Në pallatin e sportit "Ramazan Njala" u zhvillua ndeshja e parë e play off-it në basketboll femra midis Goga Basket dhe Flamurtarit. Ndeshja përfundoi me rezultatin 79-84 per vlonjatet rezultat që u vendos në minutat e fundit. Vetëm dy minuta përpara përfundimit të takimit Goga Basket ishte një pikë përpara, por në dy minuta u përmbys gjithçka.
Pikërisht për këtë që ndodhi në këtë ndeshje Akademia Goga Basket ka mbajtur një qëdnrim zyrtar duke e quajtur skandaloze që një ndeshje e një rëndësie të tillë të vendoset jo nga basketbollistet në parket, por nga gjyqtarët. Sipas akademisë shkak për këtë humbje ishte ndikimi total i treshes së gjyqtarëve që drejtuan takimin i kryesuar nga Ervin Koçi i cili njëkohësisht është edhe bashkëshorti i Ledina Koçit që mban detyrën e trajneres së stërvitjes të ekipit të Flamurtarit.
Në fakt akademia Goga Basket deklaron se arbitrat kanë ndikuar negativisht gjatë gjithë ndeshjes, por në dy minutat e fundit kur u përmbys gjithçka janë këta arbitra që vendosën ndeshjen. Duke ditur se çfarë po kurdisej në kurriz të këtyre ndeshjeve Goga-Basket i ka kërkuar federatës me shkrim në datën 27 mars që gjyqtari Ervin Koçi për arsye konflikti interesi nuk duhet të arbitrojë takimin e Flamurtarit ndaj Goga Basket. Por federata shqipatre e basketbollit cakton pikërisht këtë arbitër të arbitrojë duke shkaktuar një zemërim të madh midis qindra tifozëve durrsakë që ndiqnin ndeshjen në pallatin e sportit ku vetëm policia dhe drejtuesit e akademisë evituan veprime te mundshme dhune.
Sipas akademisë, Federata Shqiptare e Basketbollit tashmë e kapur, është e pazonja të administrojë aktivitetet e saj që degjenerojnë me rezultate të çuditshme. Po kështu këto sjellje të federatës me klubet kanë sjellë dhe acarimin e tifiozerive të cilat kanë përfunduar dhe në dhunë siç ishte rasti i fundit në superkupën e meshkujve. Goga- Basket e Durrësit në vetëm dy vjet nga krijimi i akademisë ka qenë finalist 3 herë për kampion, superkupë dhe kupë republike dhe kjo akademi njofton se nuk do të ndalet në rrugëtimin e saj të bukur për zhvillimin e basketbollit në rrethin e Durrësit dhe arritjen e rezultateve të larta.