa dyshim, mund të thuhet se pati një lulëzim jo të pakët të letërsisë, gazetarisë, përkthimeve prej disa gjuhëve të zhvilluara perëndimore; të gjitha këto mund të gjenin pasqyrim vetëm në rrafshin studimor të sintaksës. Kjo vinte edhe për faktin se në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit të kaluar erdhën e u përvijuan dukshëm edhe stilet e shqipes së shkruar, sidomos kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Qëllimi i këtij studimi është jo vetëm vështrimi e përshkrimi në përgjithësi i sistemit foljor duke analizuar gjuhën e artikujve të botuar në këtë revistë, që përfshin, si thamë, periudhën 1921-1930, por dhe për të parë në mënyrë të veçantë larminë e formave foljore, mbaresat e tyre, që dalin sipas kohëve, vetave e numrit, si dhe lëkundjet që vihen re jo vetëm brenda së njëjtës periudhë apo viti të botimit, por madje edhe brenda të njëjtit artikull”.
Z. Lekë Sokoli, zv. Rektor i UAMD-së, bëri përgëzimet e rastit dhe vuri theksin në rëndësinë e punës studimore dhe vendit të veçantë që i duhet kushtuar librit. U përmendën gjithashtu edhe një sërë veprimtarish që janë organizuar në UAMD në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, 23 prillit.
Profesor Met Dervishi, vuri theksin në atë që, gjuha shqipe ka ende shumë për t’u studiuar dhe se përpara brezit që po përgatitet, del një punë e madhe e cila me dëshirën e mirë për studim mund të sjellë rezultate frytëdhënëse.
Punonjësja e Bibliotekës Publike Durrës, Znj. Teuta Dhima, përgëzoi autoren Suela Kastrati për studimin dhe theksoi se me një bashkëpunim të mirë studiues- bibliotekë, sillen studime me rëndësi si ky studim monografik i cili iu shtohet studimeve të tjera në fushën e studimit të gjuhës shqipe. E veçanta e kësaj veprimtarie ishte pjesëmarrja e studentëve në referime dhe pyetje drejtuar autores Suela Kastrati.
Studentet: Marjana Çiku, Klodiana Doci,Valentina Cupi, Majlinda Shkami, Denisa Merhadi referuan mbi librin duke theksuar rëndësinë e këtij studimi dhe ndihmën që iu ka dhënë ai.
Autorja Suela Kastrati e cila është edhe drejtuese e Katedrës së Gjuhësisë, bëri falënderimet e rastit dhe theksoi se studimi është rezultat i një pune dhe përkushtimi gati 10-vjeçar. Punë kjo që shpeshherë ka qenë shumë e lodhshme, sidomos në vjeljen e materialit bazë për studimin e saj. Në mbyllje ajo iu drejtua studentëve me një mesazh: të jenë shterues dhe këmbëngulës në punën e tyre, pasi vetëm kështu do të sjellin studime me vlerë.